Profesioni jashtë vendit më solli më  afër me Shqipërinë

Postuar në 01 Korrik, 2023 14:22
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

Ideja e intervistës me Ilir Çukon, regjisor, fotograf - dokumentarësh dhe producent – radioje, mori shkas nga ekspozita e tij e fundit në Athinë, me titullin “Life in Limbo”, kushtuar refugjatëve afganë, që u vendosën në Shëngjin, pas marrjes së pushtetit nga talibanët. Me Ilirin, nuk arritëm dot të takoheshim në Athinë, por rastësia e solli, që të ndeshemi në prezantimin e romanit të një bashkëmoshatari të tij në Tiranë, që porsi Iliri kishte emigruar në moshë të vogël dhe ndodhej për pak ditë në Tiranë.

Pas mbarimit të prezantimit të librit, dëgjoj Ilirin, që e shpotit me ton hokatar në greqisht “fajin s’e ke ti, por prindërit e tu, që s’të kanë mësuar shqip”. “Nuk më kish kaluar ndërmend, që do të vinte dita, që do të varesha profesionalisht nga zotërimi i shqipes”, më thotë ai. Ramë dakord, që të kryenim intervistën e shumëpritur një ditë më pas, në një lokal të qetë afër banesës së tij, në qendër të qytetit. Aty kuptova, që lidhja e Ilirit me Shqipërinë, shkonte përtej gjuhës e origjinës, dhe se krejt veprimtaria e tij e viteve të fundit, kishte kryeqendër, Shqipërinë. Duke marrë shkas nga veçoria e tij e rrëfimtarit profesionist, parapëlqeva, që ai të jetë në rolin e story-teller (treguesit) dhe pyetjet e mia të jenë të padukshme në tekst, në mënyrë që e gjithë vëmendja e lexuesit të përqëndrohet rreth rrëfimit të tij personal.

***

    Kur isha 6 vjeç, emigrova me prindërit drejt Greqisë. Para se të largoheshim, jetonim në Fier. Atje linda dhe u rrita. U larguam nga Shqipëria në tetor të 1996-s. Im atë kishte emigruar fillimisht në Greqi në ’91-n, por ikte e vinte gjatë gjithë kësaj kohe. Nuk kam shumë kujtime nga ajo kohë, mbaj mend, që na u desh të qëndronim një muaj familjarisht në Gjirokastër te tezja ime, derisa të na dilte viza greke. Për mua ishin si pushime, nuk kuptoja fiks çfarë po ndodhte. Ditën e ikjes, kur ishim në Kakavijë, erdhi daja im të na takonte dhe më dha si kujtim një dollar. Ende e ruaj. Destinacioni ynë ishte Athina. Përgjatë rrugës, kundroja me habi e admirim, dritat e shumta në autostradë. Mbaj mend prindërit, që bisedonin mes tyre, se do të ishte e vështirë, të na merrnin në shkollë. Kam dhe një motër, tre vjet më të madhe se unë. Në fillim, sa të gjenim shtëpi, qëndronim bashkë me disa miq të prindërve. Më pas, u vendosëm në Pire. Na ndihmonin shumë atëherë, na linin te dera e shtëpisë çanta me ushqime e rroba. E dinin, që ishim emigrantë. Kur shkova në shkollë, kisha veshur një palë atlete të kuq me roz, që normalisht ishin për femra, dhe më kujtohen fëmijët, që tregonin këpucët e mia dhe qeshnin. Atëherë u ndjeva shumë keq, por sot më duket gallatë, e gjej shumë progresive si zgjedhje.

    Filimi ishte i vështirë, më vonë reflektova, që na ndanin nga nxënësit e tjerë. Dy orët e para, nuk bënim mësim me fëmijët grekë, por na çonin në një klasë ekstra, që të mësonim greqishten. Qëllimi i shkollës apo Ministrisë së Arsimit, mund të ishte pozitiv, por sot, që e mendoj, më duket një akt jo shumë i mirë për psikologjinë e fëmijës, ngaqë të diferencon. Nëqoftëse donin, që të përparonim me gjuhën, mund të bëhej pas shkollës ose me kurse shtesë. Kur binte zilja e pushimit, fëmijët grekët dilnin më parë, ndërsa ne të tjerët dilnim nga një klasë tjetër, pas tyre, të fundit. Na shihnin çuditshëm, për më tepër, që ishim të huaj për ta. Shkolla është një vend shumë i ashpër. Sidomos kur mësuesit nuk janë të aftë të mbajnë balancat, bëhen gërshërë për një palë dhe krahë për palën tjetër. Racizmi që ndjeva në vitet e para të shkollës e gjer në adoleshencë, kishte edhe natyrë sociale, që lidhej me një pjesë të familjeve greke, por edhe institucionale. Shoqëria greke ka ndryshuar, më pak institucionet.   

