Dy dështimet e Presidentit Meta

Postuar në 14 Dhjetor, 2020 01:34

Tri ditë më parë, Asambleja e Komisionit për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias) miratoi opinionin përfundimtar në lidhje me pyetjet që Presidenti i Republikës i kishte drejtuar më 21 tetor 2020 këtij institucioni të Këshillit të Evropës. Nga analiza e këtij opinioni dalin në pah dy dështime të mëdha të Presidentit Meta, të cilat po i analizojmë në vijim.

Në këtë opinion, institucioni më i rëndësishëm i mendimit juridik kushtetutes në Evropë, hodhi poshtë njëherë e mirë aludimet, kërcënimet dhe pretendimet (absurde) se Kuvendi aktual i Republikës së Shqipërisë është antikushtetues (ose i paligjshëm siç thotë Presidenti). Argumenti i tij se Kuvendi nuk është kushtetues pasi nuk përbëhët nga 140 deputetë siç e kërkon neni 64, pika 1 e Kushtetutës, mori këtë përgjigje nga Komisioni i Venecias (faqe 6, paragrafi 29):

Për më tepër, Komisioni i Venecias dhe ODIHR konsiderojnë se fakti që Parlamenti nuk është i përbërë nga numri i plotë i anëtarëve nuk është në vetvete problematik në funksion të standardeve ndërkombëtare, duke pasur parasysh se ai funksionon në përputhje me kuorumin e përcaktuar me Kushtetutë.

Pra, e gjithë teoria e madhe e Presidentit se vetëm ai është organi kushtetues legjitim në këtë vend rrëzohet përfundimisht nga një organ i specializuar siç është Komisioni i Venecias. Në këtë rast është për t’ia kujtuar në të ardhmen këtij Presidenti, gafat kushtetuese që ka bërë kundrejt institucionit kushtetues të Kuvendit. Minimalisht një burrë shteti duhet që të kërkojë ndjesë, por ndjesa nuk është në kulturën e këtij lloj “drejtuesi”.

Dështimi tjetër i madh është përpjekja e Presidentit për të deligjitimuar procesin zgjedhor të 25 prillit 2021. Megjithëse e dinte që vlera e opinioneve të Komisionit të Venecias është rekomanduese, synimi i tij ishte i qartë: një opinion negativ ndaj ndryshimeve të Kodit Zgjedhor do t’i jepte krahë që të sulmonte politikisht zgjedhjet e ardhshme.

Ky qëndrim, pra që vetë Komisioni i Venecias të përdorej politikisht duket dhe nga mënyra si ishin formuluar pyetjet që iu drejtuan këtij institucioni. Kështu pyetjet nuk ishin të hapura dhe neutrale, ishin paragjykuese, i mëshonin shumë mungesës së konsensusit, ndërkohë që këto nuk janë standarde që analizohen nga Komisioni i Venecias.

Megjithëse Komisioni i Venecias i vuri në dukje se do ishte mirë që të kishte konsensus midis palëve dhe proceset kushtetuese dhe ligjore të ishin më gjithëpërfshirëse, përsëri nuk i konsideroi problematike ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Në fakt prej 30 vitesh në Shqipëri çdo organizatë ndërkombëtare kërkon që të ketë procese sa më konsensual, kërkesë që forcat politike në Shqipëri rregullisht e injorojnë. Kështu ky qëndrim i Komisionit të Venecias nuk përbën një risi.

Ajo që është e pakonceptueshme për Presidentin Meta është që Komisioni i Venecias, nuk bazohet tek sjelljet politike të palëve, por tek mënyra e veprimit të institucioneve. Ndërkohë që Presidenti Meta (siç del nga pyetjet) u kufizua në aspektin politik të procesit, Komisioni i Venecias u përqendrua në aspektin juridik, një aspekt ky i pakuptimtë në përgjithësi për politikanët tanë.

Kështu Komisioni i Venecias refuzoi të kontrollonte kushtetueshmërinë e këtyre ndryshimeve (sipas fjalëve të vetë Komisionit, bazuar në praktikën e tij të konsoliduar), nuk i konsideroi thelbësore ndryshimet e bëra në sistemin zgjedhor, nuk konstatoi se ndryshohet raporti midis palëve nisur edhe nga zgjedhjet e kaluara dhe në fund propozon disa rekomandime që kanë synim përmirësimin e sistemit.

Pra dhe në këtë drejtim, kemi një dështim nga ana Presidentit, i cili megjithë dashurinë e tij për publicitet, nuk doli dhe nuk sqaroi qëndrimin e tij mbas këtij opinioni.

Ndoshta është momenti që z. Meta të mendojë se çfarë trashëgimie do të lërë në atë institucion mbasi të largohet dhe çfarë do të thonë librat e historisë dhe të së drejtës kushtetuese për të, kur deri më sot ka zbatuar standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve, mënyrën e dyshimtë e ushtrimit të kompetencave si edhe provokimin e një sërë konfliktesh të pakuptimta.

e.m

Comments

Submitted by Shqiptar (not verified) on

Pershendetje Res Publika, per mendimin tim keni bere nje artikull te qelluar dhe te pa anshem, dhe te verte.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.