Refuzimi i Kurtit sjell Lajçakun sërish në Prishtinë
Prishtina ka refuzuar ftesën për raundin e ri të dialogut teknik me Serbinë. Shefi i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovë-Metohi, Petar Petkoviç, ka thënë për Tanjug se ndërsa Beogradi e ka pranuar ftesën, Kosova ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e parashikuar për në 7 nëntor.
“Beogradi menjëherë iu përgjigj pozitivisht asaj ftese me email më 2 nëntor dhe shtoi se delegacioni ynë do të vinte në Bruksel për diskutime duke pasur parasysh rëndësinë e vazhdimit të dialogut drejt deeskalimit dhe stabilizimit të situatës në terren. Megjithatë, Prishtina dhe negociatori i saj Besnik Bislimi thjesht e refuzoi atë ftesë, prandaj më 3 nëntor u njoftuam nga BE-ja se takimi i nesërm në Bruksel thjesht është anuluar”, është shprehur Petkoviç.
Ndërkohë, refuzimi pritet të sjellë sot në Prishtinë ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak. Vizitën e ka konfirmuar për Koha Ditore, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Lajçak do të qëndrojë në Prishtinë më 6 dhe 7 nëntor, kohë gjatë së cilës do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, me kryenegociatorin Besnik Bislimi dhe me përfaqësues të opozitës në Kosovë.Ngecja e radhës në procesin e dialogut vjen në kohën kur në Kosovë po zhvillohet debat rreth draftit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Add new comment