Nuk kam njohur ndonjë politikan që të jetë artist i madh

Postuar në 30 Mars, 2023 12:18
Intervistoi për ResPublica: Eleana ZHAKO

 

Është jo gjithmonë e lehtë të intervistosh njerëz me të cilët ke bashkëpunuar dhe që të lidh një njohje e gjatë, mbasi elementi i befasisë është pakëz më i zbehtë. Bashkëpunimi ynë i parë, dhe shpresoj jo i fundit, i ka fillesat në ekspozitën e fotografit francez Michel Setboun, që u zhvillua në Dropull në gusht të 2016, ku piktori Toni Milaqi ishte kuratori i parë i fotografisë së Setboun në Shqipëri. Me Tonin, i cili jeton në Athinë mbi 30 vite, biseda ruan gjithmonë shkëndijën e debatit luftarak dhe temperamentin e ndezur artistik. 

***

Keni lindur në Tiranë, në vitin 1974, dhe pas mbarimit të Liceut artistik për pikturë, ishit ndër studentët e parë fitues në Institutin e lartë të arteve. Por, pas përfundimit të vitit të parë, në vitin 1991 u larguat drejt Athinës. Tashmë vitet e banimit në Athinë, i kanë tejkaluar vitet e jetës në Tiranë. Si ndikoi kjo shpëngulje fizike e artistike në jetën tuaj? 

Piktura ime nuk do të ishte kjo që është, nëse s’do të kisha kaluar 19 vjet në Shqipëri dhe 30 vjet në Greqi. Pavarësisht se rrugëtimi im artistik kaloi përmes dy stacioneve, Shqipërisë e Greqisë, nuk e perceptoj artin tim të ngujuar brenda një territori etnik, por në relacion me influencat dhe bashkëbisedimet me mjeshtrat e mëdhenj të pikturës botërore. El Greco deri në moshën njëzet vjeçare, punonte si ikonograf në Kretë. Më pas shkoi në Itali ku mësoi artin e rilindjes me Ticianin dhe krejt krijimtarinë e tij të njohur e zhvilloi në Spanjë. Atëherë çfarë është El Greco nga pikëpamja artistike, grek, italian apo spanjoll? Është të trija këto bashkë. Puna e tij s’do të jepte fryt, nëse s’do të qe shartim i këtyre shkollave. 

Ç’mendim keni për artin akademik? Kur një piktor, për arsye të ndryshme, nuk arrin të studiojë në nivel universitar, ndesh më shumë vështirësi profesionale se sa një piktor “i diplomuar”?

Liceu i Tiranës, u ka dhënë piktorëve të rinj baza shumë të mira, që ndoshta as shkolla e Athinës nuk i ka. Ka pasur profesorë shumë të kualifikuar, që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, por edhe profesorë më të hershëm, të diplomuar në Perëndim, si Odise Paskali e Sadik Kaceli, krijuesit e parë të shkollës së vizatimit. Nëse një piktor ka marrë baza të mira, gjithçka më pas është rezultat i punës së tij vetjake. Picasso, Van Gogh, Francis Bacon, nuk kanë studiuar për pikturë, në formën si konceptohet sot. Gati 85% e atyre që mbarojnë universitetin për pikturë, nuk pikturojnë kurrë. Rrugëtimi që ka  piktura ndër shekuj e tejkalon sistemin arsimor. Piktura është arti më i vjetër nga të gjitha artet. Nevoja për t’u shprehur artistikisht përmes pikturës, daton që në kohën e artit të shpellave, atëherë kur njeriu s’dinte ende të fliste. Pra, piktura është mbi të gjitha nevojë e brendshme. 

Duke qenë se tashmë njihni skenën e pikturës së të dy vendeve, Shqipërisë e Greqisë, çfarë të përbashkëtash dhe ndryshimesh vini re?

