BE ndalon mallrat e prodhuara me punë të detyruar
Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian arritën një marrëveshje të përkohshme për të ndaluar hyrjen e produkteve të prodhuara me punë të detyruar në tregun e përbashkët evropian.
Marrëveshja përcakton përgjegjësitë që Komisioni i BE-së dhe shtetet anëtare kanë në identifikimin e kompanive që shfrytëzojnë punëtorët e detyruar dhe ndalojnë produktet e tyre.
Sipas ministrit të Ekonomisë dhe Punës në Belgjikë, Pierre-Yves Dermagne, marrëveshja ka për qëllim të prishë modelin e biznesit të këtyre kompanive.
“Me këtë rregullore ne duam të sigurohemi që të mos ketë vend për produktet e tyre në tregun tonë të përbashkët, qofshin ato të prodhuara në Evropë apo jashtë saj”, tha ai.
Belgjika aktualisht mban presidencën e radhës të BE-së.
Subjekt i këtij ndalimi do të jenë të gjitha mallrat e prodhuara jashtë BE-së me punë të detyruar dhe njëkohësisht ato të prodhuara në BE me pjesë të prodhuara jashtë vendit me punë të detyruar.
Për t’u bërë e zbatueshme, kjo marrëveshje duhet të marrë dritën jeshile të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës.
Add new comment