Meloni: Mos linçoni Edi Ramën

Postuar në 28 Prill, 2024 14:45

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i doli në mbrojtje homologut shqiptar pas  reportazhit për marrëveshjet mes Italisë dhe Shqipërisë në RAI3, pjesa e dytë e të cilit pritet sonte.

Njësoj si Rama, Meloni e quajti linçim materialin e publikuar nga emisioni «Report» një javë më parë.

Kur bëmë një marrëveshje në qiell të hapur me Edi Ramën, e majta propozoi ta përjashtonte nga socialistët europianë. Në vend që ta falënderonte që kishte vepruar në emër të solidaritetit europian, ata e linçuan. Madje edhe vetë Tele-Meloni, e keni parasysh Tele-Melonin? Paketoi një material për Shqipërinë në të cilin e portretizoi atë si narko-shtet. Bashkohuni me mua t’i dërgojmë Edi Ramës dhe popullit shqiptar solidaritetin tonë », tha Meloni gjatë një takimi me partinë e saj, Fratelli d’Italia, gjatë të cilës shpalli kandidaturën për zgjedhjet europiane.

RAI 3 reagoi menjëherë duke thënë se dokumente dhe fakte të tjera do të publikohen sonte. 

«Tematikës do t'i rikthehemi sonte me një reportazh që do të hetojë rezultatet e dobëta të deritanishme të dekretit ‘Cutro’. Me dokumente ekskluzive do të tregojmë se si disa zyrtarë kryesorë të qeverisë kanë shfrytëzuar në avantazhin e tyre keqmenaxhimin e OJQ-ve», ishte përgjigjja e emisionit « Report ».

Materiali i publikuar të dielën me titullin "HotSpot Albania" analizonte aspektet ekonomike të marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët. Sipas investigimit, shpenzimet për të mund të arrijnë në rreth 1 miliard euro, pa mundur të zgjidhin problemin e emigrantëve por duke rrezikuar që një pjesë e parave të sekuestrohet nga sipërmarrësi i njohur italian Francesco Becchetti, i cili ka fituar gjyqin me shtetin shqiptar në arbitrazh.

Dokumentari thekson se njeriu kyç në marrëveshjen e kërkuar nga qeveria “Meloni” është Engjëll Agaçi, “sekretar i kryeministrit Edi Rama dhe po ashtu avokat i eksponentëve kryesorë të mafies shqiptare në Itali, i vënë në qendër e një përpjekjeje të bujshme për të korruptuar shefin të Interpolit në Romë”.

Rama reagoi menjëherë pas publikimit të emisionit « Report » duke thënë se pretendimet per vërtetësine e reportazhit janë të pabaza dhe pa fakte. Ai e cilësoi dokumentarin një mënyrë sulmi ndaj kryeministres italiane Giorga Meloni në kurriz të Shqipërisë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.