    I adhuroj prindërit e mi, pasi falë atyre ndihem ky, që jam sot. Sikurse shumica e emigrantëve shqiptarë, sakrifikuan gjithçka për fëmijët e tyre. Na thoshin gjithmonë, “që ndodhemi këtu për ju”. Pak kohë pas mbërritjes sonë në Greqi, prindërit e mi gjetën një mësues, që të na ndihmonte me greqishten. Mësuesi im, Arian Bega, të cilin e adhuroj, qe emigrant i hershëm, i cili kishte kryer studime filologjike në Greqi.  Prindërit e mi e paguanin të paktën për një vit, që të vinte në shtëpinë tonë dhe të na jepte mësime greqishteje, mua dhe motrës sime. Është meritë e prindërve të mi, që me paratë e pakta që nxirrnin, kontribuan në arsimimin tonë. Mos të harrojmë, që flitet për vitin 1997-1998, një vit shumë i vështirë.  

    Kam mbaruar studimet në Greqi për shkenca mjekësore në nivel universitar dhe pasuniversitar dhe 24 vjeç, vendosa të iki në Gjermani.  Në 2014, kriza ishte ende e ndjeshme në Greqi dhe e dija, që nuk do arrija të plotësoja ambiciet e mia profesionale aty, desha të ikja jashtë. Dy vjet më parë, kisha marrë dhe pasaportën greke. Të qënit shqiptar në atë kohë, përbënte ende një problem, për t’u ngritur profesionalisht, ekzistonte një tavan. Ndihesha si të ndodhesha i mbyllur, brenda një kafazi. Mentaliteti, politika, shoqëria vendase, nuk kishin çfarë të më ofronin më. Ëndërroja të zhvillohesha, por e dija që në Greqi nuk kisha hapësirën, që më nevojitej. Aplikova për në Amerikë, në Australi, në Zvicër e në shumë vende të tjera, për të gjetur punë në fushën e shkencave mjekësore. Por, vetëm nga një kompani gjermane në Berlin, mora përgjigje pozitive. Ndërkohë, kisha filluar të mësoja gjermanisht në Institutin "Goethe" në Athinë dhe pas pranimit nga kompania, vendosa të shkoj në Berlin.  Kompania gjermane mori përsipër të më paguajë mësimet e gjermanishtes deri në nivelin B2 edhe qiranë e shtëpisë, me një kontratë të mbyllur dy vjeçare punësimi. Nëqoftëse nuk do të arrija të kaloja provimin e B2 brenda 6 muajsh, do duhej t‘i paguaja 6.000 € kompanisë. 6 muajt e parë, jetoja me 380€ në muaj. Asgjë nuk të falet në këtë jetë.

    Pasioni për fotografinë, lindi kur isha student. Jam rritur në një mjedis, që nuk tregonte ndonjë interes të veçantë për artin. Kur vajta në Berlin, kuptova që mund të bëhesha ai që ëndërroja. Falë qëndrimit tim në Berlin, mësova shumë gjëra. Në 2014-n, sapo kishte fillluar kriza e refugjatëve në Lindjen e Mesme. Më ka frymëzuar shumë fotografia e Enri Canaj, e një fotografi shqiptar shumë të njohur në Greqi e në nivel ndërkombëtar, edhe për shkak të pikëtakimeve të përbashkëta me Enrin. Në 2015-n, vendosa të bëj rrugën e Ballkanit, krejt i vetëm, tek-pull, që themi. Ishte një sfidë shumë e madhe për mua, desha të bëja një eksperiment, në doja në të vërtetë të merrem me fotografinë. Fluturova nga Berlini në Selanik dhe kam ecur për dy javë rresht me refugjatët nga Selaniku deri në Budapest, për të ndjekur itinerarin e tyre.

