Ku ndodhet Shqipëria e Edi Ramës?
Si në planin e brendshëm, atë të shtet ndërtimit demokratik dhe evropian të sistemit të institucioneve të vendit në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe social drejt BE dhe në planin e jashtëm, atë të përcaktimit dhe të konsolidimit të vazhdueshëm të një roli pro aktiv të vendit. Progresi i kësaj kohe, transformimi të madh, është i dukshëm, dhe dhe i përshëndetur botërisht.
Diplomacia jonë ka hyrë në një dinamikë të re, ka luajtur një rol kyc në zhvillimet transformuese të kësaj kohe, që duhen shtyrë më tutje edhe përmes diplomacisë për të përmbushur vizionin e Shqipërisë 2023.
Sot Shqipëria negocion anëtarësimin në BE pas një procesi të jashtëzakonshëm skanimi të të gjithë sistemit të organizimit të vendit, skuadra kombëtare e Shqipërisë, me të gjitha repartet e saj për 33 kapituj dhe tre kritere themelore, u vlerësua me notat më pozitive nga partnerët tanë në Bruksel, ku vendi mori një vlerësim të qartë për gatishmërinë për t’iu përmbajtur legjislacionit të BE-së në të gjitha fushat
Kështu është shprehur sot në një konferencë me ambasadorë kryeministri i vendit Edi Rama. Është një skicim më shumë se optimist, është si i thonë anglisht: Shqipëria wanna be. Voluntariste. Edhe pse një pjesë e atyre që jetojnë këtu, mund të dyshojnë nëse me të vërtetë ka një vullnet për të arritur tek autoportreti “Shqipëria ime” të z. Rama. Sepse kur flasim për vullnetin duhet të vlerësojmë edhe hapat e ndjekur, procesin në vetvete dhe mënyrën sesi adresohen problemet.
Ku është kjo Shqipëri për të cilën flet z. Rama? Ku ndodhet, në cilin paralel, meridian apo në cilën gjendje psikometrike ekziston? Si perceptohet, si ndjehet, e mandej si jetohet një Shqipëri e tillë kaq e ngazëllyer me veten? Ku ndodhet kjo Shqipëri demokratike?!!!
Patjetër që një Shqipëri si kjo ekziston në letra. Në letrat e saj, të qeverisë, të BE-së dhe SHBA-së. Ka qenë kjo Shqipëri Letrash përherë këtu, në çdo kohë, në çdo epidemi, në çdo fatkeqësi. Ajo e ka sfiduar realitetin, e ka pështyrë atë dhe madje e ka parë popullin si një ballo me maska me rolin e atij që brohoret. Ose hesht. Heshtja në këtë Shqipëri, në këtë qeveri është një mall i çmuar. Shumë i çmuar. Ajo është shndërruar madje në virtyt të shumicës që punon, që ul kokën e nuk reagon. Nuk reagon për të “kundërshtuar apo luftuar me faktet” siç thotë z. Rama. Po cilat fakte? Ato që janë shkruar në letrat zyrtare?
Nuk janë fakte edhe ato që shkruhen për korrupsionin, vjedhjet, krimin, ndarjen e pasurisë publike? Apo këto janë simptoma të një sëmundjeje që po luftohet nga baballarët e progresit, me të cilin sigurisht që vijnë edhe probleme?
Ku është kjo Shqipëri që të emigrojmë të gjithë. Madje do zinim të gjithë nga copë toke në këtë paradiz të pazbuluar të Mesdheut.
Pyesim sepse ne kemi jetuar këtu. Me sy, me veshë, me mendje dhe me trup. Dhe Shqipëria është e njëjta: një qytetari të zakonshëm të këtij vendi i duhet të dëgjojë nga mëngjesi në darkë vetëm një këngëtar dhe një këngë: Kryeministrin. Që flet e flet, mburret e mburret, bën shaka, me kripë e pa kripë dhe si zakonisht na tregon sesi është jeta jonë.
Një qytetari i duhet të ketë xhepin të sigurtë kur shkon në spital, në gjykatë, në polici, në administratë. I duhet të ketë njohje e të shpikë gjithfarë lodrash për të arritur atë që i takon. Një qytetari të zakonshëm një shqiptari pra, i duhet të shkollojë fëmijën edhe pas shkolle. Dhe të shohë se edhe në shkolla ka fëmijë e fëmijë.
I duhet edhe ta shijojë pak arrogancën e qytetarëve që qeverisin siç duhet për “ne derrat që nuk u bëmë njëherë njerëz”.
Por një qytetari edhe i duhet që të mos flasë shumë sepse atë e rrethon brerorja e heshtjes së plotë të të njohurve. Ajo heshtje aq e çmuar. Ja, sa intelektualë kemi ne që flasin për katastrofën ku po rrokullisemi? Nja tre apo katër. Të tjerët me siguri janë ata që shkruajnë Shqipërinë e Letrave.
Kështu ka qenë Shqipëria e Berishës, madje pak më e lirshme me thënë të drejtën dhe pak më premtuese, ndonëse akuzohej se ishte zaptuar. Ishte e shëmtuar patjetër, por më e çlirët. E për pasojë më e lirë. Më origjinale.
Shqipëria e tanishme po përjeton një Gardhim masiv të çdo qoshku që ka pak natyrë e mund të kapitalizohet si banaku i mundshëm i shitjes së xhevahireve të natyrës. Po Gardhohet edhe Vjosa, që u shpall me letra ndërkombëtare diçka që duhet mbrojtur, po gardhohen zonat e mbrojtura. Janë gardhuar plazhet dhe kepet, lagunat dhe parqet arkeologjike; janë gardhuar me liçenca shfrytëzimi dhe privatizimi. Dhe mbrohen me kobure në brez nga ata që janë pronarët e rinj; shqiptarë me shqipe prenatale.
Ishin përrallore na thanë. Madje na e thanë në disa gjuhë. Por nuk duheshin lënë ashtu. Duhen gardhuar që të bëhen edhe më përrallore me traun e kalimit, me tarifën, gjobën dhe plaçkitjen e çdokujt që vazhdon jeton në iluzionin se mund të udhëtojë lirshëm në Shqipëri. Të ulet, të sodisë e të mendojë pa paguar në ndonjë qoshk të këtij vendi. Jo. Nuk ka falas asgjë në këtë vend. Që shndrin në letra, vezullon i gjithi.
Falas është vetëm propaganda, fjalosjet, letrat, sa më shumë letra dhe ledwall-e. Podcaste dhe video që kanë edhe ato historinë e tyre, evolucionin e sforcuar të përmbajtjes në kërkesën e pamundur që të revolucionarizojnë me përmbysje vështrimin tonë mbi Shqipërinë. Jo si gjeografi, jo si urbanizim, por si adresë e jetës sonë. Por këtë nuk ka letër të na e tregojë, as analist ta kompromentojë, sepse në fund të fundit e pandërgjegjshmja është më politike.
Ky represion verbal i pandalshëm megjithatë e ka një fitore: e degdisi Shqipërinë e vërtetë në të pandërgjegjshmen e njerëzisë që këndon e llomotit fjalë të mira sipas një zakoni të gojës që nuk qe kurrë virtyt i shpirtit. Kush po lufton pra me faktet? Kush po i injoron ato? Me siguri ata që duan të krijojnë ca fakte të reja për të tjerë njerëz që do të vijnë. Që do të mësojnë edhe ata leksionin e vyer: Të Heshtjes!
Add new comment