Akuzat e reja për Donald Trump dhe pasojat për Amerikën

Postuar në 16 Qershor, 2023 14:39
Intervistoi: Skerdilajd Zaimi

 

Donald Trump është sërish Lajm. Jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën. Arrestimi i tij në emër të 37 akuzave federale, përfaqëson një akt të paprecedentë për politikën amerikane, me implikmet në shkallë të gjerë. Kjo sepse ndalimi i një njeriu politik të këtij niveli e kontrakton në maksimum analizën e asaj që quhet Drejtësi dhe zbatim ligji, sidomos kur subjekti është vetë tipologjikisht aktor i relativizimit të ço gjëje.

Për të sqaruar diçka mbi atë që ka ndodhur dhe kontekstin politik në të cilin ky akt është konsumuar, kemi pyetur z. Ernest Nasto, njohës i zhvillimeve politike amerikane dhe i pranishëm prej një kohe në mediat shqip me analiza dhe qëndrime për këto tema.

Z. Nasto, këto ditë u ofrua një pamje unike mund të themi, arrestimi i një ish-presidenti të SHBA. Si është komentuar ky akt dhe sa pritej që të ndodhte?

Po, është e vërtetë që kjo është një ngjarje e pandodhur kurrë më parë, duke përfshirë këtu edhe vënien e Donald Trump nën akuzë në fund të marsit të kalur nga prokurori i Manhattan. E theksoj këtë sepse ka një ndryshim themelor ndërmjet dy akuzave: e para ishte në rang shteti, sipas ligjeve të shtetit Neë York, ndërsa kjo e dyta është federale, pra e ngritur nga një prokuror i posaçëm i emëruar nga Departamenti i Drejtësisë dhe që mbështetet në ligjet federale. Dhe duhet pasur parasysh se në sistemin ligjor amerikan drejtësia federale ka si objekt krime që konsiderohen më të rënda se sa ato që ndiqen nga ligjet e shteteve të veçanta. Nëse rasti i parë e futi vendin në një terren ligjor të panjohur sepse askurrë më parë s'ishin ngritur akuza të çfarëdolloji kundër një presidenti apo ish-presidenti, kjo e dyta shënon një përmase të re pështjellimi sepse akuzat janë federale.

E tëra kjo pritej të ndodhte qëkur u bë e njohur se drejtësia federale kishte filluar një proces hetimor lidhur me administrimin dhe keqpërdorimin e një sasie të madhe dokumentash sekrete të cilat ish-presidenti i kish marrë me vete në mbarim të mandatit të tij. Dokumenta të tilla iu gjetën në fakt edhe presidentit Biden e ish-zv.presidentit Pence por këta, në ndryshim nga Trump, i dorëzuan ato menjëherë.

Sa për komentet do të thosha se ajo që bie në sy është se shumica e tyre janë tepër të politizuara, gjë që përputhet me politizimin e skajshëm të situatës në vend për të cilën kam folur edhe më parë. Nga ana e demokratëve vërehet një paradë komentesh që sillen vetëm rreth pikave si "Trump e meriton këtë" apo "askush s'është mbi ligjin" dhe vetëm në pak raste shihet shqetësim për pasojat që një proces dhe dënim i mundshëm i Donald Trump do të kishte për vendin.

Në disa raste është shfaqur prej tyre edhe një vetëkënaqësi të cilën do ta quaja malinje, e personifikuar nga vetë Hillary Clinton e cila menjëherë filloi të ofronte online kasketa e xhingla të tjera me mbishkrime që aludonin hetimin e dikurshëm të e-maileve të saj nga FBI. Dihet se ai hetim nuk përfundoi në akuza kriminale ndaj ish- Sekretares së Shtetit, ndoshta vetëm për arsye se ajo quhej Clinton, por kjo s'mund t'i japë të drejtë të tallet me situatën e sotme që është në një masë të madhe edhe pasojë e e-maileve në fjalë

Ndërkaq reagimet që kanë më shumë rëndësi janë doemos ato të republikanëve, sepse i akuzuari është jo vetëm nga radhët e partisë së tyre, por edhe konkurenti më popullor për të marrë emërimin zyrtar si kandidat i asaj partie në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Për fat të keq edhe ndërmjet republikanëve mbizotërojnë reagime të skajshme, me prirje për t'i hedhur poshte akuzat në tërësi, dhe vetëm me pak zëra të arsyeshem që të bëjne thirrje për maturi.

