SHBA kundër "Traktatit të Novisadit"
Mospërfshirja e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në “Ballkanin e Hapur” e bën nismën jofunksionale. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se iniciativat rajonale duhet të jenë të hapura për të gjitha shtetet në mënyrë të barabartë.
“Mbështetja për Open Balkan do të bëhet në bazë të kushteve që nisma të jetë hapur për të gjithë. Duhet anëtarësim i barabartë dhe jo shpërqendrim nga aspiratat evropiane”, tha ai gjatë konferencës për “Ballkanin e Hapur” që u mbajt në Kuvendin e Serbisë, përmes një lidhjeje live.
Escobar paralajmëroi që sfida për “Ballkanin e Hapur” mbeten kontrolli i kufijve pas hapjes së tyre, ulja e korrupsionit dhe ulja e kontrollit shtetëror në ekonomi.
“Krahas kësaj, është me rëndësi që këto tre shtete të cilat iniciuan ‘Ballkanin e Hapur’ të mbesin të hapura dhe të bisedojnë ngushtë edhe me tre partnerët e tjerë që mbesin skeptikë”, shtoi Escobar.
“Ballkani i Hapur”, një iniciativë e ideuar nga kryeministri Rama, presidenti serb Vuçiç dhe kryeministri maqedonas, Zaev, përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parasheh lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve e njerëzve mes këtyre tre shteteve.
Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e “Ballkanit të Hapur”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka refuzuar pjesëmarrjen, duke e cilësuar nismën “një rikthim i Jugosllavisë së dikurshme”.
Edhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, doli kundër nismës kur ajo u propozua për herë të parë, duke thënë se Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet.
Add new comment