Truri i foshnjes, nuk është “tabula rasa”

Postuar në 25 Shkurt, 2023 15:28

Një prej shkencëtarëve, që më shumë se kushdo tjetër, ka vendosur të vërtetojë që “gjërat janë ndryshe”, është pedagogu i Psikologjisë së Universitetit të Harvardit, Steven Pinker. Është quajtur “provokator i shkencës” nga Guardian, “pop star i evolucionit” nga Times, “fëmijë - mrekulli” nga Washington Post, të gjithë bien dakord, që bëhet fjalë për një nga mendjet më të ndriçuara të kohës sonë. Çdo studim i tij bëhet menjëherë best-seller, duke krijuar në të njëjtën kohë shumë debate (si “instikti gjuhësor e “si funksionion truri”).

Reagime të ngjashme shoqëruan botimin e studimit të tij voluminoz me titull “The Blank Slate: The Modern Denial of Human Nature” (2002). Qëllimi i librit është të krijojë mëdyshje mbi teorinë aktuale për trurin njerëzor: teorinë e “fletës së bardhë”, sipas së cilës, truri i njeriut që në lindje, është një fletë e bardhë mbi të cilën mund të shkruash gjithçka. Në bazë të kësaj teorie, procesi mendor është ekskluzivisht rezultat i mjedisit tonë, pa u ndikuar nga tipare të lindura biologjike. Roli i vetëm i geneve është të prodhojnë fleta të bardha, mbi të cilat “mjedisi” shkruan çfarë dëshiron. Sipas Pinker, bëhet fjalë për një gjykim krejtësisht të gabuar “një fletë e bardhë nuk bën asgjë, vetëm rri. Ndërsa njerëzit bëjnë gjëra, kuptojnë mjedisin përreth, komunikojnë përmes gjuhës, përdorin logjikën, që të arrijnë qëllimet e tyre”. Edhe sikur të pranojmë që nxënia e njohurive dhe qytetërimi, përbëjnë faktorët kryesorë të sjelljes sonë, do duhet të pranojmë që nuk mund të mësosh gjithçka, nëse nuk ke disa qarqe të brendshme që në lindje, që të lejojnë të mësosh. Aftësia e të mësuarit nga mjedisi yt, është e lindur. Shkëmbinjtë nuk mësojnë”.

Nëse truri nuk është një fletë e bardhë, atëherë çfarë është? Teoricienët e Evolutionary Psychology, siç është Pinker, mbështesin që truri njerëzor - sikurse dhe trupi njerëzor - u formësua nga procesi i seleksionimit natyror, përmes evolucionit biologjik. “Truri i foshnjes nuk është një fletë e bardhë. Mbi të është stampuar historia gjenetike e njerëzimit, me ato karakteristika, që u dhanë mundësi paraardhësve tanë të mbijetojnë”, thotë Pinker. “Procesi i seleksionimit tonë natyror, pasurohet nga një numër “modulesh” që ndodhen në tru, të cilat përmbajnë aftësi të lindura dhe prirje.“ Evolutionary Psychology mbështet teorinë që truri përbëhet nga një seri qarqesh nervore të cilat janë modeluar në mënyrë të tillë, që të krijojnë sjellje, që ndihmojnë përshtatjen tonë në mjedis. Ekzistojnë module të lindura të specializuara, që kanë të bëjnë me socializimin, të folurin, të ushqyerit, kërkimin e partnerit, njohjen e fytyrave, ndarjen e njerëzve në “tanët”’dhe “të huaj”. Shumë prej këtyre qarqeve nervore janë regjistruar nga skanera të trurit dhe nga studime njerëzish që kanë kaluar hemorragji cerebrale.

Tre sektorët

Shkencëtarët e Evolutionary Psychology, parashtrojnë tre sektorë të kërkimeve të tyre, që mbështesin tezat e tyre. Sektori i parë është studimi i gjuhës njerëzore. Për një kohë të gjatë, Pinker qe pedagog në MIT bashkë me Noam Chomskin. I pari ishte drejtor i Cognitive Neuroscience Center ndërsa i dyti i Departamentit të Gjuhësisë. Pinker kishte përqafuar teorinë e Chomskit, që njohja e gjuhës përfaqëson një aftësi të lindur. Fëmija që në lindje, njeh rregullat gramatikore të gjuhës. Kjo i mundëson që të prodhojë vazhdimisht fjali të reja, me sintaksë të rregullt, të cilat s’i ka dëgjuar më parë. (Ndryshimi i Pinker me Chomskin qëndron në faktin, që ndonëse që të dy pranojnë, që njohja e gjuhës përbën një aftësi të lindur biologjike, Chomsky nuk beson që teoria darviniane e ecolucionit mjafton, për të shpjeguar shfaqjen dhe funksionimin e aftësisë gjuhësore.

