Bakojanis: Europa nuk mund ta injorojë më Rusinë

Postuar në 23 Shkurt, 2022 10:11

Ish-ministrja e Jashtme greke (2006-2009), Dora Bakojanis, thotë se Evropa duhet ta përdorë krizën në Ukrainë për të ndërtuar një sistem sigurie që merr në konsideratë Rusinë. Në të njëjtën kohë, Bakojanis, tani deputete e Demokracisë së Re, beson se Evropa duhet të kërkojë mënyra për të "zbutur varësinë nga gazi rus".

Në një intervistë për Kathimerini, ajo komenton qëndrimin e partisë më ëtë madhe opozitare, SYRIZA, dhe liderit të saj, Alexis Tsipras, duke theksuar se  qeveria e SYRIZA (2015-2019) ishte "qeveria më pro-amerikane që Greqia ka pasur ndonjëherë" dhe kujton se gjatë asaj periudhe, marrëdhëniet greko-ruse arritën në kulmin e tyre.

Sa i përket fazës së re të tensioneve me Turqinë, Bakojanis beson se "konkurrenca në retorikë nxitëse është bërë pjesë e lojës elektorale mes qeverisë turke dhe opozitës dhe kjo sigurisht nuk ndihmon përpjekjet për dialog dypalësh", duke shtuar se kanalet e komunikimit duhet të mbeten të hapura.

Si ish-ministre e Jashtme, ju e kuptoni mirë dinamikën globale. Si e shihni zhvillimin e situates në Ukrainë? Kush është fajtori për krizën? Dhe si mund të de-përshkallëzohet?

Tani nuk është koha për të fajësuar. Sigurisht që ka qenë një krizë e gjatë. Ka pasur incidente të dhunshme në rajonet rusishtfolëse të Ukrainës, që janë deklaruar të ndara nga shteti, të cilat shpesh kanë mbetur nën radarin e opinionit publik ndërkombëtar. Në fakt, rajoni dhe Rusia nuk ishin çështje shqetësuese për komunitetin ndërkombëtar. Evropa e kishte përqendruar vëmendjen te pandemia e koronavirusit dhe Brexit, ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin të zëna me Kinën. Pritej që kriza të arrinte kulmin në planin afatgjatë. Për të qenë e sinqertë, nuk mendoj se rusët do të pushtojnë Ukrainën. Rreziku i madh është që këto incidente të izoluara në zonat autonome mund të shndërrohen në një luftë të plotë me justifikimin se nuk po respektohen marrëveshjet e Minskut dhe se kjo po çon në një destabilizim në Ukrainë, ndërsa Rusia i arrin qëllimet e saj pa pasur nevojë për pushtim në shkallë të gjerë.

Nëse i lexoj saktë informacionet dhe mesazhet që dalin, ka një përpjekje për të arritur një marrëveshje bazë, e cila do të kishte të bënte më së shumti me armatimet në rajon. Në çdo rast, ka një rrugë të gjatë përpara se ndonjëra prej palëve të mund ta diskutojë seriozisht pranimin e Ukrainës në NATO. Unë do të doja të shpresoja se situata në zhvillim do t'i lejojë Evropës të diskutojë një arkitekturë evropiane të sigurisë që nuk do të injorojë Rusinë. E ashtuquajtura arkitektura e sigurisë evropiane duhet të marrë parasysh Rusinë.

A ia keni frikën, si pasojë e çështjes së Ukrainës, një krize edhe më të madhe energjetike që do të prekë Greqinë?

E kisha shumë frikë këtë 15 ditë më parë dhe e kam ende. Shpresoj që rreziku të jetë zbutur, nëse nuk eliminohet plotësisht. E sigurt është se varësia e Evropës nga gazi natyror rus, i cili përbën 40% të kërkesave të saj për gaz natyror, është shumë e madhe; Evropa duhet të trajtojë së shpejti çështjen e varësisë së saj dhe, për të qenë të saktë, të pavarësisë së saj të pjesshme nga gazi rus. Në të njëjtën mënyrë, ne në Greqi duhet të kemi rezerva të gazit natyror, përveç atij në ishullin Revythousa, i cili do të na lejojë të mbrohemi më mirë nga kriza e ardhshme energjetike. Megjithatë, rreziku i një përshkallëzimi të mëtejshëm në Ukrainë, përveç kostove të energjisë, mund të çojë në një rritje të çmimeve të ushqimeve, pasi Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj të produkteve ushqimore. E kuptoni, pra, që qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme.