- Janë 37 akuza, katër hetime, përqendruar kryesisht në keqpërdorim të informacionit të klasifikuar. Mediat shkruajnë se nëse dënohet për të gjitha Trump rrezikon 100 vjet burg dhe gjoba milionëshe. Politikë apo drejtësi sipas jush?

Po, kjo është e dyta ndër të katër hetimet e hapura paralelisht ndaj tij, përveç asaj të Manhattan që përmendëm. Dy të tjerat janë ende të papërfunduara dhe kanë të bëjnë me presionin për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve të 2020 në shtetin Georgia si dhe me rolin në ngjarjen e 6 janarit 2021.

Për këtë që po flasim duhet thënë para së gjithash se duket se akt-akuza është e rëndë dhe prokurori ka përdorur Ligjin për Spiunazhin të kaluar më 1917. Ky ligj është cilësuar nga mjaft ekspertë si jo korrekt; edhe presidenti Wilson në kohën e të cilit ai u miratua, e përdori atë kryesisht për të hequr qafe kundërshtarët e përfshirjes amerikane në Luften e Parë Botërore. Megjithatë ligji ka mbetur në fuqi për arsye të ndryshme, pra është ai që është. Por në këtë rast akuzat e rreshtuara në aktin e padisë janë flagrante dhe të bëjnë të mendosh se ligji vërtet është shkelur, duke pasur këtu parasysh se ato janë në përputhje të plotë me karakterin e të akuzuarit. Me këtë dua të them se nëse akuza të tilla do të ngriheshin ndaj ndonjë personaliteti tjetër republikan p.sh. të tipit të Mitt Romney apo Mike Pence, atëhere pozicioni fillestar duhej të ishte skepticizmi i thellë, sepse kjo do të ishte tërësisht jashtë karakterit të tyre. Ndërsa për Trump kjo është e besueshme mbështetur në tiparet e karakterit të tij të treguara qartë gjatë tërë jetës së tij publike: narcisizmin e thellë, mospërfilljen për asgjë dhe askënd tjetër përveç vetes së tij, mungesën e çdo lloj parimi moral përveç besnikërisë ndaj vetes, etj. Edhe personalitete që u shprehën se akuzat në hetimin në Manhattan ishin të ekzagjeruara, si p.sh. ish-Prokurori i Përgjithshëm Bill Barr, mendojnë se këto të rejat janë serioze.

Ndërkaq përsa i përket raportit ndërmjet politikës dhe drejtësisë, secila anë e spektrit politik ka adoptuar një pozicion të caktuar: republikanët thonë se kjo është tërësisht politike, ndërsa demokratët thonë se kjo është tërësisht drejtësi. Skajet dihet se kanë gjithmonë prirje ta shtrembërojnë e ta errësojnë realitetin, por këtu dua të ndalem pak më hollësisht tek disa qendrime republikane, sepse siç thashe ato kanë më tepër rëndësi.

Një grup i madh syresh, senatorë e kongresmenë, po bëjnë deklarata krejt të papërgjegjshme apo haptazi manipulative të cilat janë padyshim të dëmshme në atmosferën e ndezur politike të vendit. Emblematike ishte p.sh. ajo e senatorit Josh Hawley, i cili deklaroi se "nëse pushtetarët mund të burgosin kundërshtarët e tyre politikë si t'u teket, atëherë republika jonë ka marrë fund". Kjo është e drejtë vetëm si parim i përgjithshëm, sepse asgjë e tillë s'po ndodh në rastin Trump. Askund nuk flitet për burgosje, pavarësisht se akuzat e parashikojnë, sepse me siguri ai s'do të përfundojë atje edhe nëse do të gjendet fajtor nga gjykata. Por më e rëndësishmja është se në sistemin amerikan pushtetarët s'kanë asnjë mundësi ta burgosin Trump edhe sikur këtë ta kishin ëndrrën dhe pasionin e vetëm të jetës së tyre. Përse e them këtë?

