Në Francë rritet frika e terrorizmit
Në Francë është rikthyer frika e sulmeve terroriste. Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, thotë se kërcënimi terrorist në Francë është "shumë i lartë" dhe për këtë do të shtohet prania e trupave policore në vendet fetare. Në një intervistë në France-Inter Radio, Darmanin tha se operacionet e sigurisë do të rriten në vendet ku grumbullohen besimtarë, ndërsa shtoi se duhet trajtuar "islamizmin e shfrenuar që po armatos njerëzit në mënyrë ideologjike".
Ai ka “vënë në shënjestër” dy grupe, OJQ Baraka City dhe CCIF (Kolektivi kundër Islamofobisë në Francë), të cilat sipas tij kanë promovuar radikalizmin.
“Ka një betejë kundër një ideologjie islamike. Ne nuk duhet të tërhiqemi", tha Darmanin, duke shtuar, megjithatë, se feja myslimane "e ka vendin që i takon në Francë".
Ministri gjithashtu reagoi ndaj Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për kritikat e tij ndaj komenteve të ashpra të Emmanuel Macron mbi islamin radikal, duke thënë se liderët e huaj nuk kanë të drejtë të përzihen në problemet e brendshme të Francës.
Angazhimi i qeverisë franceze kundër ekstremizmit islamik nisi pasi një mësuesi iu pre koka më 16 tetor. Macron deklaroi se islami është "në krizë" dhe nuk dënoi ribotimin e karikaturave të profetit Muhamed nga revista satirike “Charlie Hebdo”.
Add new comment