Në Afganistan nis të lulëzojë turizmi
Në Afganistan, qeveria talebane i ka kthyer sytë nga turizmi. Shifrat tregojnë një rritje të vazhdueshme të turizmit përgjatë tre viteve të fundit, megjithatë ato mbeten ende modeste.
Vizitorë nga e gjithë bota kanë nisur të shijojnë nga afër peizazhin skenik dhe historinë e lashtë të Afganistanit. Shumë prej tyre zgjedhin të zhyten në liqenet bruz të Parkut Kombëtar Band-e-Amir, ndërsa të tjerë eksplorojnë artin budist dhe rrënojat në Bamiyan apo bëjnë pazar në pazaret e zhurmshme të Kabulit.
Në vitin 2021, Afganistanin e vizituan 691 turistë. Një vit më pas, shifra e vizitorëve të huaj arriti në 2 300, ndërsa jë 2023 ishin 7 000 të tillë, sipas Mohammad Saeed, kreu i Drejtorisë së Turizmit në Kabul.
Afganistani po përballet me një krizë humanitare dhe varfëri pas disa dekadash luftë. Shumë vende nuk i kanë njohur zyrtarisht talebanët si qeveri të Afganistanit, dhe Kombet e Bashkuara thonë se nën qeverisjen e tyre, Afganistani është vendi më represiv në botë për të drejtat e grave.
Zyrtarët talebanë synojnë rritjen e turizmit si një mënyrë për të rritur ekonominë.
Shumica e turistëve vijnë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kina, India, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irani.
Një departament është krijuar në varësi të Ministrisë për Kulturës për të ofruar shërbime për turistët dhe për të trajnuar studentët në industrinë e turizmit dhe menaxhimin e hoteleve.
Ndërsa shumë udhëtarë kanë raportuar përvoja pozitive, shumë qeveri perëndimore paralajmërojnë shmangien e udhëtimit në atë vend.
Afganistani hyn në nivelin e katërt të udhëzimeve të Departamentit të Shtetit, i cili përmend "terrorizmin, rrezikun e ndalimit të gabuar, trazirat civile, rrëmbimet dhe krimin" si arsye për vlerësimin e tij. Edhe Mbretëria e Bashkuar sugjeron shmangien e çdo udhëtimi në Afganistan.
Për të përballuar rritjen e turistëve, në Afganistan janë krijuar disa kompani turistike.
"Prania e turistëve është rritur sepse nuk është më një zonë lufte aktive," thotë për CNN themeluesi i kompanisë Unchartered Afganistan.
Ehsan Barakzai, themeluesi i kompanisë turistike afgane Destination Afganistan, thotë se "porta (për në Afganistan) sapo është hapur, kështu që të gjithë po vijnë".
Barakzai u ka bërë ture 130 personave në Afganistan në vitin 2023, shumica nga Kina, Gjermania, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara.
"Shumë turistë erdhën nga ndjekja e kanaleve në YouTube dhe njerëzve në rrjetet sociale që dokumentonin udhëtimin e tyre në Afganistan," shpjegoi Barakzai.
Turistët mund të hyjnë në Afganistan vetëm pasi të kenë marrë një vizë turistike nga një nga konsullatat e Afganistanit. Konsullata u jep vizën të gjithë atyre që kanë një letër ftese nga një kompani turistike në Afganistan. Afganistani ka konsullata në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Pakistan, si dhe ambasada në Gjermani, Spanjë dhe Holandë, ndër vende të tjera.
Add new comment