“Vuloset” përfundimisht marrëveshja e detit mes Greqisë dhe Italisë

Postuar në 30 Maj, 2021 12:43

Senati italian ratifikoi të premten marrëveshjen detare me Greqinë, e cila përcakton kufijtë e zonave ekskluzive ekonomike mes dy vendeve të BE-së. Me 223 vota pro dhe vetëm dy kundër, e nënshkruar në qershor të vitit të kaluar pritet të hyjë në fuqi.

Miratimi i marrëveshjes u përshëndet nga Ministria e Jashtme greke, e cila reagoi me një deklaratë në faqen e saj zyrtare.

"Kjo marrëveshje, e cila pritet të hyjë në fuqi në të ardhmen e afërt, riafirmon angazhimin e Greqisë dhe pothuajse të gjitha vendeve fqinje për të drejtën ndërkombëtare, në veçanti Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit (UNCLOS), e cila reflekton ligjin ndërkombëtar, i detyrueshëm për t’u respektuar dhe zbatuar nga të gjitha shtetet", thuhet në deklaratë.

Ky reagim është njëkohësisht edhe një referencë indirekte për Turqinë, e cila vazhdon të shkelë të drejtat sovrane të Greqisë dhe Qipros në zonën e Mesdheut Lindor.

Marrëveshja detare midis Greqisë dhe Italisë u arrit në qershor të një viti më parë dhe u nënshkrua nga dy ministrat e Jashtëm, Luigi di Maio dhe Nikos Dendias, në Athinë.

Ajo është në fakt një zgjatim i marrëveshjes së mëparshme për kufijtë detarë të nënshkruar nga Italia dhe Greqia në 1977 dhe pritet të hapë rrugën edhe për një marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, e ka cilësuar marrëveshjen një model të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Çfarë është një zonë ekonomike ekskluzive?

Koncepti i një zone ekonomike ekskluzive është miratuar në 1982 në Konferencën e Tretë të Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit. Në bazë të tij, një shtet sovran ushtron të drejta të veçanta në lidhje me kërkimin dhe përdorimin e burimeve detare, duke përfshirë mjetet alternative të prodhimit të energjisë nga uji dhe era.

Zona ekonomike ekskluzive shtrihet përtej ujërave territoriale të vendit, deri në 200 milje detare nga bregu, ndërsa juridiksioni i shtetit bregdetar ka të bëjë me shtratin e detit dhe ujërat nën nivelin e detit, këto të fundit zyrtarisht i nënshtrohen juridiksionit ndërkombëtar.

Lidhur me ujërat territoriale dhe shelfin kontinental të vendeve të ndryshme, nëse zonat ekonomike ekskluzive të dy vendeve mbivendosen dhe bashkëveprojnë me njëra-tjetrën, u takon vendeve fqinje të përcaktojnë saktësisht kufijtë e tyre detarë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.