Cili është bilanci i këtyre 10 viteve?!

Postuar në 25 Janar, 2024 23:33
Skerdilajd Zaimi

 

Nëse sheh mënyrën si kryeministri i Shqipërisë Edi Rama prezanton punën e qeverisjes së vet në pamje të parë do të mendoje për një histori suksesi dhe modernzimi të pakrahasueshëm me ndonjë qeveri tjetër. 

Vetëm Përpara” mandej është një devizë që krijon përshtypjen se rrotën e progresit nuk e ndal dot më asgjë. Nuk kemi të bëjmë me një filozofi optimizmi, por me pretendimin se e ardhmja është ontologjike tek partia dhe kryeministri i tanishëm. 

Të gjitha këto lodra marketingu kanë nevojë të ballafaqohen me një bilanc. Por nuk duhet të tallemi e të themi se vota është bilanci. Se “mençuria popullore” është gjykatësi më i mirë duke bërë sikur nuk e kuptojmë se vota është fiziologji e mbijetesës dhe spekullimit sikundër është edhe mençuria popullore një krijim demagogjik. 

Bilancin kjo qeveri padyshim që e ka të pasur, por si bashkëkohës dhe banorë të këtij vendi mund ta themi që e ka në sensin e rekordeve negative.

Të mos marrim aspektin e demokracisë sepse demokracia është një arritje e madhe e së shkuarës edhe në Perëndim, në degradim dhe goditje të gjithanshme. Në Shqipëri demokracia është në parim e subversionuar nga mungesa e një opozitë të vërtetë. Kjo patjetër që nuk është përgjegjësi e Edi Ramës por bën pjesë te faktet që rëndojnë bilancin e qeverisjes së tij. Pasi në sistemin tonë politik tashmë nuk mungon vetëm alternativa, por edhe kundërpesha. 

Por z. Rama ka patjetër përgjegjësi për bizantinizimin e Partisë Socialiste, të cilën e ka shndërruar në një tufë anonime besimtarësh të parasë. Dhe patjetër që ajo strukturë e mbyllur, e personalizuar do të reflektohet në qeverisje.

Shumëkush mund të shohë se stanjacioni aktual ka shumë analogji me stanjacionin e viteve 1985-1990, me një PPSh që kishte humbur kokën dhe shpirtin e iniciativës, por vazhdonte me këmbëngulje të mbijetonte në "trutë e njerëzisë" përmes shpirtrave të vdekur që frymonin nekropolin politik të asaj Shqipërie. Është një gjendje analoge sepse me mpirjen e përgjithshme nxit vetëm mobilizimin për të ikur pasi besimi i vetëm që ka mbetur është akredituar përfundimisht jashtë këtij vendi që nuk e dimë se i kujt është. 

Në bilanc politik, kjo qeveri nuk mund të krahasohet me ato para saj. Sepse aktet kryesore për vendin – NATO, liberalizimi i vizave, MSA, anëtarësimi në KiE, lufta e Kosovës dhe vizita e nivelit më të lartë në Tiranë(Presidenti Bush) – kanë ndodhur më herët. Zoti Rama ka padyshim aksesin më të lartë që ndonjë qeveritar shqiptar mund të ketë patur ndonjëherë në kancelaritë perëndimore(meritë e tij dhe jo e suksesit të Shqipërisë) por nuk ka një raport të drejtë mes mundësive që ai i krijoi vetes me investimet eventuale që do të duhej të përfitoheshin. Kjo është kaq e vërtetë saqë z. Rama në një mënyrë apo në një tjetër po kërkon karrierë ndërkombëtare.

Në Tiranë janë organizuar edhe samite të nivelit të lartë, por asgjë më shumë sesa deklaratat nuk ka ardhur këtu. Jo më kot qeveria tashmë po duket se e ka me dy mendje edhe ligjin e investimeve strategjike, pasi të tilla që të jenë realisht me peshë, nuk ka. 

Në planin ekonomik kjo është një qeveri e pasurimit të një kaste, por jo e krijimit të të mirave publike. Si një arkitekt i vetëshpallur z. Rama manifeston paradoksin e dikujt që rend pas monumentalitetit, por pa arritur deri më tani gjithësesi të shenjojë “kohën e vet” me diçka që mbetet. Vepra kryesore e tij janë kullat e Tiranës – por këto nuk janë e mirë publike – rikonstruksioni i Piramidës, por kjo është një vjedhje e pronësisë intelektuale të Diktaturës siç është edhe procesi komik i jetësimit të objekteve të tjera të së shkuarës.
 Rrugët janë mbyllje e projekteve të nisura më herët, ndërkohë që edhe një tunel entuziast në Llogora, i shërben vilexahturës së zengjinëve të rinj në Palasë, apo edhe turizmit të luksit për të cilin ky zotëri ka nisur të flasë së fundmi. Patjetër që kanë rëndësi edhe këto, por nuk shenjojnë gjë, përveçse theksojnë një karakteristikë të kësaj qeverisjeje: Pabarazinë e madhe dhe shpërndërjen klienteliste të pasurisë publike. Hapur madje. 

Edhe për dixhitalizimin që mburret, në vëllim të shërbimeve ka një punë të bërë, por procesi nisi me qeverinë e mëparshme. Na kujtohet besoj kur socialistët e gjeneratës tjetër talleshin me iPad e Sali Berishës. 

 Sa për tregun kujtojmë këtu se kjo qeveri nuk ka asnjë akt të vetëm në favor të konkurencës reale dhe se madje përfaqëson dhe mbron grupe të mëdha ekonomike, krijimin e të cilave edhe e nxiti. 

Nga ana sociale qeveria e z. Rama ka përgjegjësi – ndër të tjerët sigurisht – për një transformim: atë demografik. Shqipëria është më e vogël, më e tkurrur, në e dobët se rrallë më parë. Z. Rama nuk pati shansin e qeverisë së Zogut që çoi shtetin kudo, as të komunistëve që kryen shndërrime masive sociale dhe fetare, që urbanizuan, as të qeverisë së 1992-1997 që kreu reformat e para politike dhe ekonomike të kapitalizmit. Por ajo pati mbështetje masive.

Si asnjë qeveri tjetër, apo shumicë parlamentare, ajo kontrollon pushtetin qendror dhe atë lokal për vite dhe ne sërish shohim për javë luftën e tyre me plehrat, gjelbërimin dhe rikonstruksione shkollash kur kemi inceneratorë, kemi mbjellë miliona pemë, sipas gjasave të padukshme, dhe mësimi vazhdon me turne. 

Diçka pra nuk funksionon mirë. Diçka e saboton ose Shqipërinë, ose perceptimin tonë për të parë lulëzimin e saj. E megjithatë ajo që është bërë do të mbetet. Puna është se çfarë është bërë për të gjithë ne, ky do të ishte bilanci.

Le ta shkruajë vetë z. Rama bilancin e tij. Sigurisht që do flasë vetëm për suksese, por mjafton fakti që ato për të cilat ai flet nuk përkojnë me ambicien që po e gërryen, as me CV-në që i shkruajnë gazetarët e huaj - që di t'i miklojë, përdorë e tallë -as me idenë që ka për veten dhe dalldisjen me të cilën flet për satelitë e strategji për të kuptuar që edhe kjo përrallë diçka ka në strukturën e saj. Ajo është përrallë tipike për faktin se nuk ka fund të gëzuar. Kjo duket. Dhe duket edhe te e vetmja madhështi që gjallon këtej: madhështia e zullumeve. 

Comments

Submitted by Bardhi (not verified) on

Bukur!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.