Rusia dhe Serbia fajësojnë shërbimet sekrete të huaja për protestat në Kazakistan
Rusia thotë se protestat e ditëve të fundit në Kazakistan janë nxitur nga jashtë dhe kanë për qëllim të minojnë sigurinë e vendit. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Rusia do t’i ndihmojë autoritetet kazake për të ndaluar dhunën në vend dhe për të rikthyer normalitetin.
“Ne i konsiderojmë ngjarjet e fundit në një vend mik si një përpjekje e frymëzuar nga jashtë për të përdorur grupe të armatosura dhe të trajnuara me forcë për të minuar sigurinë dhe integritetin e shtetit”, tha ajo.
Synimi i Rusisë mbetet një konsultim me autoritetet kazake dhe Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) mbi një lëvizje që përfshin operacione kundërterrorizmi dhe bllokimin e infrastrukturës kritike.
Të njëjtin qëndrim si Rusia mbajti edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili fajësoi shërbimet e huaja të inteligjencës si dora pas protestave masive në Kazakistan.
Ditët e fundit, qytetarë kazakë të rajoneve të ndryshme dolën në protestë për të kundërshtuar rritjen e çmimit të gazit. Nga përplasjet ka pasur disa viktima dhe rreth njëmijë të plagosur, si në radhët e protestuesve edhe në ato të policisë.
Add new comment