Në Europë nis të përhapet gripi i shpendëve
Disa vatra infeksioni të gripit të shpendëve, H5N1, një sëmundje shumë ngjitëse, janë shfaqur nëpër fermat e Polonisë, duke prekur mbi gjysmë milioni zogj. Një shpërthim i ngjashëm u konfirmua edhe në Angli të hënën.
Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE) i zbuloi rastet në Poloni të hënën dhe njoftoi se pesë u dokumentuan vetëm në pjesën lindore të vendit.
Gati 650 000 shpendë në fermat e vendit janë kontaminuar me gripin e shpendëve, bëri të ditur OIE.
Në një deklaratë të lëshuar nga kryeinspektorati Veterinar i Polonisë të shtunën, organi tha se zbaton masat e kontrollit të sëmundjeve në fermat që vuajnë nga shpërthimet e gripit të shpendëve. Këto veprime mund të përfshijnë vrasjen e kafshëve të infektuara, pastrimin e thellë dhe dezinfektimin e zonave të kontaminuara dhe krijimin e zonave të caktuara infektive.
Varshava nuk është e vetmja që po përballet me shpërthimin e gripit të shpendëve. Një zonë mbrojtëse prej 3 km, si dhe një rreze prej 10 km për qëllime mbikëqyrjeje, u krijua të hënën në qarkun Warwickshire, në Britani, pas një shpërthimi të llojit vdekjeprurës të gripit në një njësi të vogël shpendësh.
Pronarëve të shpendëve në këtë zonë do t'u kërkohet të regjistrojnë detajet e çdo vizitori, për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Ndërkohë, çdo pronar në sferën 3 km do të duhet të izolojë zogjtë.
Vlerësohet se H5N1 ka një shkallë vdekshmërie prej rreth 53% te njerëzit që infektohen nga kjo sëmundje pas kontaktit me shpendët e infektuar. Midis 2003 dhe tetorit 2021, 863 infeksione njerëzore me H5N1 janë regjistruar globalisht, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku 456 prej tyre kanë rezultuar fatale.
Add new comment