Shqiptarçe si përherë/Tani edhe tamponët po bëhen me mik

Postuar në 05 Nëntor, 2020 16:57

Ministria e Shëndetësisë raporton në përditmëri se numri i tamponeve të kryer për gjurmimin epidemiologjik të të sëmurëve me CoVid-19 është rritur. Sot p.sh numri i tamponeve është 1744, ndërkohë që numri i rasteve të reja është 421. Në këto shifra përfshihen edhe tamponimet e klinikave private dhe raporti tamponim – infektim vazhdon të zhvendoset drejt uljes. P.sh më herë është thënë se gjurmimi quhet i mjaftueshëm kur shifra e tamponimeve është 10 herë më e lartë se ajo e infektimeve. Në rastin konkret nëse do të kishim 175 të infektuar, gjurmimi epidemiologjik do të quhej i mjaftueshëm.

Por ne jemi larg këtyre shifrave tashmë. Ne kemi një raport 1 me 4 çka na jep të kuptojmë se me vetë standardet e miratuara gjurmimi nuk po kryhet.

Për ta kuptuar këtë ne mjafton të mbajmë parasysh përvojë e përdtishme. Në një qytet si Tirana ku numri i infektimeve është shumë i lartë, është vënë re se institucionet publike nuk përgjigjen më në kohë për tamponim. Madje tamponi në kohë është bërë një mundësi me njohje. Tamponi ka rëndësi sepse lidhet me trajtimin dhe mundet të shmangë prorcedurën e skanerit që është e kushtueshme dhe shpesh e panevojshme.

Përfaqësues të MInistrisë së Shëndetësisë flasin për protokolle, por sa raste po raportohen për trajtim me antibiotikë të kombinuar që në fillesat e sëmundjes dhe pavarësisht se sa përparon ajo? Protokolli parashikon ritamponim dy herë pas 14 ditësh karantinë, në mënyrë që të quhesh i shëruar, ose 7 ditë për persona kontakti.

Zbatohet vallë një gjë e tillë? Sigurisht që jo. Pandemia po menaxhohet shqiptarçe, me miq e shokë, me të dëgjuar e lexuar në internet. Skanera dhe grafi që udhëtojnë nëpër celularë nga Shqipëria në Turqi, Itali, SHBA e Angli për t’u konsultuar me mjekë të huaj që japin diagnoza në distancë.

Oksigjen në shtëpi, antiviralë që blihen e pastaj nuk përdoren sepse “mjekësia me veshë” çfarë nuk të thotë. Vetëm të dalësh nga limboja e sëmundjes me një recetë që është më shumë faturë. E gjitha kjo situatë absurdse pse autoriteti i institucioneve ka rënë përtokë dhe aftësia menaxhuese është ajo e një ekipi bashibozukësh që rend ku është plaçka.

Nuk po duam të fyejmë mjekët dhe infermierët që kanë sakrifikuar, por puna e tyre është shndërruar në një kulturë kompromisi me mungesat që nuk varen prej tyre. Dhe që sërish na bën të mendojmë sesa jetimë jemi në shtetin tonë.

Sigurisht që do dalim nga kjo situatë, nga ky tunel i lodhshëm dhe I kushtueshëm. Por vallë do ndryshojë ndonjë gjë? Do kemi mësuar diçka përveç faktit që e dimë se duhet të ruhemi? Me gjasë jo. E parashohim qysh tani koncertin e suksesit me kryeministrin në krye që del e flet për heroizmin dhe profesionalizmin duke mbuluar pa asnjë skrupull atë karkasë që kutërbon prej vitesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.