Fundi i shtetit amë
Kryeministri Rama mbajti fjalimin e tij dhjetëmijëfjalësh për Kosovën më 12 tetor. Në të, me një ton që tejkalonte sugjerimin dhe nisej për në udhëzim, tregoi se si duhet të sillen udhëheqësit e Kosovës në negociatat me Serbinë, si ta përshkruajnë luftën e UÇK-së, si duhet të vlerësojnë figurat e së kaluarës (emër për emër) dhe çfarë fjalori duhet të përdorin kur të flasin për Gjykatën Speciale në Hagë.
Katër ditë më vonë, në Samitin e parë të Procesit të Berlinit, të mbajtur në një vend të Ballkanit Perëndimor, kryeministri Rama në Tiranë mbajti një fjalim shumë më të thukët. Nëse fjalimi për Kosovën ishte në stil e përmbajtje pjesë e lirikës kombëtare, në kufijtë e folklorit, ai në Samitin e Tiranës nga stili mund të kuptohet në empiriken analitike të faktit që në Planin e BE-së për rritjen e Ballkanit Perëndimor vetëm 10 për qind të mjeteve janë grante e 90 për qind janë hua apo se nga fondet tona “ fqinjët tanë të BE-së kanë marrë të paktën mbi 4.500 euro për frymë, ndërkohë që vendet tona marrin 138 euro për frymë dhe këto shifra janë një dëshmi fillestare e shkallës së frikshme të një ndarjeje klasore”.
Mbajtësi i fjalimeve është një njeri që beson në të dyja. Njërin e jep shqip e tjetrin anglisht, njërin audiencës vendëse e tjetrin asaj ndërkombëtare, por mbajtja e njëkohshme e dy besimeve, të dy sistemeve të vlerave që janë të konfrontuara mes vete përbën problem. Ky problem është më i madh kur ai që i mban këto dy besime e sisteme vlerash është kryeministri i Shqipërisë, pesha e fjalës të së cilit tejkalon në masë jopërpjestimore ato të institucioneve të sotme të vendit.
2.
Sfida e kryeministrit Rama mes dy fjalimesh është sfida e një kthese, edhe personale, edhe shtetërore, edhe kombëtare. Nga aspekti personal, Procesi i Berlinit është një ide e cila filloi në një bashkëbisedim të para gati njëdhetëvjetëshi mu të kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel për mënyrën e nxitjes së integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Tash, kryeministri Rama i kthehet Procesit të Berlinit, pas bredhjes disavjetëshe nëpër Minishengen dhe zbulimit të folklorit politik me Kosovën. Nga aspekti shtetëror, Shqipëria është dalluar prej pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse nuk ka qenë pjesë e konflikteve të papërfunduara identitare të zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Trekëndëshi Serbi-Kosovë-Bosnjë e Hercegovinë i konflikteve të papërfunduara u bë katërkëndësh me Malin e Zi, identiteti i të cilit po gërryhet prej brenda, ndërkohë që Maqedonia e Veriut përballet me pyetjet nga fqinjët lidhur me identitetin shtetëror - kombëtar. Tash, kryeministri i Shqipërisë është në fazë kur do të përcaktojë se çka dhe si përbën identitetin politik të Kosovës, duke u zhytur në gjashtëshen e sfidave identitare.
Nga aspekti kombëtar, Shqipëria ka qenë e njohur për kujdesin që të mos eksponohet si qendra politike e shqiptarëve; gjatë këtij shekulli problemi më i madh mes Shqipërisë dhe vendit me të cilin Kosova ende nuk e ka përmbyllur konfliktin, Serbisë, ishte fluturimi i dronit të Ballist Morinës në një stadium në Beograd. Tash, kryeministri i Shqipërisë citon pjesë të Kushtetutës, ku përcakton rolin e vendit të tij për kujdesin ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë dhe në emër të këtij obligimi se çfarë pritet të jetë sjellja e Kosovës.
