Të bëhemi pak budallenj të dobishëm e ta besojmë SHBA

Postuar në 25 Maj, 2021 10:32

Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, morën më në fund informacione të besueshme për aktet korruptive të Sali Berishës. Dhe sapo një gjë e tillë ndodhi, SHBA vepruan duke e shpallur atë non grata, një akt analog p.sh me heqjen e qytetarisë romake dikur.

Por nga erdhën këto informacione në një shtet që thuhet se ka 17 agjenci për shërbimet inteligjente? Këtë çështje duket se e ka zgjidhur Vizion Plus që i është drejtuar ambasadës amerikanë në Tiranë me dy pyetje:

A ka pasur ky vendim ndikim nga Qeveria e Shqipërisë? A ka lidhje ky vendim me procesin zgjedhor?

Përgjigja ka qenë: 

Sekretari i Shtetit mori informacion të besueshëm në lidhje me përfshirjen e Berishës në korrupsion të rëndësishëm dhe përpjekjet për të ndërhyrë në proceset publike dhe përvetësimin e fondeve publike në Shqipëri.

Me këtë veprim, qeveria e Shteteve të Bashkuara po bën të qartë se ne nuk do të angazhohemi, dhe si rrjedhim, nuk do t’u japim kredibilitet dhe mbështetje, individëve të korruptuar si Berisha, një individ që Sekretari i Shtetit ka përcaktuar se ka kryer veprime korruptive në kurriz të popullit shqiptar

Mirëpo kjo përgjigje na kërkon të gjithëve që të bëhemi pak budallenj, në mos debilë për ta pranuar atë si logjike, sa kohë që Berisha ka 8 vjet që nuk kryen asnjë funksion publik. Përsërisim: vendimi i DASH është akt Sovran i një shteti tjetër, por ai gjykohet për rrjedhojat publike që gjeneron në Shqipëri, ku deri më tani SHBA prezantohet si kriteri moral përveçse si superfuqia që vendos rrjedhat politike të një vendi të tërë.

Në këtë kuadër pyetja më normale që të vjen ndërmend është fare e thjeshtë: pse tani ky informacion dhe pse tani ky publikim? Meqenëse na thuhet se demokracia është edhe procedurë, padyshim që procedura e ndjekur për shpalljen e kësaj të vërtete ka rëndësinë e vet jo të vogël. Përndryshe ne duhet të bindim veten që jemi ata indigjenët që shesin çdo gjë për ca pasqyra.

s.zaimi

Comments

Submitted by g.o.n.e. (not verified) on

Zhurme dhe tymnaje per largimin e vemendjes nga "zgjedhjet" e 25 prillit; smoke and mirrors, me gjuhen e amerikaneve.

1996-a po luhet pak ndryshe ne 2021, te shohim si do luhet 1997-a, nese do te luhet prape ndonjehere, se mund te pesojme edhe fatin e indigjeneve...

Submitted by Blanco (not verified) on

Thelbi i diskutimit eshte qe Berisha eshte nje individ i korruptuar, i cili per hir te pushtetit ka korruptuar edhe gjithe shoqerine. Se kur Departamenti i shtetit e ka pranuar publikisht kete fakt, dhe per cilat arsye, eshte nje problem per te cilin shqiptaret nuk kane asgje ne dore dhe per te cilin shqiptaret nuk jane pyetur dhe nuk do te pyeten ndonjehere. Por thelbi mbetet, dhe nuk mund te anashkalohet as me pyetje retorike, as me psheretima proceduriale: Sali Berisha eshte nje qenie primitive politike, eshte i korruptuar, eshte faktor destabiliteti, ka shfaqur se fundmi edhe shenja debiliteti, prandaj duhet te shporret. Nese kundershtaret e tij socialiste jane po aq te korruptuar dhe do te duhej qe edhe ndaj tyre te merreshin masa te ngjashme, nuk e zvogelon as e relativizon te verteten: Berisha duhet te ike sepse nder te tjera, na ka çare dhe trapin dhe s po le te mbije asgje pas tij ne kete vend.

Submitted by g.o.n.e. (not verified) on

Ndoshta të ka shpëtuar ky fakt, por Berisha ishte i ikur për tetë vite nga qeveria dhe nga politika aktive. Tani po kthehet prapë në saj të amerikanëve - thank you mr Blinken! Akuzat pas pilafit për korrupsion - dhe jo nga gjykatat shqiptare por nga një qeveri e huaj, që e quante Berishën "burrë shteti", sa kohë ai ishte në pushtet - janë fishekzjarre dhe saçma politike, për të mos lejuar opozitën dhe opinionin publik të merret me blerjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit, për ta bërë "kapitull të mbyllur".

Dhe sa për faktor destabiliteti në Shqipëri dhe gjetkë, nuk ka destabilizues më të madh në një vend se sa një regjim që nuk lejon më zgjedhje të lira. Zgjedhjet e 25 prillit ishin si zgjedhjet e '96-ës, vetëm se kësaj here votat nuk u vodhën, por u blenë me para në dorë, me miratimin dhe mbështetjen e plotë të "Rrugës së Elbasanit". Se si vazhdoi '96-a, këtë e dimê, të presim si do shkojë '21-i.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.