Kriza në Ukrainë, SHBA ulet në bisedime me Kinën

Postuar në 14 Mars, 2022 10:48

Kina hyn në bisedime për krizën në Ukrainë. Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, po takohet sot me kryediplomatin kinez, Yang Jiechi, për të diskutuar mbi konfliktin Ukrainë-Rusi.

Takimi është një vazhdim i planifikuar prej kohësh i takimit virtual të Presidentit Joe Biden me presidentin kinez Xi Jinping në nëntor, u tha gazetarëve të shtunën një burim i njohur me situatën.

Axhenda e takimit do të përfshijë "përpjekjet e vazhdueshme për të menaxhuar konkurrencën midis dy vendeve tona dhe ... ndikimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës në sigurinë rajonale dhe globale", citohet nga Politico zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Emily Horne në një deklaratë me shkrim. Por në krahun e administratës Biden ka shpresa të vogla për ndonjë përparim në bisedimet Sullivan-Yang.

"Ky takim nuk ka të bëjë me negocimin e ndonjë çështjeje apo rezultati specifik," tha burimi. “Ky takim po zhvillohet në kontekstin e luftës së pajustifikuar dhe brutale të Rusisë kundër Ukrainës, dhe pasi Kina është rreshtuar me Rusinë për të avancuar vizionin e saj për rendin botëror.”

Kjo gjuhë pasqyron zhgënjimin e administratës me përfitimin e dukshëm strategjik të Kinës nga një konflikt Rusi-Ukrainë. Pekini nuk ka qenë i gatshëm t'i bashkohet koalicionit ndërkombëtar që i bën presion Presidentit rus Vladimir Putin për t'i dhënë fund pushtimit.

Përgjatë tre javëve të fundit, qeveria kineze ka bërë thirrje të buta për një "zgjidhje paqësore të krizës", duke denoncuar njëkohësisht sanksionet që mund të ndikojnë në llogaritjen e luftës së Rusisë. Ky qëndrim bëri që një grup dypartiak anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve të prezantojnë një projekt-ligj të hënën për të bllokuar Kinën që të ndihmojë Rusinë të shmangë sanksionet.

Ministria e Jashtme kineze konfirmoi të dielën takimin e ardhshëm midis Sullivan dhe Yang, por nuk përmendi fokus të veçantë në pushtimin rus të Ukrainës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.