   Isha 25 vjeç dhe desha te kuptoja, nëse fotografia, ishte përtej një pasioni të thjeshtë për mua. Pas këtij udhëtimi, u bëra më i vetëdijshëm, se përvoja që mora, emocionet që lindën nga e gjithë kjo, ishin shumë më të rëndësishme, se sa një punë e qëndrueshme 8-orëshe dhe pas mbarimit, kthim në shtëpi. Në 2016-n aplikova të Universiteti i Hanoverit për gazetari  fotografie e dokumentari. Pavarësisht se më pranuan, nuk mund të paguaja studimet. Ndërkohë punoja në spital dhe plani im ishte të mblidhja para, të jepja dorëheqje, që të mundesha të studioj. Ajo ishte shkollë elitare dhe shumica e studentëve që ishin aty, nuk kishin stresin e mbijetesës ose të kursimit. Në 2017-n, Enri Canaj ishte kandidat për t‘u bërë pjesëtar i agjensisë më prestigjoze në botë, Magnum Photos dhe më propozoi, që ta ndihmoja në udhëtimin e tij në Europë. Pasi filloi të pakësohej fluksi i madh i emigrantëve, Enri ishte kurioz të ndiqte se çdo të bënin këta emigrantë pas mbërritjes së tyre. Donte ta fillonte nga Gjermania. Dhe kështu, u bëra asistenti i tij. I kemi rënë Europës cep më cep me Enrin, për dy vjet. Para një viti, u botua libri i tij me fotografi të asaj periudhe. Ato dy vjet, që punova me Enrin, e lashë shkollën e fotografisë. Shkolla më e mirë për mua, ishte ajo eksperiencë dyvjeçare, që punova me Enrin. Aty mësova tamam fotografinë.  

    Në 2018-n, bëra reportazhin tim të parë si fotograf mbi gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline (TAP) për gazeta gjermane, austriake edhe zvicerane. Bashkë me kolegen time, mbuluam Greqinë e Shqipërinë, nga vendet e TAP. Reportazhi ynë u fokusua tek impakti mjedisor i gazsjellësit te banorët e zonat, nga do të kalonte TAP-i. Ndërkohë, e vazhdoja punën në spital. Nga viti 2018 e më pas, ndërtoja strategjinë time, pasi besoja, që karriera nuk është fat, por plan strategjik, dhe fati luan rol 10% e shumta. Gjithçka tjetër, është plan strategjik, never quit (mos u dorëzo kurrë), beso te vetja, ëndërro dhe durim, durim, durim në maksimum.

    Bëj të paktën, gjashtë dokumentarë në vit. Reportazhi, që i dha hov karrierës sime, lidhet me një histori shumë interesante, që zbuluam bashkë me kolegen time Lena von Holt. Tema kishte të bënte sërish me emigracionin, por me emigracionin brenda një shteti, emigracionin e brendshëm të banorëve të zonës së Donbas-it në Ukrainë, që u detyruan të braktisnin fshatrat e tokat e tyre për shkak të konfliktit ruso-ukrainas. Në vitin 2014 u shpërngulën në zonat afër Çernobilit, ku për shkak të frikës së radioaktivitetit ishin zona të braktisura dhe aspak të kushtueshme. 200 familje, e filluan jetën nga zeroja, afër Çernobilit, duke i dhënë kësaj hapësire jetë e begati. Qëndruam atje dy javë dhe gjeta një ngjashmëri të madhe me ne shqiptarët. Ishin njerëz të ngrohtë, të varfër, por shumë mikpritës, tavolinën e kishin plot. Reportazhi “Starting Over: From the Donbas to Chernobyl” nuk ishte reportazh tipik, por print story (histori e printuar e reportazh për radion publike gjermane dhe për revistat e hapësirës gjermanofone). Punën time e dërgova pastaj në disa konkurse, ku ndër 300 konkurrues, u përzgjodha në 5 finalistët për çmimin “New East Photo Prize”, që jepej nga Londra. Për reportazhin tim, shkruajtën edhe gazeta të rëndësishme, si “The Guardian”. E njëjta punë, fitoi çmim në Festivalin e fotografisë në Finlandë, në Kopenhagen, dhe udhëtoi si ekspozitë në shumë vende.

