Pse nuk u shpall non grata Lulzim Basha?

Postuar në 14 Shtator, 2022 14:17

Sot në “Zëri i Amerikës” është publikuar një shkrim që pretendon se komuniteti amerikan i zbulimit ka të dhëna se Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha ka marrë financime nga Rusia në masën e 500 mijë dollarëve. Çfarë do të thotë në optikën amerikane financimi rus? Ai do të thotë që partia përfituese është subjekt aktiv i përçimit të të ashtuquajturës influencë malinje në Ballkanin Perëndimor në këtë rast, me synim minimin e demokracisë. Do të thotë që subjekti përfituese hyn në kushtet apo prerogativat e aktit për shpalljen non grata.

Ne e lexuam këtë në rastin e shpalljes së Sali Berishës. I cili kërkoi prova nga SHBA, ndërkohë që sot z. Basha, ish-kryetar I PD-së në kohën për të cilën flet raporti, mbrohet me hetimet  e drejtësisë shqiptare. Teatri i mosbesimit arrin kulmin jo përmes akteve reale, por përmes një retorike që ka bërë pis këdo dhe gjithçka.

E në këtë kuadër, ne kemi të drejtë të pyesim sot: mos vallë përsëritja e vazhdueshme e kryeministrit Edi Rama se “ne duhet ta mirëkuptojmë Serbinë për raportet e saj me Rusinë”, janë në fakt një hile për të amortizuar goditjen që po vinte me raportin në fjalë. Befas Rusia nuk na qenka edhe aq e keqe, në fillim për arsye historike dhe gjeopolitike për Serbinë, interpret i të cilave bëhet kryeministri i Shqipërisë, e pak më vonë edhe për ndonjë shqiptar në Tiranë?

Kjo është porta e një imagjinate, por jo pa të vërteta brenda, pse në këtë hulli skepticizmi radikal e futi klasa politike të gjithë shoqërinë shqiptare.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.