Sepse ish-presidenti s'është akuzuar nga "pushtetarët" por nga një juri e posaçme e përbërë nga qytetarë të zakonshëm. Më tutje ai, ashtu si çdo amerikan nën akuzë, duhet të kalojë një proces të rregullt gjyqësor, prokurori duhet të sjellë prova duke u mbështetur në ligjin përkatës, e në fund farë duhet të bindë unanimisht një juri tjetër si edhe gjyqtarin. Kështu funksionon shteti i së drejtës në republikën amerikane dhe senatori me diplomë nga Yale s'mund të mos e dijë këtë. Por Hawley, ashtu si shumica e personaliteteve republikane që kanë dalë me deklarata të ngjashme, dëshiron që audienca e tij të mendojë pikërisht të kundërtën d.m.th. që procesi i rregullt dhe zbatimi i ligjit po shkelen, dhe se këta republikanë, me në krye Donald Trump, janë të vetmit që ja kanë dalë të ruajnë integritetin në një "republikë bananesh".

Një nëngrup shumë interesant ndër republikanët përbëjnë ata që kanë shpallur kandidaturën për president dhe kështu do të jenë kundërshtarë të Trump në fushatën primare brenda partisë. Me përjashtime të vogla, si ai i ish-governatorit Chris Christie, ata e kanë dënuar procesin kundër Trump dhe kanë akuzuar administratën për politizim të drejtësisë. Duket se ata po bëjnë llogaritje politike gjë që është e kuptueshme, sepse figura si Ron DeSantis, Nikki Haley, Tim Scott apo Mike Pence nuk shtyhen nga ndonjë besnikëri apo simpati personale për ish-presidentin në reagimet e tyre. Ata thjesht u tremben votuesve MAGA dhe mbrojtësve zulmëmëdhenj të Trump në televizione e media të tjera.

Rezultati i pozicionit të këtyre kandidatëve, që dëshirojnë të marrin postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, është kësisoj krejtësisht paradoksal: ata janë gati të delegjitimojnë qeverinë që duan të drejtojnë nesër për të mbrojtur Trump, duke menduar njëkohësisht se ky s'duhet të jetë president. Me fjalë të tjera ata thonë se sundimi i ligjit ose nuk ekziston në këtë vend që ata pretendojnë se e duan, ose se ai sundim duhet të pezullohet për të mirën e kundërshtarit të tyre primar.

Por ata nuk sjellin ndonjë provë për këtë, përveç faktit që Trump akuzohet për një krim, për çfarëdolloj krimi. Ata nuk është se i mbrojnë veprimet e tij aktuale, por nisen nga premisa retorike dhe politike se i gjithë faji bie mbi akuzuesit e Trump, sikur ky vetë s'ka kurrë ndonjë rol në tërë këtë histori. Dhe është për të ardhur keq që ata s'arrijnë as të thonë të paktën diçka si p.sh. "ndjekja penale e një ish-presidenti është vërtet e tepërt, Departamenti i Drejtësisë është i politizuar, por nga ana tjetër Amerika s'mund të ketë një president që t'ua bëjë gjërat kaq të lehta kundërshtarëve tanë. Apo se Trump vërtet s'është kriminel, por është kriminalisht i pakujdesshëm, prandaj Amerikës i duhet një president që t'ua vështirësojë punën rivalëve dhe armiqve tanë, jo t'ua lehtësojë.” Fakti që ata s'arrijnë të artikulojnë edhe një pozicion të tillë minimal dëshmon edhe një herë ndikimin e jashtëzakonshëm të fraksionit MAGA në rradhët republikane.

