Odiseja, themelimi i Nostalgjisë*

Postuar në 25 Janar, 2023 00:25
Joel Christensen - Universiteti Brandeis

 

Festimet janë kohë e kaluar gëzueshëm dhe mundësi për t’u ribashkuar me familjen dhe miqtë. Por më pas, njerëzit ndonjëherë mund të mbeten në pikëpyetje për marrëdhëniet e tyre. Kthimet njëherë në vit në shtëpi mund të shkaktojnë një nostalgji të pakëndshme në tensionin mes mënyrës se si kujtohet e kaluara dhe si përjetohet e tashmja.

Si një njeri që e ka studiuar mitin dhe poezinë e lashtë greke, shpesh e gjej veten duke i dhënë kuptim jetës sime përmes punës. Edhe pse shumë mite greke janë famëkeqe për tema shqetësuese si vrasja e foshnjave dhe inçesti, audiencat e lashta rrëmuan në historitë e tyre për të kuptuar veten dhe botën e tyre. Shija e ëmbël dhe e hidhur njëkohësisht e marrëdhënieve familjare dhe ribashkimet rezultojnë një temë e rëndësishme.

Heronj dhe familje
Ajo që shumica e njerëzve mund të kujtojnë nga mitologjia greke janë heronj si Herakliu ose Tezeu, të cilët e bëjnë botën të sigurt për qeniet e tjera njerëzore duke vrarë përbindëshat kërcënues ose duke ndëshkuar njerëzit kriminelë. Vrasja e Hidrës nga Herkuli, një dragua me kokën që i përtërihej, si një nga veprat e tij përfaqëson forcat e qytetërimit që pushtojnë natyrën. Në nivel themelor, këto lloj tregimesh përqendrohen në atë se si heronjtë janë në gjendje t’ua bëjnë jetën më të sigurt komuniteteve njerëzore.

Por shumica e narrativave heroike theksojnë gjithashtu se si heronjtë janë të dobët për jetën familjare dhe madje mund të kërcënojnë komunitetet e tyre. Për shembull, një arsye pse Herakliut iu desh të çonte në fund punët e tij të shumta si ndëshkim ishte sepse ai vrau gruan e tij të parë dhe fëmijët e tyre për shkak të një çmendurie të momentit të dërguar nga perënditë.

Një nga heronjtë më të famshëm grekë, Akili, nënvizon aspektin antisocial të heronjve në "Iliadën" e Homerit. Në fillim të eposit, ai në fakt lutet që njerëzit e tij të vuanin dhe të vdisnin sepse nuk e ruajtën nderin që ai besonte se kishte fituar. Në të vërtetë, audiencat shpesh anashkalojnë faktin se është dëshira që ka vetë Akili për t'u nderuar, ajo që shkakton vuajtjen e popullit të tij dhe vdekjen e mikut të tij, Patroklit.

Imazhi më popullor i heronjve është ai i një figure shpëtimtare. Por historitë e tyre përfshijnë gjithashtu detaje rreth izolimit, tjetërsimit dhe shkatërrimit të familjeve, duke lënë pak shpresë për marrëdhënie.

Si e kuptojmë se kush jemi
Dështimi heroik në marrëdhëniet personale ndihmon për të theksuar tjetërsimin e tyre nga komunitetet të cilave u përkasin. Megjithatë, në vend që të jenë shpërqendruese, mendoj se këto sfida personale janë pjesë e rrëfimeve mitike për audiencën që nuk jeton në botën e fantazisë. Të mësosh se si të jetosh një jetë normale është një temë e rëndësishme e "Odisesë" së Homerit, pasi përshkruan një udhëtim 20-vjeçar të heroit të famshëm të "Iliadës" së Homerit, Odisesë, në rrugën e tij për t’u kthyer në shtëpi nga Lufta e Trojës dhe për t’u ribashkuar me familjen e tij.

Ky rrëfim i veçantë nga Greqia e lashtë është një eksplorim i "nostos", një fjalë që do të thotë "kthim në shtëpi", por ka marrë kuptimin "e ëmbël" në greqishten moderne.  Në "Odiseja", ribashkimi i Odisesë me familjen është pjesë e vështirësisë së kthimit të tij në shtëpi

Në qendër të kësaj vështirësie është pyetja se kush është heroi pas 20 vjetësh në luftë. Siç argumenton psikiatri Jonathan Shay në librin e tij të vitit 2002, "Odiseja në Amerikë", udhëtimet e Odisesë funksionojnë si një metaforë për sfidën e riintegrimit të veteranëve që kthehen në shtëpi.
Ashtu si sot, kthimi në shtëpi është shumë më tepër se një udhëtim i thjeshtë në një vend të njohur mirë prej tij. Për Odisenë, ishte një rikthim në marrëdhëniet që e përcaktuan atë përpara se të nisej për në Trojë.

