Prania e mushkonjave sivjet lidhet me sigurinë kombëtare. Pritet një rol i ri i Belinda Ballukut
Më poshtë një letër e organizatës së Tragjasit drejtuar kryeministrit Rama:
Z. Kryeministër, ndoshta ju nuk e keni parë një video të shpërndarë nga z. Sali Berisha për mushkonjat në Orikum. Shikojeni, është e vërtetë. Mushkonjat janë reale, qamet i zi anëekënd.
Nuk lënë vend pa të pickuar. Dua të them edhe sikur ajo video e Berishës të jetë në Shkodër, ku e kuptoj pse nuk spërkasni, me siguri që edhe në Orikum e Sarandë, Tiranë e Durrës, është nami me mushkonja.
Nuk e di pse ka kaq shumë, ju thatë që në 2016-ën që ka mushkonja, edhe pse pastaj doli Riformato. Por mushkonja ka dhe po na hanë.
Në dorë, në këmbë, në kurriz, në bythë madje. Dhe po pickojnë më shumë socialistët, nuk dihet pse. Në qytetin tonë kemi bërë mbledhje organizate për këtë, miratuam një letër edhe për ministren e Shëndetësisë që as e vuri ujët në zjarr.
Unë nuk e di pse ju lejoni që Berisha të marrë kënaqësinë e të denoncuarit I pari të një problemi, por lidhur me këtë problem serioz po dua, edhe në emër të shokëve të propozoj që çështja e mushkonjave të kalojë në përgjegjësi të Ministrisë së Transporteve. Me një shikim Belinda dhe i ngordh ato të flamosura. Trajtimi ligjor për këtë punë mendojmë se është ai për licencimin e dronëve.
Meqë ra fjala, një nga shokët tanë, ish-ushtatak na njoftoi në mbledhje se masivizimi i mushkonjave është bërë qëllimisht prej Jush për të identifikuar më saktë vendin e një baze të re ajrore të NATO-s. Ku shkon mushkonja, shkon më mirë edhe helikopteri. E kuptuam pasi ne kemi përvojën e gjurmës së rrugëve nga italianët që vinin gomarin para e pas tij gjurma, shtrohej rruga.
Në qe kështu, hallall! Lëri të gumëzhijnë se nuk u bë qameti për ca puçra. Nuk dua të besoj megjithatë se për mushkonjat do dalë ndonjë raport nga OBSh që mandej ta tundni si provë të besueshme se na u bënë këmbët e mollaqet gjak.
Falemnderit dhe respekte edhe për shokun Endri Fuga. I thoni të bëjë njëherë pushimet këtej nga Ne!
Add new comment