Vuçiç justifikon sulmin në Banjskë: Lindi nga nevoja për vetëmbrojtje
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka dhënë një intervistë për CNN, ku është pyetur për sulmin në veri të Kosovës dhe situatën e tensionuar atje. Vuçiç thotë në intervistë se gjithçka nisi nga nevoja e serbëve për t’u vetëmbrojtur, ndërsa jep një përgjigje përgjithësuese për «të gjithë ata që kanë kryer vepra kriminale».
I pyetur nëse Milan Radoiçiç do të përballet me përgjegjësinë që kërkon Bashkimi Evropian, presidenti serb tha: “Sigurisht, Serbia do të vërë para përgjegjësisë të gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale dhe që ne mund t'i gjejmë në territorin tonë… prokurorët do të bëjnë punën e tyre.”
Vuçiç dënon vrasjen e efektivit Afrim Bunjaku, por justifikon sulmin në Bansjkë.
“Unë nuk do të mbroj vrasjen e një polici shqiptar dhe nuk e kam bërë. Unë e dënova atë. Por unë po them se serbët po arrestoheshin pa akuza, kishte kontrolle në shtëpi, dëbime, shpronësime, gjithçka në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit”, shtoi ai.
I pyetur për gjestin e tenistit Novak Gjokoviç, i cili në maj të këtij viti, pas përplasjeve në veri të Kosovës, shkroi “Kosova është [zemra] e Serbisë. Ndaloni dhunën” në serbisht në objektivin e kamerës, Vuçiç tha se të njëjtën gjë besojnë 99% e serbëve. Por është detyra e politikanëve pragmatistë të dalin mbi nacionalizmin.
“Besoj se Novak Gjokoviç po thoshte diçka nga thellësia e zemrës. 99% e serbëve besojnë në këtë, por unë mund t'ju them një gjë, se ne politikanët duhet të jemi pragmatikë, racionalë, që do të thotë se duhet të gjejmë zgjidhje përmes procesit të negociatave, përmes qasjes konstruktive”, tha lideri serb.
Add new comment