- Trump është Trump siç e dimë dhe ka patur shumë media që papërgjegjshmërinë e lidhin me figurën e tij. Mirëpo edhe presidenti aktual Biden duket se ka probleme shëndeti që vënë në diskutim përgjegjshmërinë e tij në detyrë. Si u mbërrit në këtë kaos dhe thuajse degradim të imazhit të një vendi që përgjithësisht është parë se funksionon mbi baza të tjera institucionale dhe strategji afatgjata?

Siç thashë më lart, karakteri i Trump është i tillë që ai ua lehtëson vetë punën prokurorëve, dhe me veprimet e tij duket sikur i provokon e u thotë "hajdeni e më kapni po mundët!".

Kështu ai ka ofruar vetë disa shpjegime që kundërshtojnë njëri-tjetrin për atë që ka bërë, gjë që lë vend për dyshime se ai është fajtor. Dihet se nëse dikush akuzohet për një krim të caktuar dhe jep justifikime të tilla atëherë është zor që ato të merren shumë seriozisht. Dhe në fakt Trump ka paraqitur versione të të gjitha këtyre, që nga "provat ishin të sajuara e të stisura nga FBI", deri tek "sigurisht që e bëra sepse ishte kompetenca ime". Personat e pafajshëm zakonisht nuk veprojnë kështu sepse ata kanë të vërtetën dhe i përmbahen asaj pa pasur nevojë ta ndryshojnë historinë herë pas here.

Këtu duhet shtuar edhe zakoni i tij prej fabulisti të regjur, për të thënë gjëra ashtu si i vijnë, pa asnjë bazë në realitet, edhe pse avokatët e tij janë munduar vazhdimisht ta frenojnë. Prandaj edhe nëse mendojmë se procesi është krejtësisht politik, s'mund të mos pranojmë faktin se Trump e bën të lehtë për "Shtetin e Thellë" ta vërë në shënjestër, për shkak të marrëzive të tij të panumërta, që s'mund të justifikohen në asnjë mënyrë. Trump rezulton kësisoj armiku më i madh i vetes së tij dhe ndodhet para ligjit për gjëra që ai ka bërë, jo për gjëra që s'ka bërë.

Sa për presidentin Biden mund të thuhet se ai nuk është aspak një figurë frymëzuese, megjithëse në mënyrën e tij është përpjekur të bëjë diçka me miratimin e disa ligjeve të dobishme si ai për infrastrukturën, për inflacionin etj. Por ato janë kaluar pa u vënë re për shkak edhe të përuljes së tij pa kushte ndaj presionit të krahut të majtë, të ashtuquajtur progresist, të partisë së tij në të gjitha aspektet e luftës kulturore si, promovimi i axhendës transgjinore, qëndrimi i butë ndaj krimit dhe papërgjegjshmëria pothuaj totale në çështjen e imigracionit dhe të (mos)sigurimit të kufirit jugor. Kuptohet që mosha e tij e avancuar, gjendja shëndetësore dhe mënyrat e reagimit në publik nuk e ndihmojnë aspak, dhe këtyre u shtohet edhe mbajtja rreth vetes e disa figurave krejt të paafta, me në krye zv. presidenten Harris.

Vërtet është për të ardhur keq që politika amerikane s'ka qenë deri tashti e aftë të nxjerrë personazhe të reja por rrezikon të përsëritë cirkun e 2020 me të njëjtën dyshe, Trump dhe Biden, të dy në moshë të shtyrë, mbi 75 vjeç dhe të dy tepër problematikë. Asnjeri nuk ofron atë që kërkojnë amerikanët: i pari flet vetëm për "viktimizimin" e tij nga sistemi, ndërsa tjetri mendon se e ka të sigurt rizgjedhjen vetëm ngaqë nuk quhet Trump. Prandaj s'është e rastit që vetëm një pakicë votuesish dëshirojnë që ata të jenë përsëri kandidatë: 35 përqind për Trump dhe 25 përqind për Biden.

