Privatizimi i klubit sportiv “Partizani”, akuzat që rëndojnë mbi Berishën dhe Malltezin
Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin, Jamarbër Malltezi. Një ditë pasi policia ekzekutoi urdhrin e SPAK për arrestimin e Malltezit dhe njohu ish-kryeministrin me masën për detyrim paraqitjeje, organi i akuzës ka publikuar veprat për të cilat akuzohen tre të dyshuarit.
Objekti i hetimit është privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.
Për ish-kryeministrin, SPAK dyshon se, gjatë detyrës si kreu i qeverisë, ka ushtruar ndikimin e tij në mënyrë që përfitues i privatizimit të pronës shtetërore të bëhej bashkëshorti i vajzës së vet, Jamarbër Malltezi.
Shtetasi S. B., është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
- Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M.
- Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij.
- Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit J. M., në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit S. B., ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është:
· Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi J. M.
- Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi J. M.
- Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
E njëjta akuzë është ngritur edhe për Jamarbër Malltezin, icili sipas SPAK, duke shfrytëzuar pushtetin e ish-kryeministrit, ka arritur të përfitojë nga:
· Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi J. M.
- Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtpërdrejtë shtetasi J. M.
- Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
Ndaj Malltezit rëndon edhe një akuzë e dytë, ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm).
Personi i tretë i akuzuar është Fatmir Bektashi, ndaj të cilit rëndon akuza e korrupsionit aktiv. Dyshohet se Bektashi ka bashkëpunuar me Malltezin për të arritur shfrytëzimin e territoreve sportive për kryerje ndërtimesh.
Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar shtetasit J. M., dhënien e përfitimeve të paligjshme në shumën totale 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
Gjithashtu shtetasi F. B., dyshohet se ka konsumuar edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal në bashkëpunim me shtetasin J. M., pasi ka mundësuar nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. realizimin e fshehjes së origjinës së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit J. M., duke i paraqitur ato si të ardhura të ligjshme nga biznesi.
Add new comment