Pasioni për ta dredhur
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duket se do ta përfshijë goditjen ndaj gazetarëve në arsenalin e vet elektoral. Disa ditë pas daljes së tij në emisionin “Opinion” ku u fol gjerësisht për koncesionet inceneratorëve, z. Rama ka autorizuar dy qëndrime: njërin në formë kronike denoncuese për atë që e quan si dizinformim nga ana e gazetarit Armand Shkullaku dhe tjetra një dedikim për Filip Çakulin. Një nga problemet që iu vu në dukje z. Rama ishte sjellja me gazetarët, veçanërsiht me z. Rakipllari dhe Shkullakun. Për ta mbajtur të hapur këtë çështje që duket se mbulon shumë probleme serioze, z. Rama po i qaset me dy drejtime: një me popullarizimin e idesë së Shkullaku gënjen dhe e dyta duke pajtuar imazhin e vet si mik i gazetarëve me një dedikim ndaj Çakulit që drejton një emision investigativ si “Fiks Fare”. Siç mund të shihet halli i z. Rama nuk është shëndeti i medias, apo dashamirësia ndaj gazetarëve, por ndarja e tyre në “tanët” dhe të “tyret”, duke manipuluar këtu edhe me klimën e njohur mes gazetarëve të cilën zotëria e njeh mirë sepse dikur ka qenë çirak te disa të cilët sot i stigmatizon.
A është vallë ky pozicion i një kryeministri? Patjetër që jo, por zhurma për inceneratorët është më e madhe sesa zhurma e kryeministrit që ka gjetur si shënjestër më të lehtë median - më saktë gazetarë të ndryshëm, e cila asnjëherë nuk diti të pozicionohet mbi premise parimore apo të qëndrojë në këmbë përtej nevojave imediate. Është kjo koniunkturë që ka vrarë solidaritetin dhe që mundëson sot manovrat e fundit të një politikani që zakonisht fut veten në kurth dhe del prej andej me shoun e dëshpërimit.
Add new comment