Lleshaj: Le t’i shohim ftohtë ngjarjet e fundit kriminale, nuk u shemb Shqipëria

Postuar në 18 Shtator, 2020 14:59

Ngjarjet kriminale të ditëve të fundit kanë rikthyer shqetësimet lidhur me sigurinë në vend. Megjithatë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, thotë se nuk duhet krijuar panik dhe situata duhet parë ftohtë. Gjatë një takimi në Gjirokastër, Lleshaj tha se nuk shembet Shqipëria as për një ngjarje e as për dy të tilla.

Keni dëgjuar shumë vrasje këto ditë. Madje këto ditë kanë ndodhur pothuajse 10% e vrasjeve që kanë ndodhur gjithë vitin në Shqipëri. Kjo është diçka e cila për fat të keq, për sa kohë kemi njerëz, edhe ndodh që mund të kesh 2-3 ditë që ke një përqendrim të veprave kriminale dhe pastaj ke 2-3 muaj që s’ke asnjë vepër kriminale. Kjo nuk na bën neve të humbasim toruan dhe të biem në panik. Unë ju ftoj që ta kundroni, të shihni ftohtë situatën e rendit dhe sigurisë dhe mos të biem në panik nga një ngjarje që të themi u shemb! Nuk shembet Shqipëria, as siguria, për një ngjarje, as për dy”, tha ai.

Megjithatë, sipas Lleshajt, në raport me një vit më parë ka më pak ngjarje kriminale. Madje edhe më pak se disa vende europiane.

“Por ju them që gjithsesi, numri i veprave të rënda kriminale në Shqipëri është ky që është. Jemi më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, jemi shumë më poshtë, jemi shumë më poshtë sesa çdo periudhë e ngjashme e historisë sonë. Kaq është. Kjo është e provueshme. Ne sot kemi rreth 35 vrasje deri tani. S’kemi pasur kurrë ndonjëherë në historinë e re të Shqipërisë, kaq. A janë shumë? Sigurisht që janë shumë. Duhet të jenë zero. Por zero nuk bëhen kurrë këto, për sa kohë ka njerëz në botë. Dhe këtë mund ta krahasoni dhe me shifrat më të mira të vendeve të tjera perëndimore. Kemi shumë vende europiane që kanë më shumë vrasje për frymë sesa Shqipëria. Vende europiane, jo vende të rajonit!”, tha ai.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.