Persona non grata

Postuar në 03 Maj, 2023 17:48
Michael Binyon*

 

Dëbimi së fundmi i 23 diplomatëve rusë nga Londra dhe masa reciproke që pasoi për diplomatët britanikë në Moskë është tregues i dukshëm i thyerjes së marrëdhënieve dhe zemërimit që është ende prezent mes dy qeverive. Megjithatë, ky zhvillim ndjek një model të qartë dhe të njohur sjelljeje, i krijuar për të rregulluar mënyrën se si kombet i trajtojnë të dërguarit e njëri-tjetrit dhe për të parandaluar që grindjet të përshkallëzohen shpejt në konflikt të armatosur.

Në kohë normale, diplomatët shërbejnë në ambasadat jashtë vendit pasi të jenë akredituar nga vendi pritës. Me fjalë të tjera, ata janë kontrolluar nga qeveria pritëse dhe janë lejuar të banojnë, me premtimin për imunitet nga arrestimi ose ndjekja penale. Ndonjëherë, megjithatë, atyre u refuzohet agrementi – që do të thotë se nuk janë të pranueshëm për ndonjë arsye politike dhe për këtë arsye nuk do të lejohen të marrin postin për të cilin janë emëruar nga qeveria e tyre.

Por nëse zbulohet se një diplomat, për çfarëdo arsyeje, ka shkelur normat e sjelljes politike, është sjellë keq ose ka kryer një krim, ai mund të shpallet persona non grata (person i papranueshëm). Kjo do të thotë se imuniteti i tyre diplomatik është shfuqizuar dhe nëse ata nuk largohen nga vendi brenda një periudhe të caktuar, do të arrestohen.

Të gjithë këta hapa formalë janë përcaktuar në Konventën e Vjenës të vitit 1961, kodi i hartuar për të rregulluar mënyrën se si vendet i trajtojnë diplomatët e njëri-tjetrit dhe i nënshkruar nga 191 vende – praktikisht e gjithë bota. Kjo synonte parandalimin e arrestimit arbitrar të diplomatëve apo shfrytëzimit të tyre si pengje, siç ndodhte shpesh edhe në shekullin  XIX. Neni 9 i konventës thotë se një shtet mundet 'në çdo kohë' të shpallë një diplomat persona non grata, 'pa pasur nevojë të shpjegojë vendimin e tij'. Kështu Britania, e zemëruar nga përfshirja e supozuar e qeverisë ruse në helmimin e Sergei Skripal, ish-spiuni rus dhe vajza e tij Julia, nuk shpjeguan zyrtarisht pse secili nga 23 diplomatët u urdhërua të largohej – ndërkohë që gjithsesi bëri të ditur se Britania kishte në “shënjestër” ata që supozohej se ishin agjentë të inteligjencës ruse. Në mënyrë të ngjashme, kundërveprimi rus që erdhi vetëm disa ditë më vonë, nuk e lidhi zyrtarisht dëbimin e diplomatëve britanikë me çështjen Skripal, por Moska e bëri të qartë se ky ishte një veprim hakmarrës.

Dëbimi masiv i diplomatëve u bë një karakteristikë e Luftës së Ftohtë, kur diplomatët nga Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij shpesh dyshoheshin se ishin agjentë të inteligjencës dhe urdhëroheshin të largoheshin – zakonisht pas një skandali spiunazhi. Në mënyrë të pashmangshme, rusët dhe aleatët e tyre u kundërpërgjigjën, duke dëbuar diplomatët perëndimorë. Dëbimi më i madh i njëkohshëm ishte në vitin 1971, kur qeveria konservatore e Britanisë dëboi 90 nga 550 pjesëtarët e stafit diplomatik të Bashkimit Sovjetik në Londër dhe u ndaloi rikthimin 15 diplomatëve të tjerë. Lëvizja, e nxitur nga dezertimi i një oficeri të lartë të KGB-së, i dha një goditje të fortë KGB-së në Londër. Hakmarrja sovjetike ishte relativisht e përmbajtur: vetëm 18 britanikë u dëbuan nga Moska.

Pati dëbime të mëtejshme të ndërsjella gjatë viteve, zakonisht pasi zbuloheshin raste spiunazhi. Megjithatë, në çdo rast, të dy palët respektuan rregullat dhe konventat. Diplomatëve iu dha deri në një javë kohë për t'u larguar dhe as nuk u ngacmuan dhe as u arrestuan para largimit të tyre. Në vitin 1971, gazetarët shkuan në aeroport për të ndjekur largimin e rusëve që po largoheshin – dhe disa gazetarë nga The Times panë se shumë prej atyre në palën sovjetike ishin të njëjtët me të cilët kishin luajtur futboll vetëm një javë më parë.

