Turizmi, "Lebra akute" përmbyt Santorinin
Santorini bëhet destinacioni europian i radhës që ngre problemin e hiperturizmit. 3.4 milionë turistë vitin e kaluar në një ishull me 15 mijë banorë. Pesë anije të mëdha që ankorojnë në të njëjtën kohë, kanë detyruar autoritetet greke të flasin për vendosjen e kuotave duke nisur që nga viti i ardhshëm.
Aktualisht është rënë dakord që në ishujt kryesorë të lejohet si kufi 8000 anije në ditë, por operatorët nuk janë dakord të gjithë. Problemi është edhe menaxherial, pasi për Antonios Pagonis, kreu i Bashkimit të Hotelierëve të ishullit, ka ditë kur në Santorini zbarkojnë 25 000 vizitorë dhe një ditë më pas zero. Dhe përqendrimi është në një vend të evtëm.
Në jug të ishullit plazhet janë më pak të populluar edhe në pikun e sezonit,-vijon ai.
Në vitin 2023 Greqia u vizitua nga 32.7 milionë njerëz dhe 1 në 10 vizitoi Santorinin. Një shifër rekord që vjen në një kontekst krejt të papritur europian: atë të refuzimit të turistit si globalisti kryesor. Spanja, Hollanda, por edhe Italia kanë nisur të mendojnë për këtë çështje dhe të përballen me protesta të banorëve. Një rreth vicioz që nuk zgjidh dot kërkesën ekonomike me qetësinë e asgjësuar të rezidentëve.
Është një problem që dikur do të vinte me një botë që vetëm konsumon dhe ka kuriozitetin e çastit, të fotografisë, të ushqimit, dukjes dhe pëlqimit. Në vitin 2019, kreu i Librarisë “Durell” në Korfuz, Richard Pine, një rezident në ishullin jonian, publikonte një shkrim që e sollëm shqip me titullin: Lebra akute që e quajmë turizëm.
Dhe ja ku jemi vetëm 5 vjet më parë përballë një problem që po merr aktualitet shumë të madh.
Shqipëria është në kohë. Është në kohë për shkak të vonesave të saj dhe këtë mangësi duhet ta shohim si fat dhe mundësi për të mos bërë gabimet e të tjerëve. Turizmi është sektor i domosdoshëm për shumë gjëra, por loja e marketingut ka prirjen të sjellë mandej probleme që në një vend si yni do të lihen vetëm të rrjedhin, dekantojnë. Dhe kjo duhet nisur që nga kufizimi i hapësirës së shfrytëzueshme. Ajo që po ndodh me Butrintin është sinjali më i keq i një marrëzie që mund të japë fryte të shpejta njësoj si ekonomia e drogës, por që në plan afagjatë do të ketë shumë pasoja.
E njëjta gjë vihet re me Vjosën, lumenjtë që kontribuojnë në të, mënyra sesi po vidhet uji. Në pikën finale është turisti dhe turizmi ai që po lobon për të kapilarizuar natyrën aty ku themelohet Babeli i rehatisë. Por siç e tregojnë vragat e territorit shqiptar, natyra do të hakmerret mbi një njerëzim që po matufeps veten para pasqyrës deh celularit.
s.zaimi
Add new comment