Ndërsa për arsyet e kësaj pike të ulët të situatës politike amerikane kuptohet që kjo përbën një temë gjerë e të veçantë, por mund të përmend këtu kalimthi disa arsye si: rritja me ritme të përshpejtuara e pabarazisë ekonomike prej 1980, globalizimi i skajshëm që solli dobësimin e kohezionit social, rritja e diversitetit etnik, racor e fetar që bëhet doemos burim tensionesh, përqafimi i politikave identitare prej të dy partive por në mënyrë të theksuar prej demokratëve, e të tjera.

Do të shtoja këtu në mënyrë të veçantë edhe mediat sociale me ndikimin e tyre negativ tek një brez i ri që s'ka njohur asnjë lloj sakrifice. Të gjitha këto sjellin bjerrjen e nivelit të besimit në shkallë shoqërie d.m.th. të supozimit se motivacionet e bashkëqytetarëve tanë janë po aq pozitive e konstruktive sa edhe tonat. Dhe pa një besim të tillë funksionimi i demokracive të mëdha e komplekse bëhet mjaft i vështirë. 

- Çfarë e bën arrestimin e Trump të jetë kaq toksik në politikën amerikane sipas jush: ambiguiteti i akuzave, qëllimet politike, ndarja e shoqërisë apo fakti se e gjithë elita tashmë është kompromentuar rëndë?

Unë do të thosha se të gjitha këto kanë pjesën e tyre, por parësorja është vetë toksiciteti i tij si person. Duhet të mos harrojmë se dalja e tij ishte një qendrim proteste kundër establishmentit, pra elitave, dhe jo me politika të ndryshme, si në rastin e kandidatit tjetër anti-establishment, Sanders, më 2016. Toksiciteti i tij s'e pengoi aspak t'i kundërvihej aparatit të Partisë Republikane, duke u bërë zëdhënësi i revoltës së punëtorëve e të njerëzve të zakonshëm ndaj një sistemi ekonomik që i kish lënë të përbuzur dhe pa shpresë. Por i njëjti karakter solli pastaj edhe thellimin e përçarjes së vendit, sepse persona të tillë ngjallin kollaj kulte rreth tyre, siç e tregon më së miri shembulli i Trump. Krijohet kësisoj një rreth vicioz ku përçarja sjell nevojën për protestë e për liderë të fuqishëm dhe lideri nga ana e tij e përkeqëson përçarjen, dhe e tëra kjo dëmton demokracinë.

Sa për elitat po mjaftohem të them se sjellja e tyre ka qenë tërësisht e papërgjegjshme dhe ato mbajnë barrën kryesore të fajit për një gjendje të tillë. Edhe ambiguiteti i akuzave ndaj Trump këtu duhet futur, sepse shumë nga ato që u paraqitën si prova të sigurta të fajësisë trumpiane para dhe gjatë presidencës së tij, dolën në fund të fundit pa asnjë bazë, p.sh. dosja e famshme “Steele”. E njëjta mund të thuhet për hetimin e ngritur në Manhattan në mars, gjë që nuk ndihmon që publiku të ketë besim tek këto akuza të fundit, megjithëse siç e theksova ato duken serioze.

- Mund të na thoni diçka për rolin e medias në ndërmjetësimin e ligjërimit dhe përpunimin e opinionit amerikan, pasi ka një frymë në rritje në mbarë botën kundër mediave dhe opinionalizmit në përgjithësi që akuzohen se po shndërrohen në agjentë të tensionit?

Mediat janë një institucion kryesor i funksionimit të demokracisë, kështu që mendoj se ato s'mund të jenë përjashtim nga rënia e përgjithshme e besimit tek institucionet: te qeveria, te partitë politike, te procesi zgjedhor, tek universitetet apo te shkenca. Qëndrimi ndaj mediave mund të ilustrohet me dy momente kuptimplota:

i pari është tetori i vitit 1983 kur presidenti Reagan e cilësoi lirinë e shtypit e të mediave si "përbërës themelor të jetës amerikane...dhe të suksesit të eksperimentit të vazhdueshëm në vetëqeverisje të konceptuar nga Etërit tanë Themelues". Ndërsa 35 vjet më pas, në tetor 2018, presidenti Trump i cilësoi mediat si "armiq të popullit" dhe si shkaktare të zemërimit e të revoltës së qytetarëve amerikanë ndaj institucioneve. Dhe kuptohet që të dy presidentet shprehnin padyshim edhe qendrimin e opinionit publik në momentet përkatëse