Te “Harku i Triumfit”, Remarku flet për një pellg ku sipër mblidhen papastërtirat dhe duhet të pastrosh sipërfaqen, që të shihen poshtë thesaret. Jo vetëm në Greqi e në Shqipëri, por kudo ka antivlera që pluskojnë në sipërfaqe. Vlerat e vërteta ndodhen në mjediset më underground. Zakonisht, zhurmën e bëjnë ata që nuk kanë shumë gjëra për të thënë. Greqia në ndryshim nga Shqipëria, ka një rrjet më të madh muzesh e galerish arti. Në Athinë, Galeria kombëtare ka statusin e muzeut dhe ka një koleksion permanent, kurse veprat e artit bashkëkohor botëror ndodhen në një ndërtesë të madhe shumëkatëshe, NMCA. Në Shqipëri, nuk ka një vijë ndarëse, përsa i përket statusit të Galerisë kombëtare. Për më tepër, sistemi i galerive private në Greqi, luan një rol shumë të madh në zhvillimet e artit bashkëkohor. 

Veçoni ndonjë emër nga piktura e të dyja vendeve?

Nuk më pëlqen t’u shmangem emrave të përveçëm, siç bëjnë zakonisht disa piktorë gjatë intervistave. Piktori më i mirë shqiptar për mua mbetet Edi Hila. Arti i tij është frymëzues dhe nuk ngujohet brenda territorit shqiptar. Flet për problemet e thella të realitetit vendas, por njëkohësisht edhe për problemet e thella ekzistenciale të njeriut në shoqërinë moderne. Duke rrokur problematika kaq të thella njerëzore, mbetet aktual në çdo vend. Nga Greqia, veçoj Apostolos Georgiu, që merret me probleme mjaft akute të qënies njerëzore. Edhe Hila, edhe Georgiu, do t’i rezistojnë kohës, arti i tyre do të mbetet. 

Arti juaj dallon për karakterin politik dhe natyrën radikale. Do desha t’i shmangesha termit “antikonformist”, që përdoret rëndom, por padyshim antikonformizmi është në thelb të punës suaj. Nëse do t’iu duhej të ndanit artin tuaj në akse tematike, cilat janë akset mbizotëruese?

Qëndrimi politik - Mënyra si rrimë, si flasim, si sillemi, etj., është qëndrim politik, në kuptimin e qëndrimit që kemi për jetën. Edhe një portret i vajzës sime, për nga forma, ngjyrat e detaje të tjera që zgjedh, përbëjnë qëndrim politik. Bashkohem plotësisht me thënien e Aristotelit, që “njeriu është kafshë politike”. Në ndryshim nga kafshët, është i pajisur me artin e të shprehurit, çka e bën të aftë të ndajë të drejtën nga e padrejta, të mirën nga e keqja, të dobishmen nga e dëmshmja. Akset e tjera janë, erotizmi, karakteri fetar dhe peizazhet, që kanë natyrë më formaliste. Kur them formaliste, kam parasysh, që mund të mos ketë një mesazh të thellë. Hemingway kur e pyesin se çfarë simbolizon plaku, deti dhe peshkaqeni, ai përgjigjet se plaku është thjesht një plak, deti det e peshkaqeni peshkaqen. Piktura e ka shumë të theksuar karakterin formalist. Në periudha të ndryshme të krijimtarisë sime mbizotërojnë elemente të caktuara, por që s’kanë një vijueshmëri kronologjike. Kur gjërat ishin më të tensionuara në Athinë, edhe qëndrimi im politik në pikturë ishte shumë më i ashpër.

Çfarë i dallon për nga stili periudhat e ndryshme të krijimtarisë suaj?

Motoja ime  e preferuar është ajo çka thotë Thomas Eliot për stilin. Gjëja më e rëndësishme për një artist, është të krijojë një personalitet artistik. Janë shumë të paktë artistët, që krijojnë unin e tyre artistik. Gjithë piktorët e mëdhenj e kanë. Por, më e vështira nga e vështira, që e kanë shumë pak njerëz në historinë e artit, është të dish t’i ikësh personalitetit, që me kaq zor e ndërtove. Këtë e kam lexuar në një botim kosovar esesh te zgjedhura gjatë kohës së komunizmit. Ajo çka përpiqem të bëj edhe unë, është t’i përvidhem personalitetit tim krijues dhe të mos kënaqem me arritjet e mia, të shkoj më tutje. Arti im ka elementë ekspresionistë, pop art, kubistë, por nuk i përket një rryme të caktuar. Puna ime është antropocentrike, ka njeriun në qendër. Madje edhe te peizazhet e mia, pavarësisht mungesës së njeriut, ndihet elementi njerëzor. 

