Brazili: Perëndimi duhet ta shmangë Luftën e Tretë Botërore
Këshilltari i presidentit brazilian për politikën e jashtme, Celso Amorim, thotë se Perëndimi duhet të shmangë përshkallëzimin e konfliktit me Rusinë. Për Financial Times, ai është shprehur se nëse aleatët perëndimorë të Ukrainës, rrezikohet një Luftë e Tretë Botërore.
"Ne nuk duam një Luftë të Tretë Botërore. Dhe edhe nëse nuk ndodh, nuk duam një Luftë të re të Ftohtë", thotë Amorim, i cili më parë ka mbajtur postet e ministrit të Jashtëm dhe atij të Mbrojtjes.
Vërejtjet e Amorim vijnë pasi Brazili ka kërkuar të pozicionohet si ndërmjetës në bisedimet me të cilat synohet t’i jepet fund luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, e ka dënuar luftën e Rusisë, por njëkohësisht ka refuzuar ndihmën ushtarake për Kievin dhe sanksionet për Moskën.
Qëndrimi i Lulës ndaj luftës i ka shtuar pikëpyetjet lidhur me fatin e projekt-marrëveshjes tregtare të BE-së me bllokun Mercosur të Argjentinës, Brazilit, Paraguajit dhe Uruguait, e cila ka qenë në negociata për gati 25 vjet.
Amorim thotë në intervistë se Ukraina nuk është përgjegjëse për luftën, por shton se edhe shqetësimet e sigurisë së Rusisë duhet të merren parasysh.
“Ne nuk mund ta gjykojmë situatën nga 1.5 vitet e fundit. Kjo është një situatë e dekadave," tha Amorim. Rusia ka "shqetësime që duhet të merren parasysh. Ky nuk është faji i Ukrainës. Ukraina është një viktimë, një viktimë e mbetjeve të Luftës së Ftohtë”.
Add new comment