Të tjera premtime për vendet e varfra/ G7, 7.5 miliardë dollarë për vaksinimin
Pak ditë pasi OBSH ngriti alarmin për shpërndarjen e padrejtë të vaksinave, liderët e G7-s angazhohen të ndihmojnë vendet e varfra. Udhëheqësit e fuqive ekonomike, që kontrollojnë pak më shumë se gjysmën e ekonomisë botërore, u zotuan sot të "intensifikojnë bashkëpunimin" dhe të financojnë shpërndarjen e vaksinave në vendet më të varfra të botës me 7.5 miliardë dollarë.
Takimi u zhvillua online.
"Sot, me angazhime të rritura financiare prej mbi 4 miliardë dollarë për ACT-A dhe COVAX, mbështetja kolektive e G7 arrin në 7.5 miliardë dollarë", thuhet në një deklaratë të klubit elitar, ku bëjnë pjesë Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe SHBA.
Megjithatë, asnjë prej tyre nuk ishte i gatshëm të thoshte me saktëi se sa vaksina do të ndanin me vendet më në nevojë dhe kur.
Kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti shpërndarjen e drejtë të vaksinave "një çështje themelore e drejtësisë", por shtoi se në vendin e saj nuk do të cenohet vaksinimi.
Ndërsa presidenti Macron kërkoi që Evropa dhe SHBA të caktojnë deri në pesë për qind të furnizimeve me vaksina për vendet më të varfra, raporton France 24.
Para samitit të G7, në një intervistë për "Financial Times", Macron ka kërkuar që Perëndimi të ndihmojë me vaksina Afrikën, ku jetojnë shumë familjarë të atyre që janë bërë tashmë shtetas francezë.
Macron shtoi se nëse Europa nuk bën atë që i takon, nga kjo situatë do të përfitojnë Rusia dhe Kina.
"Fuqia e Perëndimit, e evropianëve dhe amerikanëve, do të jetë vetëm një koncept, dhe jo një realitet",tha ai.
"Nëse duam që globalizimi ynë të ketë sukses ... ne duhet të adresojmë problemin e pabarazive në shoqëritë tona, me fqinjët tanë", tha Macron.
Samiti i së premtes mblodhi për herë të parë presidentina amerikan Joe Biden dhe kryeministrin italian Mario Draghi.
Udhëheqësit bënë thirrje për mbrojtje më të madhe kundër një pandemie të ardhshme, duke përfshirë eksplorimin e një traktati shëndetësor global.
Aktualisht, procesi i vaksinimit ka filluar në vendet e BE-së, megjithatë avancimi i ngadaltë i tij e ka lënë Bllokun prapa vendeve si Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Izraeli. Ndërkohë, programi Covax për vendet e tjera nuk është kthyer ende në realitet.
Add new comment