Sektori i dytë i kërkimeve, është studimi i sjelljes dhe i karakteristikave të binjakëve. Rezultatet e këtyre kërkimeve, që mbështesin ekzistencën e strukturave të lindura perceptive, mund të përmblidhen si më poshtë: 

Binjakët homozigotë që janë rritur veç, shfaqin një shkallë shumë të madhe ngjashmërie në personalitetet e tyre. Binjakë homozigotë, që janë rritur bashkë, shfaqin ngjashmëri më të mëdha se binjakët heterozigotë, të rritur bashkë. Vëllezër biologjikë, që janë rritur veç, kanë ngjashmëri shumë më të mëdha nga vëllezër jo biologjikë, që janë rritur bashkë.

Sektori i tretë i kërkimeve ka të bëjë me forma të ngjashme sjelljeje, që i ndeshim te njerëz, që u përkasin 6000 qytetërimeve të ndryshme, që ekzistojnë në tokë. Psh, njerëz që jetojnë në qytetërime të ndryshme, kanë të njëjtin repertor të shprehjes së ndjenjave. Buzëqeshja e lumtur, shprehja e egërsisë, ngritja e vetullës si shprehje mosbesimi, balli i rrudhosur në formë pyetjeje e çudie dhe shumë shprehje të tjera të ngjashme, janë tipare universale. Gjithashtu, dhe shumë karakteristika të tjera u trajtësuan nën trysninë e seleksionimit natyror. 

Oreksi, p.sh për të ëmbla, që sot është mosfunksional u zhvillua në një mjedis, ku uria ishte një rrezik i përditshëm dhe sasitë e kalorike nuk ishin kaq të mëdha, sa në ditët e sotme. Joshja që ndiejmë ndaj personave që kanë tipare të caktuara gjeometrike, përbën dëshmi pjellorie. Frika absurde që ndiejmë për gjarpërinjtë (absurde, ngaqë prizat elektrike nga të cilat nuk kemi frikë, shkaktojnë shumë më tepër vdekje te njerëzit e qyteteve, krahasuar me gjarpërinjtë) shpjegohet me faktin, që ndër mijëra vjet që njeriu ka jetuar në savanë, gjarpri qe rreziku më i madh.

Sipas Pinkerit, gjithë këto karakteristika, përbëjnë trashëgiminë gjenetike të njerëzimit që vjen nga paraardhësit tanë, grupin e vogël të njerëzve që braktisi Afrikën para 100.000 vjetësh dhe gradualisht u shtri në krejt botën. Këto karakteristika pasqyrojnë mënyrën si u ndërtua truri njerëzor nën trysninë e seleksionimit natyror të evolucionit darvinian.

Burimi: antikleidi.com

Përktheu: Eleana Zhako

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Populli ynw thotw: eshte me tw dhwnw e jo me tw thwnw! Kjo verteton, se dija popullore eshte disa qindra vjet, per t'mos thene mijra vjet, para teorive te ketyre shkencetarve.
Tjetra: para nja 15 vitesh pyeta nje edukatore te vjeter kopeshti, ne nje vend europian: nga eksperienca jote disa dekateshe si edukatore, cfare mendon, femija formon karakterin e tij nga edukimi qe merr, apo ka ne brendesine e tij dicka qe trashegohet, pra qe eshte formuar panvarsisht edukimit te jashtem dhe rrethanave te tjera te jashteme? M'u pergjigj: mw e shumta wshtw nw brendwsinw e tij, qw cfare kane patur paraardhwsit e tij.
Pra, kwto studime te tashme vlejne ndoshta per tituj e emwr, por nuk janw diöka e re, sepse vrojtimi i njerezve tw thjeshte, pra ai popullor, per kete problem, wshtw disa mijra vjecar dhe prej qindra e mijra vjetesh ka arritur ne konkluzione te caktuara, ku arrisin sot keta studjues.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.