Ka apo nuk ka vend në spitalet Covid?
Dy ditë pasi njoftoi hapjen e spitaleve rajonale, fillimisht atij të Durrësit dhe më pas të Shkodrës, me qëllim lehtësimin e ngarkesës në katër spitalet Covid në kryeqytet, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, thotë se kapacitetet në Tiranë nuk janë ezauruar. Në një prononcim për mediat pasi inspektoi procesin e vaksinimit në “Air Albania”, në krah të kryeministrit Rama, Manastirliu tha se në spitalet Covid në Tiranë ka ende vende të lira.
“Kryeqyteti nuk i ezauruar në 4 spitalet Covid kapacitetetet. Përkundrazi, ka gjithmonë vende të lira. Prandaj hapen spitalet rajonale, në mënyrë që të krijohet disponibiliteti i nevojshëm të shtretërve për rastet që sipas protokollit, për spitalet rajonale dhe algoritmit për raste që duhet të vijnë në Tiranë për t’u trajtuar me ekspertizën që kanë spitalet Covid në Tiranë, të kenë mundësi të trajtohen. Pra çdo gjë është e organizuar sipas një protokolli specifik. Spitalet Covid kanë disponibilitet”, tha Manastirliu.
Por, ndryshe nga ministrja, zv.ministrja Eugena Tomini thotë se shtretër të lirë janë vetëm 12. Në një intevistë për MCN, Tomini shprehet se në 4 spitale janë ezauruar 90% e kapaciteteve.
Add new comment