Shpenzimet ushtarake, 6.5 fishi i fondit që do të çrrënjoste urinë
Çdo minutë, në botë rrezikojnë vdekjen nga uria 11 persona, pothuajse dyfishi i viktimave të shkaktuara nga Covid 19, i cili vret 7 persona në minutë.
Shifra ka dalë nga një raport i Oxfam, i cili analizon shkaqet dhe dinamikat e rritjes eksponenciale të urisë globale që nga fillimi i pandemisë: 155 milionë njerëz aktualisht preken nga pasiguria ushqimore ose kequshqyerja, ose 20 milionë më shumë se vitin e kaluar.
Lufta mbetet shkaku kryesor i urisë: 2 në 3 persona - pothuajse 100 milionë në 23 vende - jetojnë në zona në konflikt. Mbi gjysmë milioni më shumë njerëz vitin e kaluar e gjetën veten në prag të urisë: një numër gjashtë herë më i lartë se 12 muaj më parë. Kriza ekonomike dhe përkeqësimi progresiv i emergjencës klimatike i shtohen ndikimit të konflikteve të vazhdueshme, pavarësisht apelit të Sekretarit të Përgjithshëm të KB, Antonio Guterres, mbi një vit më parë, për një armëpushim global. Papunësia globale në rritje dhe ndërprerjet e zgjatura në ciklin e prodhimit të ushqimit - të cilat kanë ndodhur në shumë vende gjatë vitit 2020 dhe që nga fillimi i 2021-shit - kanë shkaktuar një rritje prej 40% të çmimeve globale, më e larta e 10 viteve të fundit.
Situata më e vështirë paraqitet për afganët, etiopianët, sudanezët e jugut, sirianët dhe Jemenasit. Sipas të dhënave të fundit, 350 mijë njerëz në rajonin etiopian të Tigrait tani jetojnë në këtë gjendje, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga konflikti i vitit 2011 në Somali, kur më shumë se 250 mijë njerëz vdiqën nga uria. Në Jemen, më shumë se gjysma e popullsisë (mbi 15 milionë njerëz) është në rrezik, më shumë se 6 vjet e gjysmë pas fillimit të konfliktit, i cili deri tani ka shkaktuar qindra mijëra viktima.
Por, pavarësisht nga pandemia, shpenzimet ushtarake globale janë rritur me 51 miliardë dollarë, një shifër gjashtë herë e gjysmë më e lartë se fondi i përgjithshëm i kërkuar nga Kombet e Bashkuara për të luftuar urinë në rritje në të gjithë botën. Konfliktet e vazhdueshme çuan gjithashtu në një rekord prej 48 milionë personash të zhvendosur brenda vendeve të tyre në fund të vitit 2020.
Pandemia gjithashtu ka thelluar jashtëzakonisht pabarazitë: pasuria e 10 njerëzve më të pasur në planet vitin e kaluar u rrit me 413 miliardë lekë, ose 11 herë më shumë sesa vlerësimi i Kombeve të Bashkuara do të ishte i mjaftueshëm për të financuar të gjithë përgjigjen humanitare globale.
Add new comment