Bashkëshortja juaj, me të cilën ndani pasionin e përkushtimin ndaj pikturës, studion në Akademinë e Arteve të Athinës. Si është bashkëjetesa mes dy piktorëve? Ju jeni piktor më i vjetër në profesion, ndërsa ajo një piktore më e re. Për më tepër ju mbartni dhe eksperiencën e Shqipërisë dhe në njëfarë mënyre ndodheni mes dy vendeve. 

Kam pasur fatin, që kam pasur babain piktor, Aristidh Milaqin. Pikturonim të dy në një vend. Për një kohë të gjatë, krijonim vepra që kishin të njëjtën tematikë, por këndvështrimi ynë ishte diametralisht i kundërt. Edhe bashkëshortja ime, pikturon në të njëjtën studio me mua, por ka qëndrimin e vet estetik e artistik, botëkuptimin e saj. Qëndrimi personal, mënyra e perceptimit tënd, duhet të jetë diçka unike.

Cilat motive frymëzojnë më tepër punimet tuaja të viteve të fundit? 

Pikturoj shumë autoportrete e portrete të njerëzve të mi të dashur, pa u lodhur. Duke pikturuar njerëzit që njoh shumë mirë, jam në gjendje të zhbiroj shumë më thellë në krahasim me njerëzit, që kam një njohje më sipërfaqësore. Ka shumë piktorë që janë mjeshtër të teknikës, por artistikisht janë të zbrazët. Një mjeshtër i madh, nuk do të thotë që ka brenda artistin. Gjithë jetën time më ka preokupuar të njoh më mirë vetveten e njerëzit përreth meje.

Tekstet tuaja kritike mbi artin, krahas mendimit të thellë estetik e filozofik, spikasin edhe për gjuhën e pasur letrare. Si ndërvepron piktura me letërsinë në punën tuaj?

Që në moshë të vogël, kam pasur dy dashuri të mëdha, letërsinë dhe pikturën. Shkojnë paralelisht dhe nuk jam ndarë kurrë prej tyre. Janë si dy enëza, që komunikojnë me njëra-tjetrën. S’do të isha ky që jam sot, po të mos kisha këtë lloj marrëdhënieje me letërsinë, me Kafkën, Kamynë, Gëten, Balzakun,  Kazanxakisin, etj. 

Pak më parë, përmendët që “njeriu është kafshë politike”. Ç’mendim keni për artistët, që përfshihen në politikë?

Nuk kam njohur ndonjë politikan, që të jetë artist i madh. Arti s’ mund të bëhet nga njerëz, që bëjnë art në kohën e lirë. Duhet një përkushtim total. Ajo çka thuhet, që po e le artin, të lë, është më se e vërtetë. Para disa ditësh, isha në ekspozitën e Kryeministrit Rama në Athinë. Them e Kryeministrit Rama dhe jo e piktorit Rama, sepse s’ka mbetur thuajse asgjë nga piktori i dikurshëm. Për mendimin tim Rama ka qenë një piktor me shumë vlera, para se t’i futej artit të politikës. Më kujtohet ekspozita e tij triditore në Galerinë kombëtare të arteve në vitet ‘90, e cila ishte mbresëlënëse. Por, tani duart, trupi dhe shpirti, nuk e ndjekin. Ekspozita e Athinës ishte një ekspozitë e bujshme, por nuk e di nëse do të bëhej kjo ekspozitë, po të mos ishte Kryeministër. 

Shkoni shpesh në Shqipëri?

Shkoj një herë në vit në Tiranë, në qytetin tim të lindjes. Tirana për mua është tashmë një qytet pa memorie historike. Shqiptari asnjëherë nuk ka pasur një marrëdhënie të mirë me të shkuarën, ka probleme inferioriteti. Duan të zhdukin çdo gjurmë të së shkuarës. Çdo regjim që vjen në pushtet, shkatërron ndërtesat e simbolet e regjimit paraardhës. 

Falemnderit! 

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

E kam menduar gjithnje qe shqiptaret me te mire, me plot kuptimin e fjales, jane greke.

Submitted by Eri (not verified) on

Urime gazetes, Eleanes dhe zotit Milaqi. Cudi qe nuk ia kisha pare me perpara pikturat, por mu be qejfi qe nje piktor shqiptar ka zgjedhur te kundershtoje/reagoje nepermjet piktures. Gje e radhe kjo per pikturen shqiptare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.