Shqipëria anormale e para dhe pas 25 prillit

Postuar në 01 Mars, 2021 22:06

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka rifilluar sërish me kapitullin e qametit në Shqipëri. Gjatë një interviste televizive sot z. Meta ka folur për prerje duarsh, për jetën, sakrifica sublime dhe Petro Nini Luarasin. Ai ka shtuar se nëse dikush prek votën do përballet me të paimagjinueshmen. 

Çështja në fjalë është e njohur. Dhe nuk befason kënd. Z. Meta po bën garantin e rrugës për zgjedhjet ku hyn një opozitë që nuk ka të sigurtë gjë. Meqenëse z. Basha nuk ofron më kurrfarë besueshmërie dhe ndoshta as nuk do më të dalë në protesta për të kërcënuar qeverinë, këtë rol duket se e ka marrë presidenti. 

Çështja është e njohur edhe sa i përket kërcënimeve. Z. Meta ka kërcënuar edhe më parë, edhe një herë më parë se “më parë” e ja ku jemi në një Shqipëri ku e vetmja që është si kokrra e mollës është qeveria.

Këtu nuk kuptohet më nëse ky tension buron nga destabilizimi i z. Meta, apo nga ndonjë informacion për të cilin ne nuk kemi asnjë dijeni. Ajo që kuptohet është fakti se z. Meta si president asgjëson gjatë mbrëmjeve televizive kredencialet e vëna gjatë ditës me dekrete dhe kthim ligjesh. Sepse duhet të pranojmë se beteja më serioze e z. Meta – edhe për atë që ai e pretendon si betejë për demokraci – është beteja juridike. Dhe është një betejë gjatë së cilës atij nuk i kanë munguar fitoret.

Mirëpo z. Meta nuk mund të kompensojë me rolin e të ndërkryerit dobësitë fiziologjike të Lulzim Bashës, i cili e ka sjellë punën deri në atë pikë, saqë kur mendon se duhet thënë diçka për ato që ai (nuk) bën, sepse nis e të vjen gjynah se mos i bie në qafë. Është e njëjta gjë, por në të kundër me atë që ndodh me z. Rama, për të cilin shpesh krijohet ideja se nuk vlen të thuash gjë, sepse tanimë u mësuam me atë që ai është. Dhe ai është ai që është...shikoni Shqipërinë.

Ndaj kjo sjellje e Presidentit e anullon atë si rol, tashmë jo duke polarizuar skenën politike, por duke parodizuar përballjen. Askush nuk merr dot më seriozisht asnjërin prej këtyre zotërinjve që duke eliminuar çdo shpresë, në fakt kanë kontaminuar çdo aspekt të një normaliteti relativ prej nga ku mund të nisë një farë ndryshimi. Ndaj edhe ndoshta qameti që paralajmëron z. Meta po duket si çështje private, njësoj si Republika e Re e z. Basha, apo Shqipëria e Gjeneratës Tjetër e z. Rama. Si parathënie e një novele të lexuar sa herë. Janë tre karaktere në një rol, mishërojnë Shqipërinë e sotme me të gjitha vragat e veta.

Dikur z. Nano nxori nje devizë elektorale: Kush ka zemrën majtas, voton për socialistët.
Sot ka mbetur vetëm një devizë realiste: kush ka tru në kokë, voton për atë që ia do xhepi. Por kush është normal, nuk shkon të votojë. Sepse vetëm normale nuk është kjo politikë.

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.