Kjo humbje e respektit ndaj mediave ka ndodhur për arsyet e përgjithshme që sapo përmenda, por janë edhe disa arsye të veçanta që lidhen specifikisht me to. Kështu dalja e emisioneve të formatit "talk show" në fund të viteve '80 çoi në zbehjen, madje fshirjen, e dallimeve ndërmjet "lajmit" dhe "opinionit", ndërsa mediat sociale nga ana e tyre, sollën shumëfishimin e burimeve të lajmeve, që paradoksalisht e bëri më të vështirë dhe jo më të lehtë, informimin e saktë të publikut. Po ashtu, qarkullimi në përmasa të papara i informacionit të rremë, bën që njerëzit ta humbasin besimin tek të gjitha mediat, jo vetëm tek ato që përhapin informacione të tilla, sipas asaj që "bashkë me të thatin digjet dhe i njomi". Nëse fusim këtu pastaj edhe rolin e elitave dhe të parasë në mediat, atëherë kuptohet se përse besnikëria ndaj së vërtetës bëhet një parim gjithmonë e më i vështirë për t'u ndjekur, por që kurrsesi s'duhet të braktiset.

- Çfarë rrezikohet në plan afatgjatë me këtë krizë e cila nga jashtë duket se po e kërkon zgjidhjen jo te konsensusi, por te konfrontimi?

Mendoj se rreziku kryesor është përshkallëzimi i përçarjes së vendit që përmenda më lart, sepse në një situatë të tillë asnjë përfundim i hetimeve s'mund të konsiderohet pozitiv: as në rastin që Trump del i pafajshëm, e aq më pak nëse ai gjendet fajtor. Pesha e procesit do të jetë "elefanti në dhomë" gjatë tërë fushatës presidenciale të vitit 2024 dhe detyrimisht do ta devijojë në një masë të madhe debatin në drejtime që s'kanë të bëjnë në fund të fundit me problemet e jetës së përditshme të qytetarëve, por që përsëri do t'i mbajë ata të fokusuar e të tensionuar. Prandaj kandidatët republikanë duhet të mbajnë një ekuilibër mjaft delikat, sepse edhe duhet të shprehen e të japin rrugëzgjidhje për ato probleme, edhe s'mund t'ja lejojnë vetes, siç thamë, të humbasin mbështetjen e masës së madhe e të lakmueshme të votuesve MAGA, përcaktues të fatit të zgjedhjeve primare.

Por dëmi më i madh për mendimin tim i shkaktohet imazhit të Shteteve të Bashkuara në botë, sepse pamjet e kutive me dokumenta sekrete, që kanë të bëjnë padyshim edhe me vendet aleate, në sallën e banjës apo në korridoret e Mar-a-Lago nuk frymëzojnë besim tek superfuqia e botës, si garantuesja e mbijetesës së sistemit demokratik perëndimor. Po aq e dëmshme është edhe përshtypja që jepet dashur padashur se drejtësia amerikane është e politizuar: nëse republikanët thërrasin gjithandej se "jemi kthyer në republikë bananesh" atëherë bëhet shumë e lehtë që opinioni publik ndërkombëtar ta besojë një gjë të tillë.

Unë shpresoj megjithatë se forcat e ndryshme të implikuara do të arrijnë t'i gjejnë një zgjidhje të përshtatshme kësaj situate në mënyrë që të mund të rivendoset një farë normaliteti, sidomos gjatë fushatës zgjedhore. Kuptohet që s'kam ndonjë ide se çfarë kompromisesh mund të bëhen, variantet janë nga më të ndryshmet, por në fund të fundit meqë kjo situatë erdhi në masë të madhe për shkak të politikës, duhet të jetë përsëri politika gjakftohtë ajo që duhet të ofrojë rrugëdalje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.