Etja e ChatGpt, 5 milionë litra ujë konsumi javor

Postuar në 17 Janar, 2024 18:22

Në periferitë e shtetit të Iowa-s, në mes të  fushave të mbjella me misër, Microsoft ka të instaluara disa prej qendrave më të mëdha të ruajtjes së të dhënave. Në to, ChatGpt-4 punon pa pushim. Mes mundësive që kanë sjellë për banorët e kryeqytetit Des Moine, këto qendra u thithin atyre edhe një pjesë të mirë të ujit.

Qendrat janë në fakt magazina me file kompjuterike që elaborohen pa pushim. Falë kësaj, ChatGpt u jep përgjigje miliona përdoruesve në ditë.

E para është hapur në 2012. Toka në dispozicion në sipërfaqe të mëdha, punëtorë të specializuar, një rrjet i qëndrueshëm me fibra optike dhe mbi të gjitha energji të rinovueshme. Iowa ishte shteti perfekt për të ndërtuar qendrat e të dhënave dhe, siç ndodhi vite më vonë, për të nisur projektin e inteligjencës artificiale.

Në vitet në vijim u ndërtuan edhe katër qendra të dhënash të tjera, ndërkohë që tashmë është në diskutim ndërtimi i një të gjashte.

Nga 70 mijë banorë që ka zona, 300 punojnë në këto qendra. Ky numër është i destinuar të rritet.

Kur gjigantët e teknologjisë transferohen në një zonë të re, ndikimi mbi ekuilibrat socialë është i pritshëm. Për këtë arsye, Microsoft ka investuar 2.5 milionë dollarë në programet për komunitetin.

Megjithatë, ka kosto të fshehura për banorët. Para se të jetë social, impakti është ambiental. Në rastin konkret lidhet me dy lumenjtë që kalojnë pranë Des Moine.

Sipas një studimi të Universitetit të Kalifornisë, të cilit i referohet Corriere, për të vënë në punë inteligjencë artificiale si ChatGpt-3 duhen 500 mililitër ujë për çdo 10-50 përgjigje që i jepen përdoruesit. Për modelin pasues, konsumi do të jetë akoma më i madh.

Kjo do të thotë se, nëse 100 milionë përdorues javorë të ChatGpt do t’i shkruanin një pyetje të vetme, mund të konsumohen nga një deri në 5 milionë litra ujë. Praktikisht, një sasi sa ajo e një pishine olimpike do të zhdukej brenda një jave. Një përllogaritje kjo shumë poshtë realitetit, pasi e dimë se përdoruesit nuk bëjnë vetëm një pyetje në javë.

Sipas studimit, në vitin 2027, pritet të arrihet në një konsum vjetor mes 4.2 e 6.6 miliardë metër kub ujë. Pra, katërfishi i sasisë së ujit që konsumon Danimarka.

Vetëm në 2022, Google dhe Microsoft regjistruan një rritje të konsumit ujor respektivisht me 20% dhe 34%.

Uji nuk shkon vetëm për të prodhuar energjinë me të cilën punojnë kompjuterat. Serverat rrezikojnë të mbinxehen dhe uji hyn sërish në lojë. Dhe për këtë përdoret ujë i pijshëm, i cili mund të ishte në funksion të popullatës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.