Tre Ilirët

Postuar në 13 Nëntor, 2024 14:38

Shkruan sot Ilir Yzeiri:

Dje u shfaq një nga skenat më të zymta dhe më barbare në hapësirën publike. Në Komisionin hetimor për sterilizimin ishin ftuar për të dëshmuar bashkë me dy të ndaluarit e tjerë edhe ish-ministri i shëndetësisë, aktualisht i ndaluar, Ilir Beqja. Ardhja e tij në sallën e Kuvendit, me pranga në duar, ishte një skenë e trishtuar për fatin e tij, por edhe për cilindo që e shihte atë. Në perceptimin kolektiv dhe në doktrinat e moralit njerëzor, të burgosurit janë kategoria e dobët që ngjall keqardhje, dëshpërim e të bën të mendohesh thellë

E ndërsa Ilir Yzeiri po mendohet thellë, na jep kohë që të lexojmë diçka nga një shkrim i tiji i datës 24 tetor për arrestimin e Ilir Metës:

Një anë tjetër që zbuloi arrestimi i Ilir Metës është se tani, edhe pas ndalimit të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, shoqëria shqiptare po kalon nga faza folklorike në atë logjike, institucionale. Reforma në drejtësi dhe veprimi i SPAK-ut kanë një vlerë të posaçme se po arrijnë të çmontojnë mentalitetin folklorik të shoqërisë shqiptare që mbështetet në gjyqet publike e popullore që bëhen zakonisht në studio televizive, në kafehane dhe që shndërrohen pastaj në legjenda urbane duke projektuar sipas ligjësisë së folklorit heroin e tipit të Robin Hudit që vjedh e shkel ligjin apo dhunon institucionet në emër të të varfërve

Siç e shohim Ilir publicisti - ndaj të cilit nuk mungojnë akuzat - ka keqardhje për Ilirin e Shëndetësisë që e sollën me pranga në duar dhe i kënaqet barku që Ilirin Kryeministër e morën për zhelesh dhe e nxorën nga makina.

Çfarë kuptimi ka kjo? Çfarë gjykimi është ky? Me cilat kritere dhe cilat parametra sillet kjo publicistikë? Ku ta dish! Këtë vetëm Agron Gjekmarkaj e zbërthen. 

Mbetemi në pritje të demkologjisë së radhës kur të ketë arrestime gazetarësh, meqë për arrestime pedagogësh nuk kemi lexuar gjë.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ilir publicisti deshmon me keto deklarata se nuk paska dale akoma nga folklorizmi i katundit tone sipas pershkrimit qe ka bere ai vete.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.