Pas protestave, qeveria merr përsipër monitorimin e çmimit të naftës
Kryeministri Edi Rama thirri sot në takim furnizuesit e naftës në vend, pas rritjes së çmimeve, që gjeneruan protesta në qytetet kryesore të vendit. Rama i vuri ata në dijeni për një akt të ri normativ, me anë të të cilit legjitimohet ngritja e një bordi që i jep qeverisë mundësinë të hyjë në administrimin e furnizimit. Çmimet e pamiratuara nga bordi në fjalë, sipas kryeministrit, do t’u kushtojnë licencën pikave të karburantit.
Është e vërtetë që ne kemi te struktura e çmimit të naftës një ngarkesë ekstra që të tjerët nuk e kanë, prandaj çmimi i naftës këtu është më i lartë. Por të tjerët s’e kanë zero taksën e biznesit të vogël, nuk e kanë zero TVSH-në për biznesin e vogël, nuk i kanë kaq të ulëta taksat për pagat, nuk i kanë kontributet shoqërore dhe shëndetësore si ne, më të ulëtat në rajon. Ka njerëz që janë më në nevojë sot, janë fermerët dhe ata që përdorin transportin publik. Planin e masave do ta kemi gati deri në fund të javës.
Me gjithë respektin unë mendoj se ju sot duhet të jeni të vetëdijshëm se i përkisni asaj shtrese të shoqërisë shqiptare që duhet të bëjë sakrificë. Kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar. Edhe ju duhet të mbani pjesën tuaj. Në këto kushte ne do kalojmë brenda 24 orësh një akt normativ dhe qeveria do hyjë në administrimin e furnizimit bashkë me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant. Çdo ditë ju dhe qeveria do jeni në tryezë dhe nuk do ketë asnjë pikë karburanti ku do të shfaqet një çmim në tabelë që nuk miratohet nga bordi, kush do ta bëjë do humbasë pikën e karburantit.
Rama e cilësoi këtë një mundësi që u jepet furnizuesve të naftës për t’u çliruar nga mëkatet.
Kjo është mundësi e artë që të shpëlaheni komplet nga çdo mëkat dhe të riktheheni fuqishëm pastaj të larë nga mëkatet dhe të vazhdoni të fitoni
Add new comment