Kryetari pa dhëmbë i Bashkisë së Tiranës

Postuar në 15 Mars, 2022 17:27

Kjo është finalja e përballjes së tij me pushtetin, konkretisht kryeministrin Edi Rama dhe mangallin e tij të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ky i fundit e cilësoi largimin e Dukës si betejën e jetës dhe u përfol për një audiopërgjim, ku fliste për bole hekuri. Tekstualisht kjo ishte fjala që u përdor. Në fakt, zoti Veliaj pretendon më shumë sesa ka. Bolehekuri pason imagjinarin e tij për veten si Superman, bluzën e të cilit e vishte shpesh nëpër aktivitete në Tiranë, përpara sesa kumbari i tij në qeveri t’i jepte kovën me bojë në një nga pallatet e prekura nga tërmeti.

Dhe meqenëse UEFA ia qepi gojën Kumbarit, edhe z. Veliaj nuk ndihet më. Ai e harroi betejën e jetës së tij, sepse ai tani ka një jetë tjetër: jetën e zakonshme të kllounit politik që jeton me orën dhe ditën, jo me përgjegjësitë që vetëshpall.

Ka një keqkuptim të madh edhe në metalizimin e gjenitaleve në këtë rast, zotit Veliaj i duhen Dhëmbë Hekuri, jo allatet sepse ato mjafton t’i kesh siç duhet dhe do ishte goxha arritje. Dhëmbë për të kafshuar kocka të forta si ky Armand Duka, mirëpo mesa duket z. veliaj ia ka ngrënë dhëmbët kariesi. Dhe tani hesht.

Hesht në mënyrën e tij, duke llapur budallallëqe pa kuptim si p.sh ky lajm i gazetës “Tema”(inercia të çon ta quash gazetë) që nënvizon se z. Veliaj ka fituar sot një gjyq me Grida Dumën.

Po çfarë fitoreje është kjo për t’u vënë në dukje, kur po të përdorim metrin e z. Veliaj, klanet e Shijakut janë aty, madje me dekret ndërkombëtar?

Pse nuk thotë diçka ky për këtë dështim të tijin, që është i tillë jo pse z. Veliaj ka ndonjë përgjegjësi direkte, por sepse ai e menaxhoi një betejë që e urdhëruan ta bënte me revanshizmin dhe populizmin shabllon që e përdor përherë. Do përpiqet ta mbulojë këtë pështymë në fytyrë me Tiranën - qyteti i rinisë, aktivitetet, bojërat e lajle-lulet banale, për të cilat është specializuar kaq mirë. Në fund të fundit, përtej keqdashjes, pakicave të zhurmshme, kundërshtarëve, apo edhe vështirësive të natyrshme që has njeriu në punë, profili i tij ndërtohet përmes vendimeve dhe përcaktohet nga karakteri. Veliaj ky është, dikush që do mbahet mend si Lali që popullarizoi fjalën zdroms. Nuk është pak, kur mendon sa çikërrima ka bërë në këto vite dhe forcën përgjithësuese të kësaj etikete.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.