Megjithatë, ka mënyra të tjera për të treguar zemërimin diplomatik. Një nga më të zakonshmet është tërheqja e një ambasadori ‘për konsultime’. Ky është një sinjal që nuk shkon deri te ndërprerja formale e marrëdhënieve diplomatike, por e bën të qartë se një qeveri e sheh si të papranueshme sjelljen e qeverisë tjetër. Nuk është një lëvizje e pazakontë, madje ndodh edhe mes qeverive që janë aleate. P.sh., kur qeveria turke akuzoi qeveritë holandeze dhe gjermane se po silleshin si nazistët, pasi ato refuzuan të lejonin politikanët turq të bënin fushatë në Gjermani ose Holandë përpara referendumit të 2017-s, Holanda u përgjigj, pas muajsh grindjesh, duke tërhequr ambasadorin e saj nga Ankaraja dhe pengoi ambasadorin e ri turk që të marrë postin e tij. Ishte një sinjal i qartë se marrëdhëniet midis këtyre dy anëtarëve të NATO-s kishin arritur në një pikë serioze krize, edhe pse Holanda është investitori më i madh i huaj në ekonominë e Turqisë.

Sinjali i fundit i zemërimit diplomatik është ndërprerja formale e marrëdhënieve diplomatike, tërheqja e të gjithë diplomatëve dhe mbyllja e ambasadës. Kjo ndodh shpesh ose kur shpërthen lufta, kur turmat gjatë trazirave sulmojnë ambasadën ose kur ka një mosmarrëveshje të papritur dhe të furishme politike. Britania dhe Irani i kanë ndërprerë disa herë marrëdhëniet diplomatike që nga përmbysja e Shahut në vitin 1979. Amerika i ndërpreu marrëdhëniet me Kubën menjëherë pasi presidenti Kastro mori pushtetin dhe i rivendosi ato vetëm gjysmë shekulli më vonë. Egjipti i prishi marrëdhëniet me SHBA-në me shpërthimin e Luftës Gjashtë Ditore në 1967 dhe nuk i rivendosi ato derisa Henry Kissinger mbërriti në Kajro si pasojë e luftës arabo-izraelite të vitit 1973.

Mbyllja e një ambasade ka kosto financiare, është e rrezikshme dhe nënkupton fundin e pothuajse të gjitha marrëdhënieve diplomatike. Kjo ndodh pasi shpërthen lufta: diplomatët sovjetikë dhe gjermanë u lejuan të largoheshin nga kryeqytetet e njëri-tjetrit pas pushtimit të Bashkimit Sovjetik nga Hitleri në 1941, megjithëse shumë menduan se ata thjesht do të kapeshin dhe do të mbaheshin të burgosur. Britania mbylli ambasadën e saj në Kabul në vitin 1989 pas rënies së qeverisë komuniste dhe shpërthimit të luftës civile dhe nuk e rihapi më misionin diplomatik deri pas humbjes së talebanëve në vitin 2001. Siria aktualisht ka tërhequr të gjithë diplomatët e saj nga Londra, megjithëse ambasada është nominalisht ende e hapur, e drejtuar nga personel i punësuar vendas.

Kur prishen marrëdhëniet diplomatike, çdo vend kërkon të përfaqësohet nga një fuqi tjetër miqësore dhe ndonjëherë lejohet të kthejë diplomatët e tij në punë nën flamurin e vendit tjetër. Shpesh janë zviceranët, të parë tradicionalisht si neutralë, ata që e marrin përsipër këtë detyrë. Britania u përfaqësua nga misioni i Zvicrës në Iran për disa vite. "Seksioni i interesave" amerikane në Ambasadën Zvicerane në Havana ishte për vite me radhë një ambasadë e mirëfilltë me personel amerikan, përveç emrit. Kubanët përdorën Ambasadën Çekosllovake në Uashington.

Ndonjëherë, si në rastin e mosmarrëveshjes aktuale diplomatike midis Britanisë dhe Rusisë, vetë ambasadori nuk dëbohet. Normalisht ai do të duhej të shihej si objektivi kryesor i zemërimit diplomatik. Por vendet që duhet të vazhdojnë të bëjnë biznes me njëra-tjetrën, si Britania dhe Rusia, pranojnë se prania e një ambasadori me përvojë është mënyra më e mirë për të kthyer mesazhe të fuqishme në kryeqytetet e njëri-tjetrit. Alexander Yakovenko, ambasadori rus i respektuar dhe prej shumë vitesh në shërbimin diplomatik, ka qëndruar në Londër dhe ka qenë aktiv në publikimin e pikëpamjeve të vendit të tij dhe zemërimit të Moskës mbi veprimet e Britanisë.

Megjithatë, duhet pak kohë përpara se vendet ta kapërcejnë një mosmarrëveshje diplomatike. Dhe kur ambasadorët kthehen ose diplomatët akreditohen sërish, kjo zakonisht ndodh në heshtje dhe pa bujë. Mbetet për t'u parë se sa kohë do të duhet para se Moska të nisë të zëvendësojë të gjithë diplomatët e dëbuar nga Britania dhe më shumë se 20 vende të tjera perëndimore.

Diplomat Magazine 

*Ish-redaktor për diplomacinë në "The Times"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.