    Që të mund të largohesha në Ukrainë, mora një raport mjekësor të rremë për dy javë, se nuk më jepnin leje nga puna ime në spital. Dhe ky ishte risk shumë i madh, pasi nëse më do të më ndodhte diçka në Ukrainë, përveçse që do të humbisja punën, do të gjobitesha me një shumë të majme nga siguracioni im shëndetësor në Gjermani për mashtrim. Sot, nuk do ta bëja, por atëherë isha më i ri, të merr ajo rryma emocionale që të arrish gjëra, je më naiv. Por është risku, po mbete në kolltuk, Zoti s’do të bëjë asgjë për ty. Është si puna e anijes, që nuk mund të qëndrojë lidhur në port, do përplaset edhe me dallgët, por do ta përkëdhelë edhe dielli.

    Që prej shtatorit te vitit 2021, vendosa të qëndroj pjesërisht në Tiranë. Një nga arsyet lidhej me rritjen e interesit për Ballkanin. Kam një avantazh shumë të fortë, që di shqip, gjermanisht, greqisht, anglisht. U jam shumë mirënjohës prindërve të mi, që nuk bënë gabimin, unë e konsideroj gabim, të flisnin greqisht me ne në shtëpi. Nuk e them për arsye patriotike. Prindërit më dërgonin çdo vit për pushime në Shqipëri. Shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe e kam mësuar nga anglishtja, mësova anglishten dhe pastaj fillova të lexoj e të shkruaj në shqip. Prindërit më jepnin ndonjëherë gazetën shqiptare të Athinës, që ta lexoja me zë.

    Jam ambasador i një reviste që quhet “Are We Europe”, e cila kishte “ambasadorë” për të mbuluar reportazhe nga gjithë Europa, por s’kishte askënd në Shqipëri. Ishte e vështirë për mua në fillim të merrja vendimin të vendosesha një pjesë të kohës në Shqipëri dhe të jetoja midis Berlinit e Tiranës, po shkoja kundra rrymës, por horizonte të reja profesionale po hapeshin për mua në atdheun tim. Një koleg në Berlin më tha:

Ti edhe brezi yt, duhet të bëheni  ura mes Shqipërisë e vendeve te Europës. Sepse ju jeni brezi i parë shqiptaro-europian. Është një shprehje në greqisht: "Αν δεν παινέψεις το σπίτι σου, θα πέσει να σε πλακώσει". (Nëse s’lëvdon shtëpinë tënde, do bjerë e do të të pllakosë)

Shqipëria dhe gjithë Ballkani, ndonëse kanë ende shumë hapësirë për t’u përmirësuar, kanë dhe mjaft arritje. Qesh kur krahasohen Shqipëria me Gjermaninë ose me Suedinë. Kur në këto vende nisi revolucioni industrial, ne akoma jetonim në kushte bio. Tani që Gjermania po e kalon post – materializmin, ne kemi rënë në dashuri të thellë me materializmin. Por, gjithçka është një proces. Une shikoj shumë ndryshime, dhe me disa prej tyre, gëzohem shumë. Patjetër, që jo çdo ndryshim është për mirë.      

    Reportazhet e mia kanë natyrë social-politike. Një ndër dokumentarët e fundit që kam realizuar, ishte për Arte TV, televizionin franko - gjerman, me dy protagonistë. Një infermiere në Tiranë, që mëson gjermanishten, ngaqë do që të iki në Gjermani dhe një infermier 35 vjeç, që jeton në Lekbibaj, i cili ecën tre orë të paktën në këmbë, me valixhen e tij të vogël me ilaçe, për të vizituar pacientët e tij në fshatra të ndryshëm. Ai vendos të qëndrojë në Shqipëri, për arsyet e tij. Kurse vajza vendos të largohet, po për arsyet e saj. Ajo që dua unë të tregoj, është se çdo zgjedhje ka dy anë të medaljes, se çfarë do të kuptojë e çfarë do të marrë shikuesi nga këto histori, është subjektive. Dokumentarët i bëj në gjuhën gjermane bashkë me  bashkëshorten time gjermane.

    Për mua është interesante, që jetoj në Shqipëri, pasi njoh më mirë edhe vendin, edhe njerëzit. Udhëtoj shumë në Shqipëri dhe më pëlqen shumë, sepse zbuloj vendin ku kam lindur dhe kam rrënjët e mia. Përveç Shqipërisë, reportazhet e mia mbulojnë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën , Maqedoninë e Veriut si edhe Greqinë. Dokumentari i parë që kam bërë në Serbi, ka qenë për feminizmin, i dyti në lidhje me mbështetjen e serbëve ndaj rusëve me luftën në Ukrainë për radion gjermane e austriake, dhe i treti mbi një grua, për gazetën zvicerane Republik, që humbi burrin e vet, kur NATO bombardoi Serbinë. Kam qenë dy herë në Mitrovicë, në të dy anët e urës dhe kam bërë reportazhe në lidhje me forcat e NATO-s, jetën në veri të Kosovës, si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët.