3.
Problemi, natyrisht, nuk është kushtetues. Po, e vërtetë është se neni 8.1 i Kushtetutës thotë “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”, por një nen më herët, neni 5 thotë: “Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të”. Problemi është i asinkronisë, se jemi në shekullin tjetër e me koncepte të shekullit të kaluar. E drejta dhe detyrimi për të mbrojtur të drejtat kombëtare të shqiptarëve jashtë Shqipërisë qenë pjesë e Kushtetutës së fundit të shekullit XX, e ndërkohë në shekullin XXI Kosova u bë shtet. Si do t’i mbrojë Shqipëria të drejtat e shqiptarëve në shtetin sovran të Kosovës, i cili ka për obligim t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve të vet, shumica absolute e të cilëve janë shqiptarë?
Ky asinkronizim nuk ka të bëjë vetëm me Kushtetutën. Ka të bëjë edhe me një fenomen paradoksal të konceptit të “shtetit amë”. Gjatë një pjese të madhe të shekullit XX, me primesa mbijetese edhe tash, për shqiptarët e Kosovës, Shqipëria ka qenë - e për disa është - “shtet amë”. Por, me Republikën e Kosovës si shtet të njohur ndërkombëtar, për shqiptarët e Kosovës mbajtja e besimit të Shqipërisë si shtet amë do të thoshte se janë një pakicë kombëtare sui generis, pakicë kombëtare që përbën mbi 90 për qind të popullatës së shtetit të vet. Pas shumë vjetësh, një koncept i këtillë është rizbuluar në Shqipëri, dhe tonet e tij u shpërfaqën në fjalimin e kryeministrit Rama. Kriza e konceptit të shtetit amë është e zgjidhshme, me shuarjen e tij .
4.
Vlera e shtuar e politikave shqiptare në fund të shekullit të kaluar ka qenë koncepti i pluri-centrizmit, pra të njohjes se nuk ekziston një qendër shqiptare apo e shqiptarëve dhe se shqiptarët duhet të zhvillojnë interesat e tyre në shtetet e tyre, dhe brenda mundësive objektive të koordinimit. Ky model, i origjinuar në Kosovë u dallua prej modelit serb dhe kroat të etnocentrizmit gjatë zhbërjes së Jugosllavisë, dhe tregoi vitalitetin e tij në tridhjetë vjetët e fundit: shqiptarët në të gjitha shtetet ku janë shumicë, shumicë relative apo pakicë, janë më mirë se ç’kanë qenë ndonjëherë.
Ky model është në habitatin e vet të natyrshëm brenda Procesit të Berlinit, ku gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të shndërrohen në hapësirë të katër lirive evropiane, plus asaj evro-amerikane, lirisë nga frika. Shqiptarët, si shtylla stabiliteti në shtetet e tyre, shndërrohen në faktor thelbësor të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Pa mllef, pa imponime, pa udhëzime se si duhet të sillet tjetri.
Burimi: Koha Ditore
Comments
Jam dakord qe Tirana nuk ka
Jam dakord qe Tirana nuk ka asnje te drejte edukimi dhe udhezimi ndaj Prishtines, por fakti mbetet qe me mire te gjejme sa me shume ura te bashkimit kombetar.
BE dhe procesi i Berlinit duhen perqafuar, por nuk duhet harruar qe faktori i huaj per shqiptaret ka qene gjithmone thike me dy presa. Here thika na ka ndihmuar dhe here na ka prere neve. Te ardhmen e BE vetem nje zot e di, prandaj edhe nese perforcojme faktorin e brendshem, ate shqiptar ose Prishtine-Tirane, nuk eshte keq. Problemi eshte qe me Albinin ne Prishtine dhe Edin ne Tirane duket sikur serish ne vend te duarve dhe mendjeve tona, ne shqiptaret kemi vendosur te zgjedhim thiken me dy presa per mbrojtje.
Add new comment