Ukraina, gati për bisedime me Rusinë
Kievi është gati për bisedime paqeje me Moskën për t'i dhënë fund konfliktit, i ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba homologut të tij kinez, Wang Yi.
Shefi i diplomacisë ukrainase ka bërë një vizitë zyrtare në Kinë – e para që nga fillimi i konfliktit të Ukrainës në shkurt 2022.
Kuleba është shprehur gjatë takimit me homologun kinez se "Ukraina është e gatshme të angazhohet në dialog dhe negociata me Rusinë".
“Sigurisht, negociatat duhet të jenë racionale dhe thelbësore, që synojnë arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, citohet ai nga Ministria e Jashtme kineze.
Wang ka paralajmëruar se për shkak të “rrezikut të përshkallëzimit dhe përhapjes” së konfliktit, Kina beson se zgjidhja e të gjitha konflikteve duhet të kthehet përfundimisht në tryezën e negociatave.
"Kohët e fundit, si Ukraina dhe Rusia kanë dërguar sinjale gatishmërie për të negociuar në shkallë të ndryshme".
Kuleba udhëtoi drejt Kinës pak ditë pasi presidenti Zelensky deklaroi se donte t'i jepte fund konfliktit "sa më shpejt të ishte e mundur" dhe sinjalizoi gatishmërinë për t'u angazhuar në bisedime me Rusinë.
Kjo kthesë vjen pas dekretit presidencial të vitit 2022, i cili ndaloi të gjitha bisedimet me udhëheqjen aktuale në Moskë.
Përpjekjet për bisedime paqeje vijojnë paralelisht me luftimet në front. Megjithatë, palët e përfshira direkt nuk janë ulur prej kohësh në të njëjtën tryezë. Në qershor, Ukraina mori pjesë në Samitin e Paqes në Zvicër, i cili u fokusua në disa pika të formulës së Zelensky. Moska nuk ishte e ftuar dhe si rrjedhojë Kina nuk mori pjesë duke argumentuar se Rusia duhej të ishte pjesë e procesit. Disa prej pjesëmarrësve i tërhoqën më vonë firmat e tyre nga dokumenti përfundimtar.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Moska është e gatshme të hapë menjëherë bisedimet e paqes me Ukrainën pasi të tërheqë trupat nga Donbassi dhe dy ish-rajonet e tjera të tij dhe të angazhohet për miratimin e një statusi neutral.
Add new comment