    Më pëlqen shumë Ballkani, jemi të gjithë ballkanas. Shikoj shumë ngjashmëri mes popujve të Ballkanit dhe është e trishtë, që nuk arrijnë të mësojnë nga e kaluara e të shohin përpara. Në dokumentarët e mi jashtë Shqipërisë, prezantohem si regjisor shqiptar dhe jo si gjerman. Thuhen shumë gjëra në media për rajonin e Ballkanit, një pjesë sigurisht, që është ashtu si i tregojnë, por në nivel më personal, klima mes vendeve të Ballkanit, nuk është kaq ekstreme. Përthyesi jonë i dokumentarit në lidhje me demonstratat në Serbi pro Rusisë, ishte kosovar. Ai përkthente për ne në shqip dhe në serbisht për burrin serb, që ishte në pararojë të këtyre demonstratave. Në një moment, më thotë burri serb “nuk gjetët njeri tjetër, kosovar sollët, që të përkthejë?” “Kolegët serbë kanë frikë nga ty, kështu që erdha unë, është ok për ty?’’, i përgjigjet përkthyesi kosovar.

                                              Në kohën që 2000 afganët, mbërritën në Shqipëri, më pyetën nga gazeta prestigjoze e zvicriane "NZZ", nëse ndodhesha në Tiranë për të bërë një reportazh. Vajta në Hotel “Rafaelo”, kishin dy ditë që kishin mbërritur, të përlotur, të emocionuar, por edhe të lumtur, se kishin parë fotografi të refugjatëve në Europë, që rrinin nëpër çadra dhe këtu i kishin në një hotel me pesë yje. Për mua ishtë një ndjesi që s’e kisha përjetuar më parë, hera e parë që u ndjeva mirë për mikpritjen që u bënë në vendin tim. Shqipëria famëkeqe, po bëhej këtë herë e njohur për mirë, që i shpuri refugjatët në një hotel të tillë. Bashkë me kolegen time austriake që jeton në Tiranë, Franziska Tschinderle, kontaktova revistën më të madhe të Gjermanisë, "DIE ZEIT" dhe i propozova, që të qëndroj për një vit te hoteli, të vërej jetën e tyre; të shkoja çdo muaj aty për një javë e të shihja se çfarë ndodhte.

Ndërkohë, më kontakton një kolege gjermane, e cila do të shkonte në Afganistan dhe më pyeti, në desha ta shoqëroja. Dy javë që qëndrova aty, nuk patëm probleme. Kabuli ra në gusht të 2021, ne vajtëm në tetor. Takova shumë intelektualë vendas, që na pritën shumë mirë. Fokusi ynë në Afganistan, ishin të drejtat e grave, por edhe jeta e artistëve nën regjimin taliban. Shoferi dhe përkthyesi, që ishte dhe gazetar, organizonin takimet tona me afganet - intelektuale, që donim të takonim. Të gjitha intervistat u bënë në vende të mbyllura. Morëm leje nga Ministria e Jashtme afgane, por nuk u thamë konkretisht për çfarë projekti bëhet fjalë. Më tepër duan të dinë kush je dhe kohën e qëndrimit. I realizuam projektet tona me sukses. Gratë afgane ishin të admirueshme për forcën dhe shpirtin e tyre luftarak, nuk hiqnin dorë nga ëndrrat e tyre. Nga ana tjetër, mendonin që po t’u publikohej emri e t’u krijoheshin probleme, ndoshta dikush do mund t’i ndihmonte, që të iknin nga Afganistani. Një risk shumë i madh, ndoshta edhe naiv, por sigurisht një vendim nga dëshpërimi i momentit. Pastaj s’dilja dot më nga Afganistani, pasi e kishim në plan të dilnim nga Uzbekistani, sikurse dhe u futëm, por Uzbekistani mbylli kufijtë. Me ndihmën e Ambasadës greke në Moskë e Islamabad, dola nga Afganistani.

