Zbulimi në Pompei/ Romakët e kishin traditën e ushqimit të rrugës që para 2 mijë vjetësh

Postuar në 26 Dhjetor, 2020 21:05

Pompei vazhdon të mahnisë botën me ato që dalin nga rrënojat e tij. Në gërmimet e reja që kanë rinisur për mirëmbajtjen dhe restaurimin e zonës Regio V ka dalë në sipërfaqe një termopol i ruajtur në mënyrë të përkryer. Mbi të është imazhi i një nimfe dhe kafshëve me ngjyra të ndritshme dhe të gjalla, saqë duken pothuajse tre-dimensionale.

Zbulimi na kthen pas në një kohë, në të cilën gjejmë ngjashmëri me atë në të cilën jetojmë. Termopoli është praktikisht kioska që shet ushqim të shpejtë në rrugët e shekullit XXI. Kjo do të thotë se romakët i kanë paraprirë rrjetet amerikane të street-food para dy mijë vjetësh.

Në fakt, në këto “kioska” të shumë shekujve më parë janë gjetur gjurmë ushqimi. Ishte zakon i pompeasve, si në të gjithë Romën antike, të konsumonin jashtë ushqime të nxehta dhe pije. Studiuesit e Parkut Arkeologjik të Pompeit tashmë po analizojnë materialin për të verifikuar se sa ky zbulim mund të zgjerojë njohuritë mbi zakonet e të ngrënit të epokës romake.

Gjurmë kockash

Gjurmë kockash janë gjetur në mbetjet e termopolit. Siç thuhet në njoftimin e zbulimit, këto fragmente kockash, me origjinë kafshësh, u gjetën brenda kontejnerëve të bërë në pjesën e banakut që përmbante ushqim të destinuar për shitje.

Një ide për llojin e ushqimit që tregtohej në këto pika e japin edhe vizatimet në pjesën e përparme. Piktura e rosës korresponon me një fragment kockash rose, që u gjet brenda njërit prej kontejnerëve, së bashku me mbetje derri, dhie, peshqish dhe kërmijsh, çka dëshmon larminë e madhe të produkteve me origjinë shtazore që përdoreshin për përgatitjen e vakteve të shpejta.

/ Corriere.it / Përktheu: Gazmira Sokoli / 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shume keq qe pronari i Termopolit paska qene grek dhe jo ilir apo pellazg.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.