Lufta në Ukrainë është faj edhe i NATO-s

Postuar në 14 Maj, 2022 15:01
Harlan Ullman - Atlantic Council

 

Në një intervistë me gazetën italiane” Corriere Della Sera” Papa Françesku tha se "Lehja e NATO-s ndaj Rusisë" solli që "Kremlini të reagojë keq dhe të nisë konfliktin". 

 Megjithatë, hedhja poshtë e komenteve befasuese të Papës mund të jetë një veprim dritëshkurtër për shkak se, sigurisht që disa veprime të SHBA dhe NATO-s shkaktuan në fakt "reagimin e keq" të Kremlinit.

Përgjatë 22 vjetëve të shkuar në veçanti, disa politika të Amerikës, gabime dhe llogari të gabuara përkundrejt Rusisë kanë prodhuar kundërveprim. Asnjë prej tyre nuk mund të jetë justifikim për luftën e tmerrshme dhe ilegale të presidentit Vladimir Putin në Ukrainë. Por një rishikim i marrëdhënieve SHBA-Rusi nënvizon fuqinë e pasojave të paqëllimta. 

Putin u bë president në detyrë në ditën e Vitit të Ri, 2000, po atë vit që George W. Bush do të zgjidhej presidenti i 43-të i SHBA. Presidenca e Boris Yeltsin e la Rusinë në situatë shumë të vështirë, të dëmtuar psikologjikisht nga zhbërja e statusit të vet të superfuqisë. Në fjalën e tij të Mijëvjeçarit po atë ditë, Putin dha vijat e përgjithshme sesi ai do të restauronte madhështinë e Rusisë.

Fillimisht Bush dhe Putin u morën vesh. Por obsesioni i ri i administratës amerikane me Iranin si armik, e çoi Bushin të përqednreonte Pentagonin në mbrojtjen raketore dhe hapësinore. Një pasojë e kësaj ishte se Bush njoftoi synimin e SHBA për t’u tërhequr nga Traktati i Raketave Anti-Balistike i vitit 1974 që kishte qenë dokument qendror në marrëdhënien strategjike SHBA – Bashkimi Sovjetik. Abrogimi i traktatit nuk kaloi mirë në Moskë, sidomos nisur nga besimi që dominonte në Kremlin për diferencën e madhe teknologjike me SHBA pas luftës së Gjirit më 1991. Kjo ndodhte para 11 shtatorit 2001.

Kur Amerika ndërhyri në Afganistan në fund të vitit 2001, Putin u irritua për shkak se ekipi i Bush kishte refuzuar këshillën ruse të bazuar në dështimin e Rusisë në atë vend. Në vitin 2003, Putin këshilloi me vendosmëri Bush kundër pushtimit të Irakut, pasi lideri rus druhej se rajoni do të zhytej në kaos. Dhe zgjerimi i vazhdueshëm i NATO-s ishte nevralgjik për Rusinë. Disa administrata e nënvlerësuan apo injoruan seriozitetin e kësaj çështjeje për Rusinë.

Në Konferencën e Munihut, Putin lëshoi një kritikë të egër kundër SHBA si “një fuqi unilaterale” dhe kundër zgjerimit të NATO-s. Pjesëmarrësit u shokuan nga intensiteti i sulmeve të Putin, por përndryshe e refuzuan atë gjerësisht. Ky ishte një gabim. Ishte e qartë se Putin besonte se ishte trajtuar pa respekt dhe ishte margjinalizuar nga SHBA dhe NATO, shtuar kjo brengës së tij për trajtimin patronizues që besonte se Rusia po merrte.

Samiti i vitit 2008 në Bukuresht ishte ndoshta pika e kthesës. Gjeorgjia dhe Ukraina kishin aplikuar për Planin e Aksionit të Anëtarësimit – rruga për anëtarësimin e plotë. Aplikimi u bllokua nga Franca dhe Gjermania. Por në një mënyrë të përsëritur presidenti Bush deklaroi se Gjeorgjia dhe Ukraina dikur do të bashkoheshin me Aleancën. Ai “premtim” u përfshi në raportin përfundimtar të samitit për të mos e fyer presidentin amerikan.

Putin u tërbua dhe i tha Bush-it se “kjo nuk do të kalojë” duke i bërë jehonë përgjigjes së George H. W. Bush ndaj pushtimit të Kuvajtit nga Saddam Hussein në vitin 1990. Bush e refuzoi paralajmërimin.

Në vitin 2008, Putin provokoi Gjeorgjinë t’i përgjigjej një operacioni të inksenuar rus dhe si pasojë pushtoi Osetinë e Jugut dhe Abkazinë. Me kufijtë e kontestuar, Gjeorgjia ishte teknikisht e papërshtatshme për anëtarësim në NATO. Gjashtë vjet më pas, Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina pas protestave në shehin “Maidan” dhe largimin nga detyra të presidentit pro-rus Viktor Yanukovych, duke akuzuar Uashingtonin për mbështetje të ndryshimit të regjimit.

Në vitin 2016, Rusia u akuzua për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe për operacione masive hakerimi. Pavarësisht përpjekjeve të presidentit Trump për të përmirësuar marrëdhëniet me Putin, në rastin më të mirë ato mbetën të ngrira. Disa demokratë akuzuan Trump se ishte “idioti i dobishëm” i Putin. Dhe marrëdhëniet u bënë edhe më toksike nga një seri strategjish mbrojtjeje të SHBA, duke nisur nga administrata Obama që shënjestronte Rusinë si një nga pesë kundërshtarët potencialë që duhej “frenuar dhe nëse vjen lufta, mundur”.

Ndoshta tërheqja joprofesionale e SHBA nga Afganistani në guhst të vitit 2021 e bindi Putin-in se mund të merrte veprime të guximshme në Ukrainë pa shumë risk. Pasi grumbulloi trupa masive në kufijtë e Ukrainës, Rusia i dërgoi kërkesa SHBA, NATO-s dhe BE-së, përmes të cilave u bënte thirrje për një kuadër të ri sigurie europiane; tërheqje e NATO-s në Perëndim dhe refuzim i anëtarësimit të Ukrainës. Të dyja u hodhën poshtë.

Në vend të kësja, SHBA propozoi bisedime për stabilitetin strategjik dhe kontrollin e armëve, duke injoruar kërkesat kyçe të Putin.

Se kur Putin vendosi të pushtonte Ukrainën, kjo është e paqartë. Por nga perspektiva e tij, ai u la pa asnjë zgjedhje. Ukraina ishte interes jetik i Rusisë që duhej zgjidhur me luftë nëse duhej. Perëndimi dështoi ta kuptonte këtë gjë.

A mundet që ndonjë prej veprimeve të SHBA ta shmangte luftën? Ndoshta jo. Por dështimi për të konsideruar pasojat e paqëllimshme është një mësim që nuk duhet harruar. Ndoshta kjo është ajo që Papa kishte ndërmend.

Burimi: The HIIl

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Comments

Submitted by pizzicato (not verified) on

Titulli i artikullit ne origjinal:
Did NATO cause the war in Ukraine?
Titulli i perkthimit:
Lufta në Ukrainë është faj edhe i NATO-s
Askund, as ne titull as ne brendesi nuk permendet fjala "faj".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.