Në thelb, "Odiseja" thekson se luftëtarët vijnë nga komunitetet dhe përcaktohen nga familjet e tyre. Ndërsa eksploroj në librin tim të fundit "Njeriu me shumë mendje: Odisea, Psikologjia dhe Terapia e Epikës", eposi homerik është thellësisht i interesuar se nga vijnë identitetet tona: kujtimet, historitë që tregojmë rreth tyre dhe marrëdhëniet që e kanë bazën si në kujtesë, ashtu edhe në histori. Njohja e së kaluarës është thelbësore për Odisenë – dhe audiencën e tij – sepse familjariteti është i nevojshëm për të rikrijuar marrëdhëniet si një urë nga e kaluara jonë, për tek vetja e tashme.

Një sekuencë ribashkimesh zë gjysmën e dytë të eposit. Odiseja takon djalin e tij, një figurë nëne - një dado e skllavëruar me emrin Euriklea - gruan e tij Penelopa dhe babain e tij, Laert. Në secilin rast, ai i gënjen për identitetin e tij dhe identiteti i tij konfirmohet nga një "shenjë" e jashtme.

Shenjat janë të lidhura me histori nga e kaluara: Euriklea njeh një shenjë në këmbën e Odisesë nga gjuetia e derrit kur ai ishte fëmijë; Penelopa përdor shtratin që ai ndërtoi për ta për të provuar identitetin e tij; dhe babai i tij dyshon se kush është ai derisa të dy vizitojnë kopshtin për të cilin kujdeseshin së bashku kur ai ishte i ri dhe Odiseja i përshkruan varietetet e pemëve dhe tregon se kush i mbolli ato.

Këto detaje shpesh i befasojnë lexuesit modernë që pyesin pse "Odiseja" shpenzon kaq shumë kohë në takime të vogla. Çdo ribashkim thekson se Odiseja nuk është vërtet në shtëpi derisa të ketë pajtuar atë kush është tani me atë që ishte më parë. Ai gjithashtu duhet t'i nënshtrohet një vlerësimi të ngjashëm, më të ashpër me njerëzit që dikur i sundonte.

Efekti total i kësaj sekuence ribashkimesh është të theksojë se identiteti individual krijohet dhe konfirmohet nga njerëz të tjerë. Jashtë shtëpisë së tij, Odiseja ishte një luftëtar; ai nuk mund të kthehet me të vërtetë derisa t’i kujtohet se si duhet të jetë mbret, baba, burrë dhe bir.

Individualizmi vs heroi
Kthimi i famshëm i Odisesë në shtëpi – nostosi i tij - ofron një pjesë të rrënjës së fjalës sonë moderne nostalgji, e krijuar në 1688 për të përshkruar një lloj malli të çmendur për të kaluarën. Fjalë për fjalë do të thotë "pikëllim për/nga një kthim në shtëpi", nostalgjia përshkruan mirë atë ndjenjë të hidhur dhe të ëmbël njëkohësisht të kthimit në vende dhe kujtime të njohura, por ndjesi të distancës dhe kalimit të kohës.

Hulumtimet moderne nuk bien dakord mbi atë nëse nostalgjia është e mirë për ne. Për disa, dëshira për të kaluarën mund të krijojë ankth dhe shqetësim; për të tjerët, mund të jetë një burim për të krijuar një sens më të fortë për vetveten.

Unë besoj se "Odiseja" pranon se nostalgjia funksionon në të dyja mënyrat: na ndihmon të kujtojmë se kush ishim dhe na shtyn të lundrojmë në atë hapësirë të pakëndshme midis kujtimeve dhe identiteteve tona. "Odiseja" punon kundër individualizmit të mitit bazë heroik për të ndihmuar audiencën të mendojë se si njerëzit e tjerë kanë rëndësi për ne dhe se si historitë që i tregojmë njëri-tjetrit konfirmojnë dhe krijojnë atë që ne jemi.

Burimi: Kathimerini

Përkthimi: Gazmira Sokoli

*Titulli shqip: ResPublica 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Përshëndetje,
Euriklea, ishte gruaja e dytë e Laertit, që e kishte blerë nga i ati i saj.
Sipas Homerit ajo kishte qenë dadoja dhe mëndesha e Odisesë si edhe dadoja e Telemakut.
E keni përkthyer "infermiere", besoj sepse është "nurse" në shkrimin në anglisht.
Edhe diçka, në shkrim, përveç Odisesë, emrat e tjerë janë shkruar në versionin anglisht.
Homeri është përkthyer shumë bukur në shqip dhe, besoj, se do ishte mirë të përdoreshin versionet në shqip të emrave të personazheve dhe jo versioni anglisht.
Sidoqoftë, shkrim interesant.
Faleminderit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.