17 miliardë lekë borxhe ndaj Sigurimeve
Borxhi i bizneseve ndaj Institutit të Sigurimeve, ka arritur në 17 milardë lekë në fund të vitit 2022.
Në raportin e auditimit të Kontrollit të lartë të shtetit, për periudhën 2021-2022, trendi i detyrimeve të prapambetura në Institutin e Sigurimeve Shoqërore shkon drejt rritjes, borxhe të cilat i përkasin mbi 109 110 subjekteve debitorë.
Në raport thuhet se 58% e debitorëve janë subjekte juridikë dhe 38% biznese të vogla.
KLSH argumenton se, numri i lartë i subjekteve me detyrime të papaguara, përfaqëson në mënyrë të drejtpërdrejt një numër të konsiderueshëm personash, të punësuar në këto subjekte, të cilët nuk mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore.
Për të administruar sa më mirë sigurimet shoqërore duhet që të bëhet mbledhja e detyrimeve që kanë subjektet për sigurimet shoqërore, duke qenë se kontributet e sigurimeve shoqërore, llogariten, deklarohen dhe paguhen brenda datës 20, të muajit pasardhës.
Në lidhje me mbledhjen e këtyre detyrimeve, ISSH pavarësisht se ka detyrë sipas statutit të saj, mbledhjen e të ardhurave nga kontributet e personave fizikë dhe juridikë, nuk ka tagër të plotë për të vepruar dhe ndërmarrë masa shtrënguese pasi menaxhimi i tyre kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Si edhe në institucionet e tjera, nga vëzhgimi, rezulton se Sigurimet nuk kanë kryer asnjë auditim në sistemet e teknologjisë së informacionit në lidhje me ruajtjen e aseteve apo integritetin e të dhënave duke rrezikuar kështu daljen e këtyre informacioneve nga Sigurimet.
Add new comment