Shpërthimi në Bejrut, kërkohet hetimi i një kompanie të regjistruar në Londër
Dy deputetë britanikë kanë kërkuar hapjen e një hetimi mbi një kompani të regjistruar në Britani, emri i të cilës del i lidhur me shpërthimin shkatërrues në Bejrut. Savaro Ltd është e regjistruar në Londër dhe në regjistrin e kompanive figuron pronare Marina Psyllou. Kjo e fundit, e kontaktuar ngë agjencia e lajmeve Reuters, është shprehur se në të vërtetë pronari është një tjetër, por nuk ka pranuar të bëjë publik emrin e tij.
Psyllou i referohet pronarit me termin anglisht UBO (ultimate beneficial owner), që në shqip do të përkthehej pronari fundor, i cili sipas rregullave ndërkombëtare të korporatave është personi që merr përfitimet nga transaksionet dhe përgjithësisht ka në pronësi të paktën 25% të kapitalit.
Hetimin për kompaninë e kanë kërkuar Margaret Hodge, deputete dhe ish-ministre, dhe John Mann, anëtar i Dhomës së Lordëve.
Shpërthimi në Bejrut vitin e kaluar vrau 200 njerëz. Shkak u bë një sasi e madhe e nitratit të amonit që mbahej në një magazinë në port, në pritje për t’u dërguar në Mozambik. Blerësi në Mozambik, FEM, e identifikoi kompaninë nga e cila e bleu nitratin si “Savaro”.
Në tjetër burim në Liban i ka thënë Reutersit se kontrata e shitjes së fertilizuesit mbante emrin e Savaro Ltd, kompani e regjistruar në Britani.
Add new comment