"Departhenon" irriton Ministrinë greke të Kulturës
Ministria e Kulturës në Greqi nisi një hetim pas publikimit në internet të një filmi të shkurtër, në të cilin dy meshkuj shfaqen në skena seksi në Akropolin e lashtë në Athinë.
Filmi 36-minutësh, i titulluar "Departhenon", u publikua më 21 dhjetor, por autoritetet greke e mësuan ekzistencën e tij vetëm këtë javë.
Ministria e Kulturës thotë se nuk ka dhënë leje për xhirimet e filmit “Acropolis”.
Sajti arkeologjik i Akropolit nuk është i përshtatshëm për aktivitete të kësaj natyre që shkaktojnë ofendim dhe mungesë respekti për monumentin, tha ministria në një deklaratë.
Filmi përmban disa skena eksplicite që përfshijnë aktorë meshkuj dhe femra, fytyrat e të cilëve nuk shfaqen. Skena në Akropol tregon dy burra duke bërë seks ndërsa qëndrojnë brenda një rrethi të formuar nga aktorë të tjerë. Ndërkohë, skena përfshin vizitorë të Akropolit që kalojnë aty pranë.
Producentët e filmit mbeten anonimë, megjithatë, siç citohen nga Associated Press, janë shprehur se filmi është njëkohësisht "vepër arti dhe aksion veprim politik".
Spyros Bibilas, presidenti i Shoqatës së Aktorëve Grekë, e përshkroi filmin si të turpshëm.
“Nuk mund të bësh gjithçka në emër të aktivizmit. Në fakt, unë nuk e konsideroj këtë si aktivizëm. Si grek, ndihem i turpëruar”, tha ai për rrjetin televiziv Antenna.
Add new comment