U gjet zgjidhja: Nis vettingu i shezlong(j)eve

Postuar në 29 Qershor, 2021 15:56

Në verën e vitit 2020, qeveria me në krye kryeministrin Rama, ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Sandër Lleshi dhe ministren e Financave, Anila Denaj, nisën një aksion kundër zënies së hapësirave publike në plazhe. Polici që hiqte shezlongë dhe çadra, gjova dhe intervista, përbetime se ligji do zbatohet dhe se plazhet janë të popullit, gjëmuan ato ditë të nxehta duke shtuar drithmën shpresëmirë se shteti po bëhej.

Sa keq! Shteti qenka ende rrugës. Edhe për çështje shezlogësh dhe çadrash, përderisa edhe këtë verë po merremi sërish me këtë punë. Kryeministri Rama ka folur në vetë të parë sot për këtë çështje. Nga maja e mandatit të tretë, pasi ka zgjidhur hallet e panumërta të shqiptarëve që kanë mbetur pa ikur, z. Rama sot ka njoftuar se shezlongët e paligjshëm janë çështje shtetërore me prioritet.

Një gjë është e padiskutueshme se ajo çka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir ose me pahir dhe unë dua t’i bëj thirrje sot të gjithë atyre subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionin që të largohen nga sipërfaqet që nuk u takojnë me ligj dhe me rregull.

Policia e Shtetit do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojnë çdo lloj çadre a shezlongu tjetër ndihmëse që nuk është e përputhur me bazën dokumentare të subjektit.

Plazhet janë të popullit dhe për aq sa subjektet private janë të përfshira në garantimin e një sezonin turistik janë edhe të tyre si përgjegjësi, aty ku kjo përgjegjësi u është njohur ligjërisht

tha Rama.

Bie ne sy fraza: Plazhet janë të popullit!  A mundet të mos qeshësh me këtë lloj blici verbal që ta verbon shpirtin me normën e drejtësisë dhe sovranitetit që shkrepëtin nga goja e lideri të madh të Ballkanit? Z. Rama po flet për plazhet që janë të popullit, që nuk janë të mbyllura si në Rodon apo Palasë dhe Dhërmi. Apo që vrasin njerëz si në Hamallaj. Ku janë vallë këto plazhe të popullit? Ku është ky shtet që në vitin 2021 nuk po di të bëjë hall me zbatimin e një ligji që e ka miratuar po vetë?

Ku kanë mbetur reformat e mëdha shtetformuese që nuk gjejnë rrugë në zgëqet e plazheve të Perlës së Mesdheut? Si vallë tallet historia kështu në këto anë me bijtë më të mirë të këtij populli, që sapo nisin me zulmë aksionin kundër ndërtimeve pa leje, u nakatosen këmbët në rripa shezlongësh dhe çadrash?

Është një rebus I vështirë të gjesh rrugën e normalitetit psikik në këtë shoqëri që nuk po di të vendosë raport të qëndrueshëm me territorin ku jeton. Është një rebus që do dojë kohë të zgjidhet pa eksesin themelor që sjell padrejtësia dhe pabesia edhe shtetërore. Sepse ne e dimë shumë mirë që në thuajse të gjitha konfliktet që lindin e mahisen në këtë vend ka dorë politika, ose ajo që mund të quhet politikë. Përndryshe është e pakuptueshme sesi mundet që çdo gjë të shkojë shtrembër, që çdo gjë të ketë një defekt, mangësi dhe të prodhojë probleme.

s.zaimi

Comments

Submitted by Prostituta Komb... (not verified) on

Cfare te beje Mafia ne Tirane?!
Te vjedhe e te grabise apo te beje shtet!
Nuk kane kohe ti bejne te dyja o njerez, ndajeni mendjen!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.