Ndoshta marrëveshja u bë më e thjeshtë. Greqia ka pranuar vlerë të reduktuar për Kretën
Ndoshta gjërat janë thjeshtuar për Shqipërinë në ndarjen e kufirit detar me Greqinë. Marrëveshja e kësaj të fundit me Italinë u jep efekt të reduktuar ishujve të Diapontit që janë në veri të Korfuzit dhe këtë vendim Athina zyrtare e ka interpretuar me faktin se edhe në marrëveshjen e vitit 1977 ishujt kanë patur efekt të tillë. Në këtë kuadër vlera e reduktuar e ishujve që janë përballë vendit tonë, përmbush një nga kërkesat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkon pikërisht që në përputhje me Konventën e Detit dhe konfiguracionin e bregdetit të gjendet një zgjidhje e ekuilibruar. Na marrëveshjen e vitit 2009 ishujve iu dha vlerë e plotë, një gjë që PD-ja nuk ka qejf ta trajtojë sot.
Përveç kësaj gjëje që dihet duket se Greqia ka bërë edhe një lëshim tjetër që është shumë më domethënës kur vjen puna te precedenti. Gazeta “Kathimerini” raporton se në ndarjen e ujërave detare me Egjiptin, Greqia ka pranuar vlerë të reduktuar edhe për Kretën, që është ishulli i pestë më i madh në Mesdhe. Çka do të thotë se bregu i ishullit në ndarjen e ujërave me Egjiptin nuk ka të njëjtën vlerë për matje si bregu i steresë në Egjipt. Lajmi bëhet i ditur nga një letër që përfaqësuesi I përhershëm turk në OKB, Feridun Sinirlioglu i ka dërguar sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.
Edhe për ishullin e Kretës, i pesti më i madhi në Mesdhe me sipërfaqe 8 300 km2, është dhënë efekt i reduktuar sipas të ashtuquajturës marrëveshje mes Egjiptit dhe Greqisë
shkruan ai.
Mbi këtë praktikë, Turqia vlerëson se qëndrimi grek për t’i dhënë vlerë të plotë një ishulli si Kastelorizo, është paradoksal dhe i pambështetur. Nëse kjo gjë konfirmohet është e pritshme që vizita e Dendias në Tiranë të sjellë ofertën më të mirë të mundshme për Shqipërinë, pasi është e pakuptimtë që Greqia të negociojë me disa standarde. Debati për 12 milje në këtë rast nuk ngre shumë peshë, përveç se krijon çështje të brendshme, pasi distancat mes të dyja vendeve nuk implikohen nga shpallja e 12 miljeve ujëra territoriale.
Në një opinion të publikuar sot, Dimitris Keridis, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare dhe një nga drejtuesit e Demokracisë së Re, shkruan se zgjerimi i ujërave territoriale u bë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Italinë si shenjë e vullnetit të mirë. Ai bën me dije se Athina e ka marrë këtë vendim pasi ka njoftuar edhe Shqipërinë duke cilësuar ndërkohë që një gjë e tillë ishte njoftuar për t’u bërë edhe nga qeveria paraardhëse greke.
Pikëpamja e tanishme greke mbështetet fort tek aspekti legal i akteve të veta që janë materiali kryesor për t’i mbrojtur ato në kontekstin e fërkimeve me Turqinë në Egje.
Vendimi për të zgjeruar ujërat territoriale perëndimore konfirmon një erë të re në politikën e jashtme greke...Greqia jo vetëm që po deklaron të drejtat e vjetra, por po i siguron ato tractate ndërkombëtare siç parashikon në ligjin ndërkombëtar . Kjo provohet nga marrëveshjet e delimitimit me Italinë dhe Egjiptin, zgjerimi i pjesshëm i ujërave territoriale..dhe formimi i një aleance të gjerë antiturke me arabët, Izraelin, Qipron, Francën, Austrinë dhe vende të tjera. Synimi final i lëvzjeve diplomatike është promovimi i një Europe të ndërgjegjshme gjeostrategjikisht që është në një pozicion të mbrojë efektivisht interesat e veta sidomos në Mesdhe
shkruan Keridis.
Në këtë kuadër ideja e një refuzimi eventual të ofertës që mund të sjellë Dendias, edhe pas një pranimi të disa kërkesave të palës shqiptare, nuk duhet bërë për konsum të brendshëm. E mira e të mirave është që takimet me ministrin e Jashtëm grek të raportohen me transparencë dhe të mos nxitohet për aribtrazh, sepse në fund të fundit gjykimi do të jetë objektiv dhe jo mbi ankthin e njerëzve në Tiranë.
Në çdo rast koninuktura për Shqipërinë duket se është e favorshme dhe për këtë ka ndihmuar vetë Greqia e cila ka prioritete të tjera në politikën e saj të jashtme, pa folur edhe për një fakt tjetër: ujërat e saj me Shqipërinë përputhen në masë të madhe me Ngushtincën e Korfuzit që është një kalim i hapur ndërkombëtar ku nuk mund të flitet për ujëra territoriale mirëfilli.
Sigurisht që në Tiranë do të ketë patjetër njerëz që do të duan ta minojnë çdo përpjekje, por duhet kuptuar se ujërat tona nuk paraqesin atë interes ekonomik që kanë zona të tjera. Të mos e gënjejmë veten kaq shumë edhe në shekullin e 21-të.
Add new comment