Macron merr përsipër rolin e negociuesit: Perëndimi duhet të bëjë ca lëshime
Presidenti francez Emmanuel Macron është optimist se mund të ulë tensionet Ukrainë-Rusi. Megjithatë, kjo nuk do të vijë pa kosto. Një ditë para vizitës së tij në Moskë, ku do të takohet me homologun Vladimir Putin, por la të kuptohet se vendet perëndimore mund të duhet të bëjnë lëshime ndaj Kremlinit.
Kjo qasje e tij për kompromis diplomatik mund të mos pritet mirë nga ata që mbrojnë një linjë më të ashpër ndaj Rusisë, veçanërisht në kryeqytetet e Evropës Qendrore dhe Lindore që i frikësohen agresionit rus. Në një intervistë me të përjavshmen Journal du Dimanche para largimit të tij, Macron jo vetëm minimizoi frikën se ambicia e vërtetë strategjike e Putinit ishte të pushtonte Ukrainën, por gjithashtu i zgjati një degë ulliri Rusisë, duke thënë se e kuptonte nevojën e Moskës për të mbrojtur interesat e saj të sigurisë.
“Intensiteti i dialogut që kemi pasur me Rusinë dhe kjo vizitë në Moskë ka të ngjarë të parandalojë zhvillimin e një operacioni ushtarak. Më pas ne do të diskutojmë kushtet e de-përshkallëzimit", është shprehur ai.
Unë kam qenë gjithmonë në një dialog të thellë me Presidentin Putin dhe përgjegjësia jonë është të ndërtojmë zgjidhje historike
Putin ka vendosur rreth 130 000 trupa në kufijtë e Ukrainës, çka e ka shtuar frikën e një pushtimi të mundshëm.
Por sipas Macron, pushtimi nuk është qëllimi përfundimtar i Putinit. “Objektivi gjeopolitik i Rusisë sot nuk është qartësisht Ukraina, por qartësimi i rregullave të bashkëjetesës me NATO-n dhe BE-në”, tha ai.
Rusia ka një sërë kërkesash që nga moszgjerimi i NATO-s, veçanërisht në drejtim të lindjes në Ukrainë, dhe mbajtja e infrastrukturës së saj ushtarake aty ku ishte në 1997. Shumë anëtarë të NATO-s po e hedhin poshtë listën e dëshirave të Rusisë, dhe vende si SHBA, Britania, Polonia dhe Turqia po furnizojnë me armë Kievin në përpjekje për të penguar Putinin të kalojë kufirin.
Macron, megjithatë, thotë se Rusia ka të drejtë kur kërkon t’i negociojë garancitë e sigurisë. “Siguria dhe sovraniteti i Ukrainës apo i ndonjë shteti tjetër evropian nuk mund të jetë objekt kompromisi, ndërkohë që është legjitime që Rusia të shtrojë çështjen e sigurisë së saj”.
Megjithatë, arritja e një marrëveshjeje mund të nënkuptojë heqjen dorë nga diçka. “Duhet të jemi shumë realistë. Ne nuk do të marrim lëvizje të njëanshme, por është thelbësore të shmangim një përkeqësim të situatës përpara se të ndërtojmë mekanizma dhe gjeste reciproke besimi”, argumentoi ai.
Add new comment