    Ekspozita “Life in Limbo”, mbi refugjatët afganë në Shqipëri, u hap fillimisht në Tiranë, në tetor të 2022-it, në Tulla Center, në kuadrin e tetorit gjerman, me kuratore Adela Demetjan. Hera e parë për mua, që bëja ekspozitë në Shqipëri. Dhe që te jem realist, nuk kam shumë njohje dhe nuk më njohin në Shqipëri. Eshtë shumë normale për dikë që ka ikur 6 vjeç e kthehet 31 vjeç, me karierrë jashtë Shqipërisë. U lumturova shumë, që erdhën gjithë ata njerëz për të më mbështetur mua e kolegen time Franziska. U jemi shumë mirënjohes atyre, që na nderuan me prezencën e tyre, sikurse edhe Institutit Friedrich Ebert Stiftung në Tirane, DAAD, e Ambasadës gjermane, që na e mundësuan këtë ekspozitë. Nga fundi i verës, kur isha te "Galeria e Bregdetit“ në Vlorë, njoha Dionisin, një artist edhe pedagog i arteve greke, që ka dhe galerinë Space 52 në Athinë. Dionisi ndodhej në Vlorë për ekspozitën e tij. Brenda një nate, ramë dakord për të gjitha. Na mori disa muaj që të gjejmë fonde, por më në fund me ndihmën e Institutit Heinrich Boll Stiftung të Selanikut dhe mbështetjen e Ambasadës shqiptare të Athinës, si edhe të Friedrich Ebert Stiftung në Athinë, arritëm që ta shpiem ekspozitën edhe në Athinë. Qëndroi e hapur për një muaj për publikun dhe një ditë pas çeljes së ekspozitës, u mbajt dhe një diskutim me gra nga Afganistani, që ishin azilante në Athinë, një politikane, një prokurore, një avokate dhe një gjyqtare.

     

    Projekti “Life in Limbo”, u pasqyrua në gazeta të rëndësishme, si “The Washington Post” ne Amerike dhe në revistën “DIE ZEIT MAGAZIN”, por edhe në gazetën greke “Kathimerini”, etj. Ekspozita përmbante një përzgjedhje fotografish – dokumentare nga përditshmëria e refugjatëve afganë gjatë periudhës së qëndrimit të tyre në Hotelin Rafaelo (2021-2022), bashkë me disa video të pamontuara, që i kisha filmuar kur isha në Afganistan. Publikimet dhe ekspozita, ishin thjesht fundi i udhëtimit. Per mua ngelen kujtimet, momentet e bukura dhe sfidat, që kalova me gjithë ata njerëz në Hotel. Kjo është magjia e kësaj pune. Për një periudhë të caktuar, bëhesh pjesë e jetës së disa njerëzve. Të gjitha këto eksperienca, të mësojnë aq shumë për veten. Jam shumë i lumtur, që 90% e shokëve të mi afganë sot, janë në Kanada e Amerike. Deshiroj t‘i vizitoj një ditë. Më mungojnë herë pas here. Flasim në telefon e më thonë, që u mungon Shqipëria. Sidomos njerëzit, shqiptarët domethënë.   

    Kam  një seri dokumentaresh në zhvillim. Njëri prej tyre flet për një qendër trajnimi në Pejë, ku femra e meshkuj ukrainas stërviten për demolimin e minave. Kosovarët kanë shumë eksperiencë me minat ruse dhe trajneri i tyre Hekuran Dula, i cili ka qenë 19 vjeç gjatë luftës në Kosovë, është i njohur përtej kufijve të Kosovës. Në Bullgari kam diçka tjetër dhe në Shqipëri sa perfunduam një dokumentar për detin Adriatik për televizionin Arte Tv. Shqipëria ka natyrë fantastike. Por, po nuk u kujdesëm, kjo bukuri mund të shkatërrohet. As turistat nuk do të vijnë me qejf, nëse plas betoni gjithandej! 

    Më pëlqen Tirana se është metropol, por njëkohësisht edhe katund. Ekzistojnë hapësira kulturore, por artistët kanë nevojë për mbështetje financiare. Arti nuk mund të zhvillohet pa mbështetjen e institucioneve shtetërore, fondacioneve e sektorit privat. Ka shumë artistë të huaj, që vijnë në Shqipëri të frymëzohen dhe është shumë i nevojshëm shkëmbimi kulturor me vendet e tjera.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.