A mund të dënohen ata që luftojnë në konflikte të huaja?
Deklarata e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov se në Ukrainë janë përfshirë shtetas shqiptarë si ushtarë, ka hapur debatin e krijuar nga ligji shqiptar për pjesëmarrje në aktivitete ushtarake jashtë vendit.
Kodi Penal parashikon në tre nene kriteret e dënimit të akteve të tilla duke pretenduar një juridiksion mbi shtetasit shqiptarë që luftojnë jashtë, që mbetet teorik dhe fare formal. Madje në kundërsens të parimit bazë se çdo njeri është i lirë të zgjedhë sistemin e vlerave që beson.
Teorik dhe qesharak sepse shteti shqiptar nuk di ku ka njerëzit e vet, ai nuk ka ende një adresar dhe as është në gjendje ta realizojë atë.
Formal sepse kufizime të tilla penale interferojnë si masë represive përkundrejt një vullneti që konteston opsionalisht me çdo mjet rendin ekzistues duke riaktualizuar një solidaritet ndërnacional apo ideologjik që pasqyron mungesën e konsensusit në një shoqëri. Dhe arritjen e një objektivi të besuar se është i drejtë…
Po ky Kod Penal paashikon sanksione penale për marrëveshje që “shkaktojnë ndërhyrje të armatosur ndaj Shqipërisë”, duke presupozuar autoritetin absolut të institucioneve të zgjedhura(!) për të normuar sanksione, por edhe nje kredenciale fare arbitrar për të ndarë “anën e mirë” nga “ana e keqe”.
Neni 212 p.sh parashikon dënim me burg për ata që bëjnë marrëveshje të tilla dhe ne këtu mund të sjellim në mendje se Ahmed Zogu, Enver Hoxha do ishin dënuar me burg sot, ndërkohë që ata janë themelues të rendit juridik që kemi sot, të paktën si shkaktarë.
Si e zgjidh kjo dispozitë p.sh faktin që Shqipëria miraton vendosjen e komandës së forcave speciale amerikane në vend, apo tregon gatishmëri për ndërhyrje ushtarake në Ukrainë në kuadër të NATO-s, duke provokuar eventualisht kundërpërgjigjen ushtarake nga Rusia? E cila së fundmi ka kërkuar zyrtarisht të dijë se si e kupton Shqipëria, qeveria e saj, parimin e pandashmërisë së sigurisë…
Rendi i sotshëm si çdo rend, është bazuar mbi disa parime që të reduktuara postulojnë një botë manikeiste, në konflikt mes të mirës dhe të keqes. E keqja u gjend te regjimet totalitare të shekullit të 20-të dhe mesa duke parimet e të drejtave të njeriut që kaq shumë janë inkorporuar në kodet e vendeve të ndryshme, janë përveçse një reflektim mbi jetën dhe përparimin, apo mesazhit fetar të inçizuar thellë në Perëndim, edhe refluks korrigjues ndaj territorit represiv të gjeneruar nga shekulli i 20-të. Mirëpo ai rend nuk ka sesi të pranohet pa solidaritetin ndërkombëtar të individëve, mes të cilëve edhe p.sh Vullnetarët e Luftës së Spanjës që sot do ishin rrasur në burg siç u rrasën dje nga regjimet e ekstremit të djathtë.
Dikush mund të thotë se ligji penal merret me një akt konkret. Dakord. Por një akt konkret si ky që buron nga një besim i caktuar, apo edhe motivime të tjera, por që kanë si investime themelor Jetën e një individi, të drejtën mbi të cilën e ka vetëm Ai, nuk mund të penalizohet nga një e drejtë nacionale dhe një entitet që pretendon juridiksion pse lëshon një pasaportë. Sepse në një luftë në fakt përballen dy narrativa dhe historia provon se dukuri apo përballje të tilla sizmike në fakt riformulojnë rendin e marrëdhënieve në suazën e të cilave ka vetëm fitues ose humbës, por vështirë se mund të ketë fajtorë.
Jemi pasojë e akteve të tilla, të kryera dikur, të cilat i kemi nderuar pse u njohën si në shërbim të progresit dhe sot apelojmë për ndëshkim të të njëjtave akte pse nuk na konvenon duke provuar se karakterin konservator dhe të tejkaluar të rregullimeve në fuqi.
s.zaimi
Add new comment