A e shihni liderin e opozitës Alexis Tsipras të jetë rikthyer në pozicionet e tij të vjetra në politikën e jashtme? E them këtë për shkak të asaj që ai tha për përmirësimin e portit të Aleksandoupolit dhe thirrjes së tij ndaj deklaratave të zyrtarëve rusë.

Duhet ta pranoj, këtë ndjesi e pata edhe vetë kur e dëgjova të fliste në Parlament, një ditë më parë, për projektligjin për forcimin e mbrojtjes së vendit tonë. Natyrisht, zoti Tsipras do të harrojë se ka qeverisur, diçka që e do edhe shoqëria greke. Qeveria e koalicionit SYRIZA-Grekët e Pavarur ishte qeveria më pro-amerikane që Greqia ka pasur ndonjëherë. Pozicioni i tij në bazat ushtarake të Aleksandoupolit dhe të SHBA-së ishte një surprizë për këdo që e di se për çfarë kishte negociuar gjatë gjithë mandatit të tij në qeveri. Ministri i tij i mbrojtjes dhe partneri i koalicionit Panos Kammenos po propozonte që ishulli i Karpathos të bëhej një Kepi alternativ i Kanaveralit. Kam ndjesinë dhe e thashë në Parlament, se zoti Tsipras po përpiqet të kthehet në vitin 2012 (kur ishte në opozitë). Por ai nuk e ka kuptuar që viti 2022 nuk është 2012. Dhjetë vjet më vonë, shoqëria greke është shumë më e pjekur dhe më e vetëdijshme, ka vuajtur dhe mësuar dhe jam e sigurt se është vaksinuar kundër populizmit. Më duhet t'ju kujtoj se pikërisht në kohën e qeverisë Tsipras, marrëdhëniet greko-ruse arritën në kulmin e tyre.

Gjatë viteve të fundit, qeveria është përballur me shumë kriza: pandemi, tensione me Turqinë, fatkeqësi natyrore dhe tani çmimi është rritur? Sa i suksesshëm ishte në trajtimin e tyre dhe ku mendoni se bëri gabime?

Para së gjithash, mendoj se duhet të pranojmë se asnjë qeveri nuk është përballur ndonjëherë me kaq kriza në një kohë kaq të shkurtër. Dhe besoj se i ka përballuar me sukses. Shumë prej nesh që janë të vetëdijshëm për shkallën e sfidave e kuptojnë se asgjë nuk ishte e lehtë apo e dukshme. Nuk ishte e qartë, dhe po ju them këtë sepse kam luftuar shpesh për të, që Europa më në fund do të njihte kufijtë e Greqisë si kufijtë e BE-së. Ballafaqimi me valën e migracionit dhe armatimin e saj nga [Presidenti turk] Erdogan nuk ishte i qartë. Gatishmëria dhe gjakftohtësia me të cilën u përballëm me krizën me Turqinë në verën e vitit 2020. Menaxhimi i pandemisë ishte veçanërisht i vështirë, sepse Sistemi Kombëtar Shëndetësor ishte i zhveshur pas 10 vitesh masash shtrënguese dhe këtij sistemi I ra barra të mbante mbi supe një pandemi. A u bënë gabime? Sigurisht që po. Por, në bilanc, rezultati ishte pozitiv. Natyrisht, ka pasur raste kur rezultatet nuk kanë qenë të kënaqshme dhe kryeministri ka pranuar gabimet dhe mungesën e koordinimit. Për shembull, mënyra se si e trajtuam emergjencën e fundit të motit nuk mund të përfshihet në sukseset e qeverisë.

Jeni e shqetësuar për raundin e ri të përshkallëzimit nga Turqia dhe rikthimin në verën e vitit 2020? A mendoni se një takim me Erdoganin do të ishte i dobishëm tani?

Jam e shqetësuar për stabilitetin e brendshëm të Turqisë. Ne nuk urojmë destabilizimin e vendit fqinj, nuk është në dobinë tonë. Konkurrenca në retorikë nxitëse është bërë pjesë e konkurrencës elektorale mes qeverisë [turke] dhe opozitës dhe kjo sigurisht nuk i ndihmon përpjekjet për dialog. Do të përsëris deklaratën e kryeministrit, se dera jonë është e mbyllur për kërcënime, por dritarja mbetet gjithmonë e hapur për dialog.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.