Pendarovski: Ngërçi i zgjerimit ushqen nacionalizmin në Ballkan

Postuar në 29 Prill, 2021 20:18

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, thotë se ngërçi i procesit të zgjerimit gjeneron në Ballkanin Perëndimor idetë e ndryshimit të kufijve. Në një intervistë për Euronews, Pendarovski shprehet se dokumenti jozyrtar që besohet se ka dalë nga zyra e kryeministrit Slloven, Janez Janša, për ndryshim të kufijve të vendeve që u formuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, është një ide e rrezikshme, që rrezikon të përgjakë Ballkanin sërish.

Pas takimit tuaj me shefin e politikës së jashtme të BE, ju thatë se ngërçi i integrimit evropian dërgon mesazhe të dëmshme në Ballkanin Perëndimor dhe ndikon negativisht në stabilitetin në rajon. Çfarë ndodh nëse procesi i anëtarësimit nuk përparon në vende si tuajat?

Kjo do të thotë, ngritje e populizmit, e nacionalizmit, kthim prapa në terma ekonomikë dhe madje krijimi i një atmosfere në të cilën është e mundur të flasësh, të prodhosh, dokumente jozyrtaret, në të cilat  mund të hedhësh ide anakronike në shekullin XXI, në vitin 2021, si ajo e ndryshimit të kufijve pas 30 vjetësh investim të madh nga ana e evropianëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Natyrisht pasojë janë edhe të gjitha vështirësitë ekonomike dhe të tjera që njerëzit kanë kaluar. Ky është rezultati përfundimtar i kësaj politike zgjerimi.

Ky dokument jozyrtar është shpërndarë, duke sugjeruar ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor. Çfarë dini për këtë?

Asgjë më shumë sesa dinë zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, ose të paktën ata më thanë se nuk dinë asgjë për këtë. Kur pyeta pse nuk janë më të zëshëm në këtë drejtim, sepse ata duhet t'i dënojnë këto ide, pavarësisht kush është krijuesi, shefi i politikës së jashtme, Borrell, ishte mjaft aktiv në këtë drejtim dhe i dënoi ide të tilla. Por unë u kërkoj të gjithëve herë pas here, në të gjitha nivelet e Bashkimit Evropian, t’i dënojnë këto ide, sepse ato janë shumë të rrezikshme, veçanërisht në një rajon që është përgjakur nga një seri luftërash. Në vitet ‘90 më shumë se 100 000 njerëz u vranë në të gjithë rajonin, miliona të tjerë u shpërngulën. Pra, më të mirët lanë rajonin dhe vendlindjet e tyre për një kohë të pacaktuar. Tani nëse dikush po përpiqet të rikrijojë atmosferën në të cilën mund të flasim për ndryshimin e kufiijve, unë mund t'ju them si dikush që i ka kaluar të gjitha këto, jo si njerëzit në Bosnjë-Hercegovinë. Ne dimë diçka për Maqedoninë e atëhershme dhe këtë që është sot: nuk mund t’i ndryshosh kufijtë në Ballkan dhe të jetosh i qetë pa u pasuar nga një banjë gjaku. Kaq e thjeshtë është”.

A ka ndonjë rrethanë në të cilën ju do të pranonit ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor?

Jo, jo. Do të shihnim vuajtje të tmerrshme të njerëzve, të njerëzve të zakonshëm. Ata që po vizatojnë hartat në tryezë, ata kurrë nuk vuajnë, vuajnë njerëzit e thjeshtë. Dhe na mjafton kjo në historinë e Ballkanit.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.